Gjykata: Komisionerët e PD, çfarë bënë në Ruzhdie

0
71

Shekulli Online, 12.03.2010

Dosja “Ruzhdie”

Në deklarimet e tyre nuk kanë pranuar asnjërën prej akuzave të ngritura nga komisionerët e PS-së. Madje, të pestë kanë thënë të njëjtat fjalë, duke akuzuar kolegët e tyre të majtë se kanë prishur procesin, duke u ankuar dhe duke marrë në telefon dhe më pas duke ikur nga komisioni i qendrës 3052, bashkë me vulën e sekretarit.

Alibia e tyre është se komisionerët e PS-së e bënë qëllimisht këtë inskenim, pasi e panë se po vinin shumë votues dhe që të gjithë donin të votonin për PD-në, sepse thonë ata, Ruzhdia, ka votuar gjithmonë djathtas.

Por Prokuroria dhe Gjykata nuk ndajnë të njëjtin mendim. Ato i kanë akuzuar për disa vepra penale, komisionerët e djathtë, të cilët edhe sot, gati një muaj nga vendimi i 12 shkurtit, janë të lirë dhe të qetë, madje të gatshëm për të linçuar këdo që flet kundër, siç ishte rasti i pak ditëve më parë i dhunimit të Isuf Kamberajt nga ish-komisioneri i PD-së, Pëllumb Myrtaj dhe vëllai I tij.

“Shekulli” në pjesën e fundit të dosjes “Ruzhdie” po vë të gjitha akuzat e prokurorisë dhe të gjykatës së Fierit si dhe deklarimet e ish-kryetarit dhe anëtarit të qendrës 3052, përfaqësues të PD-së.

Të gjitha akuzat e verifikuara nga prokuroria dhe të dhëna nga gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor në Fier

Më 12 shkurt 2010, gjyqtarja Irena Maneku, shprehej se kërkimi i masës nga Prokuroria për shpalljen fajtor të pesë ish-komisionerëve të qendrës së votimit numër 3052 në fshatin Ruzhdie në Fier, Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj dhe Pëllumb Myrtaj, ishte i bazuar në ligj e prova e duhej pranuar.

Akuzat ishin provuar dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Fier për pesë komisionerët e Ruzhdies kishte filluar procedimin penal nr.410 datë 29.06.2009 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal dhe Votimit të më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 169 i Kodit Zgjedhor, ligji 10019 datë 29.12.2008.

Procedimi penal, ishte rregjistruar mbi bazen e kallëzimit penal, të bërë nga anëtarët e komisionit të qendrës së votimit 3052 KZAZ 19 Qarku Fier, përfaqësues të Partisë Socialiste, pasi prej anëtarëve të tjerë të komisionit të qendrës së votimit 3052 Komuna Ruzhdie, po kryeshin veprime në kundërshtim me procedurat e votimit dhe kodit zgjedhor, ku votimi bëhej familjarisht si dhe një person votonte dhe për persona që nuk ishin të pranishëm, pa u futur në dhomën e fshehtë të votimit.

Njëri-pas tjetrit jepen edhe vendimet nga gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor të Fierit, me “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.

Provat ishin gjetur nga ekzaminimi i materialeve zgjedhore në kutinë e qendrën së votimit 3052. Me vendimin Nr.19 date 30.05.2009 të KZAZ-së Nr.19 Qarku Fier, ishin emëruar në detyrën e anëtarëve të Komisionit të Qendrës së Votimit 3052, shtetasit Bujar Kararaj Kryetar, Pëllumb Ferzaj Zv.Kryetar, Pëllumb Myrtaj, anëtar, Qazim Aliaj anëtar, Robert Myftaraj anëtar, Veledin Myftaraj anëtar, Shezai Kararaj anëtar dhe Ervin Myftaraj sekretar.

Për shkak të konfliktit të ndodhur mes anëtarëve të komisionit, përfaqësues të Partisë Socialiste me anëtarët e tjerë, lidhur me vulosjen e fletëve të votimit prej sekretarit Ervin Myftaraj, personave që votonin në mënyrë të hapur dhe për persona të tjerë, anëtarët e Partisë Socialiste u larguan dhe kërkuan zëvendësimin e sekretarit Myftaraj me një anëtar tjetër të komisionit pasi Ervini ishte banor i fshatit dhe kishte njohje me zgjedhësit dhe anëtarët e komisionit.

Me vendimin Nr.24 date 28.06.2009, KZAZ Nr.19 liroi nga detyra sekretarin Myftaraj dhe emëroi si anëtar të komisionit Nazmi Ferzaj. Me vendimin Nr.25 datë 28.06.2009, KZAZ Nr.19, liroi nga detyra e zv.kryetarit të komisionit Pëllumb Ferzaj dhe emëroi zv.Kryetar të këtij kominioni Qazim Ferzaj.

Përfaqësuesit e PS-së me ndryshimet e pozitave në përbërjen e komisionit të qendrës së votimit 3052, shkuan në qendrën e votimit për vazhdimin e votimit por nuk u pranuan prej anëtarëve të tjerë të komisionit dhe në këto kushte, përfaqësuesit e PS-së u larguan dhe dorëzuan vulën e sekretarit pranë KZAZ-së nr.19.

Manipulimet

Nga shqyrtimi i listës së votuesve të Komunës Ruzhdie qendra e votimit 3052, rezultoi se për zgjedhjet e Kuvendit të datës 28.06.2009, ishin listuar emrat e votuesve të cilat janë 592 zgjedhës. Në këtë listë, ishin shënuar me shkrim dore përbri emrave të zgjedhësve, numrat e dokumentave të identifikimit dhe nënshkrimet përkatese, sipas përcaktimeve të nenit 105 të kodit zgjedhor por, pa i hequr vizë, emrit të zgjedhësit që ka votuar.

Sipas librit të protokollit të mbledhjeve të Komisionit të Qendrës së Votimit Nr.3052, rezultonte se në ora 07:30, ishte vendosur nga komisioni hapja e votimit, në ora 10:35, prej këtij komisioni me pesë anëtarë duke përjashtuar kallëzuesit, u vendos pezullimi i votimit per shkak se komisionerët e PS, sipas PD-së, ushtruan presion psikologjik mbi komisionerët e PD-së, përfundimisht u larguan duke marrë vulën e sekretarit.

Me vendimin e orës 14:30, komisioni 3052 me pesë anëtarë vendosi hapjen e votimit, në ora 19:25, komisioni vendosi mbylljen e votimit dhe në ora 19:30, vendosi për përcaktimin e personave që votuan nga ku rezultuan 525 zgjedhës që votuan. Nga shqyrtimi i këtij libri të protokollit nuk rezultojnë që të jenë bërë shënime për personat që ndihmojnë votuesit sipas nenit 108 të Kodit Zgjedhor.

Prej anëtarëve të komisionit Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Shezai Kararaj, Robert Myftaraj dhe Veladin Myftaraj, ishte mbajtur procesverbali model PV-KQV-08 datë 28.06.2009 ora 19:40, i mbylljes së votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 28 Qershor 2009.

Prej këtyre anëtarëve, ishin shkelur procedurat ligjore të votimit, në kundërshtim me dispozitat e kodit zgjedhor, duke votuar më shumë se njëherë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar listën e zgjedhësve, si dokument zgjedhor, duke falsifikuar njëkohësisht dhe rezultatin e votimit si dhe është shkelur fshehtësia e votimit fakte këto të konfirmuara nga akti i ekspertimit grafik Nr.829 datë 27.01.2010, i ekspertimit të listës së zgjedhësve qendra e votimit 3052 Komuna Ruzhdie.

Gjithashtu, nga verifikimet e bëra në sistemin TIMS, rezultonte se 111 zgjedhës të kësaj qendre votimi në datën 28.06.2009 rezultonin jashtë shtetit ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i tyre 80 persona, rezultonin të kishin votuar, por që u ishin falsifikuar firmat, numrat e pasaportave dhe numrat e kartave të identitetit.

Nga tërësia e veprime hetimore të mësipërme, rezultoi se prej anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit 3052 të pranishëm deri në fund të votimit, ishin kryer shkelje të dispozitave të kodit zgjedhor, me pasojë kundërligjshmërie sipas dispozitave që parashikon Kodi Zgjedhor dhe Kodi penal.

Kundërligjshmëria e këtyre anëtarëve, ka filluar fillimisht me lënien e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të hapur pa u futur në dhomën e fshehtë të votimit si dhe kanë votuar dhe në emër të zgjedhësve të tjerë, pavarësisht faktit nese ishin apo jo të afërm të tyre.

Kishin falsifikuar listën e zgjedhësve, duke shënuar në këtë listë përbri emrave të zgjedhësve, numra serie të dokumenteve të identifikimit si pasaporta dhe karta e identitetit të falsifikuara, kishin hedhur në kutinë e votimit, vota për personat që u kanë falsifikuar nënshkrimet dhe numrat e serive të dokumentave të identifikimit.

Prej anëtarëve të komisonit të qendrës së votimit 3052 Komuna Ruzhdie KZAZ1 19 Qarku Fier, ishin shkelur me dashje, procedurat e votimit, ku dhe vetë anëtarët kryen veprime të drejtpërdrejta me dashje, për falsifikimin e rezultatit të votimit.

Sipas listës së zgjedhësve, rezultonte se të pestë anëtarët e këtij komisioni, ishin zgjedhës në këtë qendër votimi ku dhe votuan. Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, anëtari i komisionit Shezaim Kararaj, falsifikoi listën e zgjedhësve, duke nënshkruar për to dhe shënuar numra të serive të dokumentave të identifikimit të rreme, veprime të kryera në prani të anëtarëve të tjerë.

Anëtari i komisionit, Veledin Myftaraj, votoi për bashkëshorten e tij Dallandyshe Myftaraj, zgjedhësi Buran Donaj, votoi për bashkëshorten e tij Fatmira Donaj, zgjedhësi Elmas Donaj, votoi për djalin dhe vajzën e tij Elton Donaj dhe Aurora Donaj, duke nënshkruar përbri emrave të këtyre zgjedhësve.

Sipas listës së zgjedhësve, dhe verifikimeve rezultoi se prej anëtarëve të komisionit u shënuan numrat e kartave të identitetit të falsifikuara dhe se shtetasi Elton Donaj rezultonte jashtë shtetit diten e zgjedhjeve 28.06.2009 si shumë zgjedhës të tjerë.

Nga shqyrtimi i listës së zgjedhësve dhe provave të grumbulluara rezulton se, në qendrën e votimit 3052 Komuna Ruzhdie KZAZ Nr.19 Qarku Fier për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 28.06.2009, ishin listuar 592 zgjedhës, nuk votuan pa u bërë shënimet 67 zgjedhës, dhe prej atyre që jane bërë shënime në këtë listë rezultonte se ishin falsifikuar firma, numrat serie, të kartave të identitetit dhe pasaportave të 376 zgjedhësve.

Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës, Falsifikimit të dokumentave zgjedhore, që ata kishin kryer parashikon masa dënimi me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë, por ata janë të lirë

*******************

Deklarimi i Bujar Kararaj, ish-kryetar i komisionit të qendrës së votimit numër 3052 në Ruzhdie

Socialistët ikën sepse po fitonte e djathta

Në lidhje me sa po më pyesni ju përgjigjem se unë gjatë zgjedhjeve të 28.06.2009 kam qenë i caktuar nga ana e Partisë Demokratike në KQV 3052 fshati Ruzhdie. Në këtë komision unë kam qenë kryetari i saj.

Pyetje: A mund të na thoni si ka filluar dhe ecur procesi i votimit në këtë qendër votimi duke filluar prej mëngjesit të dt 28.06.2009?

Përgjigje: Procesi ka filluar normalisht, është vendosur kutia e votimit është përpiluar procesverbali i tij dhe është firmosur nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ka filluar procesi i votimit në orën 07:30 dhe ky proces ka filluar normalisht. Në orët e para të procesit nuk ka pasur shumë dyndje nga ana e votuesve dhe ai ka vazhduar i qetë.

Duke kaluar orët numri i votuesve po rritesh dhe në këtë kohë anëtaret e komisionit që përfaqësonin forcën e majtë duke parë që po rritej numri i votuesve në këtë qendër që njihet si e djathtë filluan të bënin manovra që të bllokonin procesin e votimit. Filluan të bënin telefonata me persona të tjerë, drejtuesit e tyre dhe po thoshin që nga ana jonë po ushtrohej presion. Të gjitha këto bëheshin për të bllokuar procesin e votimit.

Këta anëtarë kërkuan që të bënin pushim dhe unë jua kam miratuar duke ndaluar procesin. Ndërkohë kanë marrë direktiva që të mos futeshin në qendrën e votimit për të vazhduar procesi dhe kanë ardhur disa mjete për t’i marrë dhe për t’i larguar nga qendra e votimit duke marrë dhe vulën e sekretarit.

Në këtë kohë ne e kemi pezulluar votimin derisa kemi marrë urdher nga KQZ Tiranë për të vazhduar procesin e votimit. Më pas kemi vazhduar votimin pa prezencën e tre përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Në bazë të rregullores në qoftë se shumica e anëtarëve të komisionit është prezent atëherë duhet të vazhdojë votimi. Kështu kemi bërë deri në përfundim të procesit.

Pyetje: A është ushtruar dhunë nga ana juaj në drejtim të antarëve të PS?

Përgjigje: Jo nuk është ushtruar asnjë lloj dhune në drejtim të tyre, as fizike, as psiqike.

Pyetje: A ka pas raste gjatë procesit të votimit që një person të votonte për llogari të zgjedhesve të tjerë dhe konkretisht familjarëve të tij?

Përgjigje: Absolutisht jo, nuk ka pasur raste të tilla.

Pyetje: Juve a keni votuar në zgjedhjet e mësipërme?

Përgjigje: Po unë personalisht kam votuar në këto zgjedhje.

Pyetje: Sa pjesëtare jeni në familje dhe kush prej tyre ka votuar në këto zgjedhje?

Përgjigje: Në familjen time jemi 5 pjesëtarë jam unë, nëna ime Xhemile Kararaj, nusja ime Natasha Kararaj si dhe dy femijët e mi të moshës poshtë 18 vjec që nuk kanë të drejtë votimi.

Pyetje: A kanë votuar nëna dhe bashkëshortja jote?

Përgjigje: Po ato kanë votuar të dyja personalisht dhe janë paraqitur vetë në qendrën e votimit.

Pyetje: Po ju vëmë para listën e votuesve të fshatit Ruzhdie,përvec personave që përmendet më lart që janë pjesëtarë të familjes suaj, kë njihni prej tyre?

Përgjigje: Njoh Adem dhe Gëzim Kararaj, Admir, Arian, Ermal Kararaj që janë djemtë e Ademit, Behije Kararaj që është nusja e tim vëlla Ademit. Gjithashtu dalloj dhe Kastriot Kararaj i cili i biri i vëllait tim tjetër Gëzimit.

Pyetje: Mbani mend nëse të gjithë këta shtetas janë paraqitur në qendrën e votimit për të votuar personalisht?

Përgjigje: Nuk i mbaj mend saktësisht pasi duke qenë se ka pasur shumë punë dhe janë hapur probleme nuk i kam fiksuar të gjithë për orën kur kanë votuar.

Gjë tjetër nuk kam për të shtuar procesverbalin pasi e lexoj e konfirmoj dhe e firmos pa vërejtje.
DEKLARUESI
Bujar Kararaj

Deklarimi i Shezaim Kararaj, komisioner i PD-së në qendrën 3052

Komisionerët PS e kundërshtuan kot procesin

Në lidhje me sa po më pyesni ju përgjigjem se unë gjatë zgjedhjeve të 8.06.2009 kam qenë i caktuar nga ana e Partisë Demokratike në KQV 3052 fshati Ruzhdie si anëtar i këtij komisoni .

Pyetje: A mund të na shprehni si ka filluar dhe si ka vazhduar procesi i votimit në këtë qendër votimi duke filluar prej mëngjesit të dt 28.06.2009?

Përgjigje: Procesi ka filluar normalisht në orën 07:30, është vendosur kutia e votimit dhe është firmosur procesverbali nga të gjithë anëtarët dhe ky proces ka filluar normalisht. Në fillim të procesit nuk ka pasur shumë shtetas për të votuar dhe procesi ka vazhduar normalisht.

Pas orëve të para të mëngjezit numri i votuesve po çohesh dhe në këtë kohë anëtarët e komisionit që përfaqësonin forcën e majtë filluan të krijonin probleme duke u ankuar për detaje të kota. Të gjitha këto ankime filluan pasi duke e ditur se po të rritej numri i votuesve më shumë vota do të humbnin duke qenë se Ruzhdia njihet si qendër që voton djathtas.

Në këtë moment ata filluan të kryenin veprime të acaruara dhe kundërshtonin kot për të bllokuar procesin. Filluan të bënin telefonata me drejtuesit e tyre dhe po thoshin që nga ana jonë po ushtrohej presion dhe po kryheshin veprime të paligjshme. Të gjitha këto bëheshin për të bllokuar procesin e votimit.

Këta anëtarë kërkuan që të bënin pushim dhe kryetari ashtu si dhe ne jua ka miratuar duke ndaluar procesin. Ndërkohe ata flisnin përsëri në telefon dhe më duket se ju kanë thënë që të mos futeshin në qendrën e votimit për të vazhduar procesin.

Më vonë ata janë larguar, më duket se kanë ardhur dhe i kanë marrë me makina dhe kanë marrë dhe vulën e sekretarit me vete. Në këtë kohë ne e kemi pezulluar votimin dhe kemi njoftuar në KQZ. KQZ-ja na ka ka pyetur për numrin e mbetur të anëtarëve i cili ishte pesë dhe na tha se në bazë të rregullores duhej të vazhdonte votimi.

Më pas kemi vazhduar votimin pa prezencen e tre përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Kështu kemi bërë deri në përfundim të procesit.

Pyetje: A është ushtruar dhunë nga ana juaj në drejtim të anëtarëve të majtë?

Përgjigje: Jo në asnjë mënyrë nuk është ushtruar dhunë në drejtim të tyre.

Pyetje: A ka pas raste gjatë procesit të votimit që një person të votonte për llogari të zgjedhësve të tjerë dhe konkretisht familjarëve të tij apo të votonte më shumë se njëherë?

Përgjigje: Absolutisht në asnjë mënyrë ,nuk ka pasur raste të tilla.

Pyetje: Juve a keni votuar në zgjedhjet e mësipërme?

Përgjigje: Po unë personalisht kam votuar në këto zgjedhje.

Pyetje: Sa pjesëtarë jeni në familje dhe kush prej tyre ka votuar në këto zgjedhje?

Pergjigje: Në familjen time jemi 3 pjesëtarë jam unë, gruaja ime Violeta dhe djali Petriti.

Pyetje: A kanë votuar bashkëshortja jote dhe djali?

Përgjigje: Po ata kanë votuar personalisht dhe janë paraqitur vetë në qendrën e votimit.

Pyetje: Po ju vëmë para listën e votuesve të fshatit Ruzhdie, përveë personave që përmendët më lart që janë pjesëtarë të familjes suaj, kë njihni prej tyre?

Përgjigje: Njoh Rexhep dhe Hedije Kararaj që janë babai dhe nëna ime. Njoh Ismail, Myzafer, Fatmir,Ylli Kararaj që janë vëllezërit e mi. Njoh Dashuri, Entela, Alma, Alketa Kararaj që janë bashkëshortet e vëllezërve të mi. Njoh persona të tjerë të cilët janë kushërinj të largët. Fëmijët e gjithë vëllezërve të mi nuk kanë moshë për të votuar dhe nuk kanë as emrin në listën e votuesve .

Pyetje: Mbani mend nëse të gjithë këta shtetas janë paraqitur në qendren e votimit për të votuar personalisht?

Përgjigje: Po të gjithë këta kanë ardhur dhe janë paraqitur vetë personalisht për të votuar.

Gjë tjetër nuk kam për të shtuar procesverbalin pasi e lexoj e konfirmoj dhe e firmos pa vërejtje.

Deklaruesi
Shezaim Kararaj