Nga Mero Baze
Kolegji Zgjedhor pranoi si të ligjshme rregullat e ndryshuara pas përfundimit të zgjedhjeve. Votat e mbledhura në kuti të tjera pasi Edi Rama u shpall fitues i zgjedhjeve, u konsideruan të vlefshme, dhe tani Lulëzim Basha mund të konsiderohet pa shumë etikë grabitës i mandatit të Tiranës, ndërsa gjyqësori shqiptar humbës i madh i kësaj beteje.
Tani gjithë vëmendja është e përqendruar tek vazhdimi i betejës opozitare. Paralajmërimet ndërkombëtare për Kolegjin Zgjedhor dhe sidomos komentet e medias botërore kanë parandjerë që vendi do të hyjë në një spirale sfilitëse. Zëra nga opozita kanë kërkuar revoltë deri në rrëzim të qeverisë, ndërsa ndërkombëtarët si në çdo rast tjetër do të kërkojnë “që të shikohet përpara”.
Në të vërtetë nuk bëhet fjalë fare për mandatin e grabitur të Tiranës, se sa për rënien përfundimtare të shanseve për të zgjidhur një krizë politike me institucionet tona. Opozita shqiptare ka arritur në këto zgjedhje një fitore të thellë politike, pasi jo vetëm ka nën kontroll tre të katërtat e Shqipërisë, por ka zbuluar me zgjedhjet në Tiranë thelbin pervers që po rrënon demokracinë këto 20 vite në Shqipëri, ka zbuluar si vjedh zgjedhjet Sali Berisha. Fitorja e ngushtë e Edi Ramës ishte mallkimi i madh për Sali Berishën. Zoti e afroi atë aq afër fitores dhe e la jashtë dere, vetëm për ta rishfaqur dhe një herë para syve të shqiptarëve dhe gjithë botës filmin e vjetër të vjedhësit të votave. E parë në këtë këndvështrim opozita shqiptare ka fituar betejën elektorale të 2011, por ka fituar dhe kauzën morale të vitit 2009 që po mban dy vjet Shqipërinë në ngërç. Tani asnjë ambasador, asnjë kancelari e huaj dhe asnjë vëzhgues ndërkombëtar nuk thotë dot që Sali Berisha nuk prek votat. Të gjithë e pamë se si ai që mbajti dy vjet kutitë e mbyllura dhe i dogji buzë Erzenit, hapi kutitë që përpunoi vet pas mbarimit të zgjedhjeve dhe shtoi vota të mjaftueshme për të shpallur me dhunë kandidatin e tij kryetar. Të gjithë e pamë se Kolegji Zgjedhor e ka të ndaluar të lexojë ligjet për të marrë vendime. Ata lexojnë vetëm vendimet që u shkojnë të zbardhura nga kryeministri. Këto zgjedhje provuan se atje ku Shqipëria është e lirë të votojë, Sali Berisha humbet. Beteja e tij për Tiranën ishte mes të tjerash betejë për të futur nën kontroll të mafies së tij politike opozitën dhe aty futi duart në zgjedhje.
Tani me opozitën është e drejta e saj e mohuar për dy vite dhe e faktuar si krim i përsëritur para syve tanë dje para Kolegjit Zgjedhor. Duke pasur të drejtën e fitimtarit të këtyre zgjedhjeve, por dhe meritën e rifaktimit të vjedhjes elektorale të vitit 2009, opozita ka të drejtën e plotë për t’i dhënë fillimisht shans zgjidhjes politike, para se njerëzit të dalin në rrugë.
Çdo krizë në një vend normal apo gjysëm demokratik përdoret për zgjidhje të mëdha. Edhe në Kosovë, një vend parademokratik, kriza e rrëzimit të Presidentit nga Gjykata, u përdor për një zgjidhje politike pak më afatgjatë, pasi u pranuan zgjedhje të parakohshme, ndryshim të Kushtetutës për zgjedhje të presidentit, dhe ndryshime të tjera politike. Opozita duke u sjellë si fitimtare e këtyre zgjedhjeve, por dhe si faktuesja e krimit elektoral në Tiranë, duhet t’i çojë presidentit të Republikës paketën e zgjidhjes së krizës, përmes zgjedhjeve të parakohshme dhe ndryshime në Kodin Elektoral dhe më gjerë, në këmbim të paqes sociale në vend. E di që shumë opozitarë irritohen kur mendojnë se mund të kërkojnë paqe me Berishën dhe Bashën, të cilët kanë ende hesape të pambyllura me familjet e viktimave të 21 janarit, por ajo që po them është se zgjidhja politike duhet ofruar si një shans për paqen sociale në vend dhe jo si një lëshim për qeverinë. Zgjedhjet në Tiranë provuan se sistemi nuk funksionon dhe se drejtësia në Shqipëri është një shpresë e vdekur prej diktatit të politikës.
Nuk ka pasur kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi kaq shumë deklarata të faktorit ndërkombëtar, që nga SHBA deri në Bruksel për ta lexuar publikisht manipulimin e procesit në Tiranë. Asnjëherë nuk ka për të pasur aq shumë artikuj në shtypin ndërkombëtar që paralajmëronin drejtësinë shqiptare të mos i vënë zjarrin Shqipërisë. Përfytyroni sa e fortë ka qenë oferta e Berishës për ata gjyqtarë të trembur, që bën dje atë turp.
Kolegji Zgjedhor në Shqipëri ka dhënë vendime përgjithësisht të drejta deri sa Berisha ka marr kontrollin mbi ata dy vjet më parë. Nën diktatin e tij Gjyqi i Gërdecit dje në vend që të kishte në bankë të të akuzuarve djalin e tij dhe Fatmir Mediun, ishte në kërkim të karrocierit që ka salduar karrocën. Gjyqi i 21 Janarit në vend që të kishte në bankën e të akuzuarit Lulëzim Bashën, ka degraduar në ekspertiza plumbash që një ditë dalin se janë shkrepur nga pistoleta të gardës dhe ditën tjetër që kanë ardhur nga qielli. Është e kotë të presim drejtësi nën diktatin e një njeriu që ka marrë gjithë pushtetet. Opozita duhet të bëjë ofertën e saj për zgjidhje politike dhe t’i japë kohën e duhur për përgjigje të gjithëve. Zgjidhja tjetër, ajo e revoltave dhe trazirave, s’ka nevojë të ofrohet. Berisha le të provojë të mbrohet nga populli i vet, siç u mbrojt nga gjyqtarët e vet.







