GJYKIM QË SHKON, KRAHASIM QË S’MBAN

0
105

Mustafa Nano

Zululand
Sipas të gjitha manualeve të vlerësimit të një politikani (sikur të kishte manualë të tillë, pasi në fakt nuk ekzistojnë), Edi Rama do të rezultonte një politikan i keq. Pse? Për një numër arsyesh: parapëlqen të sundojë, e jo të qeverisë, ka për ideal pushtetin, të cilin as nuk dëshiron ta ndajë, as nuk dëshiron ta humbasë, nuk ka skrupuj e parime, armiqtë don t’i korruptojë e t’i bëjë klientë, miqtë don t’i korruptojë e t’i bëjë shërbëtorë etj.

Sa më sipër janë të vërteta, dhe këtë s’e luan topi. Por përpjekjet e cave për ta prezantuar atë si alter ego-n e Berishës në kampin tjetër, apo si një të keqe më të madhe se sa vetë Berisha, më kanë befasuar gjithmonë e vijojnë të më befasojnë. Befasia pra nuk ka lidhje me gjykimin që i bëhet Ramës, i cili (gjykimi, jo Rama) rëndom është i saktë dhe objektiv. Befasia më vjen nga krahasimi me Berishën, që më duket krejt kuturú (krahasimi; edhe Berisha, në fakt).

Disa zëra anti-Rama i respektoj jo pak, e kjo gjë më bën që herë pas here ta rishqyrtoj imtësisht bindjen time të kundërt me të tyren. Mirëpo, pasi i vij rrotull mirë e mirë argumentit, e pasi shtie në punë gjithë fuqinë time për të qenë i ftohtë, i shtruar, racional, objektiv, unë mbetem i qepur pas idesë, se në instancë të fundit Edi Rama përbën një ofertë politike shumë sexy në raport me Sali Berishën.

Nuk e përjashtoj sërish, që mund të gabohem, por nuk më ikin nga mendja do karakteristika që e dallojnë dramatikisht Sali Berishën, e të cilat nuk vihen re tek Edi Rama. Së pari, Berisha është i dhunshëm në planin retorik e në planin praktik. Sikur të mos mjaftojë kjo, ka zëra që e lidhin atë, apo regjimin e tij të viteve 1992-1997, me një numër vrasjesh (s’po flas për viktimat e vitit 1997, të cilat me një logjikë shkel e shko po i konsideroj të vdekur “neutralë”). Së dyti, Berishës nuk i gjen shpirti karar pa ia arritur ditës të kontrollojë çdo cep të vendit e çdo qoshe të shtetit, dhe këtë nuk e bën thjesht për të mbrojtur zullumet e veta apo zullumet e të vetëve, sidozot Gërdecin apo vjedhjet skandaloze në rrugën Durrës-Kukës (jam i sigurt që, në rast nevoje, këtë e bën dhe Rama), por për një mani e tahma sundimi. Së treti, Berisha është në politikë një përthyerje frikshmërisht harbute e prapambetjes endemike shqiptare, gjë që duket çdo ditë në komunikimin e tij publik.

Po pres të më sfidojë ndokush me tezën, se të tria këto karakteristika i ka dhe Rama, apo me tezën se të tria këto karakteristika nuk janë të Berishës, apo më në fund me tezën, se të tria këto karakteristika nuk e bëjnë të frikshëm një personalitet politik.