Gazeta “Shqip” publikon listën e plotë të ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës disa ditë më parë.
PËRFUNDIMET NGA MBLEDHJA E KNGJSH MË 16 PRILL 2013
Në mbledhjen e datës 16. 04. 2013, të zhvilluar në Tiranë, u diskutuan problemet drejtshkrimore, që mbetën pa u diskutuar në mbledhjen e qershorit 2012. Pas diskutimeve, u propozuan dhe u mbështetën me miratim të përgjithshëm, ndryshimet e mëposhtme në rregullat ekzistuese.
A – PËR DREJTSHKRIMIN E ZANOREVE
Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren -ë- nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; i parvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës -m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).
Të njësohet drejtshkrimi i fjalëve amëz “erë e lehtë që merr një ushqim dhe që ndihet kur e hamë; kundërmim” dhe amzë “regjistri themeltar i shkollës”. Të dyja këto fjalë, që kanë të njëjtin burim dhe të njëjtën strukturë fonoleksikore, të shkruhen amzë.
Fjalët që përmbajnë prapashtesën deminutive -zë të shkruhen sipas përbërjes së rrënjës: kur rrënja e fjalës mbaron me zanoren -ë, të shkruhen me –z: shkëndijëz, vijëz, gojëz, ujëz, nyjëz; kur rrënja mbaron pa zanoren –ë, të shkruhen me –zë: pejzë, tejzë, fejzë. Sipas këtij rregulli duhet të ndryshojë drejtshkrimi i fjalës dejëz, që mbështetet në shumësin dej, si rrjedhim duhet të shkruhet dejzë, njëlloj si fejzë (nga shumësi fej).
Të ndryshojë pozicioni i zanores -ë tek emri tavllë, që duhet të shkruhet tavëll ~ tavlla. Gjuha shqipe nuk ka emra me një përbërje të tillë: një grup bashkëtingëllor me një lëngëzore. Me këtë ndryshim emri integrohet në paradigmën e emrit krikëll ~ kriklla i së njëjtës gjini dhe më tej në paradigmën hasëll ~ haslli, hisëll ~ hislli, çakëll ~ çaklli të gjinisë tjetër.
Mbiemri i sigurt të shkruhet i sigurtë, me theks në zanoren -u- dhe me zanoren -ë në fund të fjalës. Me këtë mënyrë të shkruari fjala përshtatet më mirë me burimin e saj: it. sicúro, duke ndjekur të njëjtën rrugë që ka ndjekur një mbiemër tjetër me këtë burim: i sinqertë nga it. sincéro.
Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin -m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është -m e jo -më, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).
Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~ e majme, pa zanoren -ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.
Foljet ngadhënjej e ngashënjej, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen pa zanoren –ë: ngadhnjej e ngashnjej.
Emri travaj “mall, shqetësim, merak”, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhet travajë, me zanoren -ë. Në asnjë të folme nuk shqiptohet si emër i gjinisë mashkullore; si rrjedhim duhet të korrigjohet edhe shumësi travaje, që duhet të jetë travajë, njëlloj si punë, javë etj. Veç drejtshkrimit, në veprat kodifikuese (fjalorët) duhet të korrigjohet edhe kuptimi leksikor i fjalës, që nuk është “mall, shqetësim, merak”, por “mundim, brengë”.
Ndajfolja herët nuk përligjet gramatikisht, prandaj ajo duhet të shkruhet heret, meqenëse këtu kemi një emër të rasës rrjedhore, mbaresa e të cilit është -et e jo -ët. Ka edhe ndonjë fjalë tjetër, siç është ndajfolja tejet nga një tej e lakueshme, që ka hyrë në standardin e sotëm me këtë mbaresë duke u shkruar me mbaresën -et e jo -ët.
Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren -ë fundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
Në disa fjalë trirrokëshe me dy rrokje paratheksore, të shkruhet vetëm një zanore -ë, ajo që ndodhet pranë theksit, duke ruajtur zanoren e plotë në rrokjen e ballit të fjalës. Fjalë të tilla janë: shëmbëllej, shëmbëllim e shëmbëllesë, që duhet të shkruhen shembëllej, shembëllim e shembëllesë; rrëzëllej, rrëzëllim, rrëzëllor e rrëzëllyes, që duhet të shkruhen rrezëllej, rrezëllim, rrezëllor e rrezëllyes; nëpërkoj “dredhoj, gjarpëroj”, që duhet të shkruhet nepërkoj. Me këtë mënyrë ruhet rrënja e fjalës dhe mënjanohet kakofonia që krijon shqiptimi i dy zanoreve të rrëgjuara paratheksore, duke ecur kësisoj në gjurmë të një tradite më të hershme të shqipes (khs. marëtoj nga lat. maritāre, mallëkoj nga lat. maledico, ngadhënjej nga it. guadagnare etj.).
Në fjalët e përbëra me përemrin vetë, të shkruhet në të gjitha rastet zanorja -ë kur është në funksion të prefiksoidit. Prandaj, krahas vetëmbrojtje, vetëshërbim, vetëmohim, të shkruhet edhe vetëvetor, vetëvetiu.
Mbiemri i gjerë ka dalë jashtë sistemit fonetik dhe shkrimi i tij është mbështetur në një shqiptim nëndialektor të toskërishtes. Për këtë arsye të shkruhet me zanoren -ë në vend të zanores -e bashkë me rrjedhojat: i gjërë, gjërësi, zgjëroj etj.
Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhet plang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.
Fjalët bulmet e qurra, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, mund të shkruhen bylmet e qyrra.
Emrin lëkua “barishte shumëvjeçare, që rritet në liqene e në ujëra të ndenjura; lëpushë” nuk e ka asnjë e folme me këtë formë. Është fjalë e dialektit gegë; prandaj duhet të shkruhet lëkue. Togu zanor -ue- me të cilin del fjala, është i pranishëm në standardin e sotëm; khs. mësues, i punueshëm etj.
Disa huazime librore, ku ndeshen dy e deri në tri zanore bashkë, të shkruhen me një zanore. Kështu, folja kontribuoj me pjesoren kontribuuar të shkruhet kontriboj e kontribuar; emrat asociim, iniciim, negociim të shkruhen asocim, inicim, negocim; emri vakuum të shkruhet vakum; spontaneitet të shkruhet spontanitet; kolokuium të shkruhet kolokium.
B – PËR DREJTSHKRIMIN E BASHKËTINGËLLOREVE
1) Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: i pishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren -j, që del në disa shkrime të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
2) Format e shumësit ftonj, thonj, ullinj, mullinj, përrenj etj., me bashkëtingëlloren -nj fundore, të shkruhen me -j, në mbështetje të evolucionit që kanë pasur këto trajta në një pjesë të mirë të truallit të shqipes, duke njësuar kësisoj rregullën si për emrat, ashtu edhe për foljet (khs. foljet ftoj, fshij, punoj, shkëmbej). Pra, të shkruhen: ftoj, thoj, ullij, mullij, përrej. Kjo mënyrë të shkruari duhet të zbatohet edhe te mbiemrat, si: i drujtë në vend të i drunjtë, të mëdhej në vend të mëdhenj, të rij në vend të të rinj etj. Me këtë ndryshim gjen zgjidhje kërkesa e E. Çabejt dhe e të dy seksioneve të Kongresit të Drejtshkrimit, të fonetikës dhe të gramatikës, që parashtruan nevojën e këtij ndryshimi.
3) Emri shtinjak duhet të shkruhet shtijak, meqenëse folje shtinj s’ ka asnjë e folme. Ajo e ka burimin prej foljes shtie, me prapashtesën -ak, ku sonantja -j- ka ndërhyrë për të zhdukur hiatin.
4) Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë” duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.
5) Disa fjalë që janë shkruar me lëngëzoren -r- duhet të shkruhen me -rr-. Të tilla janë: folja shter, që duhet të shkruhet shterr në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duke hyrë në paradigmën e foljeve tjerr, bjerr etj., ku -rr-ja është formuar nga bashkimi -r- + -në në formën e pjesores. Duhet të shkruhet me -rr- edhe folja micëroj “ha diçka duke e kafshuar pak e nga pak, ha maja-maja”, pra, micërroj, ashtu siç shkruhet picërroj, në mbështetje të materialeve dialektore nga është marrë fjala. Emri dhëndërr gjithashtu, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet me -rr, ashtu si emri vjehërr, me të cilin ka të njëjtën paraqitje fonetike.
6) Folja mbarrs (FGS 2006, f. 602) duhet të shkruhet mbars siç e ka FGSS f. 1078, duke u mbështetur në shqiptimin më të përgjithshëm, domethënë duke respektuar parimin fonetik.
7) Në disa emra që dalin me dy lëngëzore të njëjta, drejtshkrimi mund t’i ruajë të dyja format, por duke u prirur drejt formave me një lëngëzore, për të shmangur kakofoninë që krijon shqiptimi i dy lëngëzoreve brenda së njëjtës fjalë. Kështu, do të pranohen barëra (barërat e këqija) e barna “ilaçe”, me dallime kuptimore (khs. barnatore, barnatar). Të parapëlqehen edhe rrjedhoja me një lëngëzore në vend të dy të tillave; si: birni e birnor në vend të birëri e birëror; burrni, burrnor e i zhburrnuar në vend të burrëri, burrëror, i zhburrëruar; derrni e derrnisht në vend të derrëri e derrërisht.
8) Emrat hemorragji e hemorriode, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, të shkruhen me -r-: hemoragji e hemoroide.
9) Të shkruhen me bashkëtingëlloren -rr- emrat karrotë e rrem, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm.
10) Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).
11) Forma e shumësit thelpinj i njëjësit thelb të shkruhet thelbinj për të ruajtur të pandryshuar temën e fjalës.
12) Forma e shumësit shpesë të shkruhet shpezë, meqenëse këtu kemi të bëjmë me prapashtesën e shumësit -zë (khs. njerëz, vëllezër).
13) Fjalët transit e transistor të shkruhen tranzit e tranzistor, ashtu siç shkruhen edhe tranzicion e tranzitor.
14) Për shkronjat dyshe, duke iu përmbajtur zgjidhjes që i dha Kongresi i Drejtshkrimit (djegie, meshollë, brezhumbur, lënie), për raste të veçanta, atëherë kur duhet të shkruhet me saktësi shqiptimi i një fjale të huaj, krahas shkrimit të saj në gjuhë të huaj, të pëdoret apostrofi për të ndarë shkronja të tilla; si: Bethoven (“Bet’hoven”), Mathausen (“Mat’hauzen”), sandhi (“sand’hi”). Pa apostrofin nuk do të siguronim lexim korrekt të fjalëve.
15) Në disa huazime turke, që janë lënë me dy forma në veprat kodifikuese, të pëlqehet forma më e përgjithësuar, ajo me theks parafundor, si: penxhére e jo penxheré, tenxhére e jo tenxheré (Fjalor 2006, f. 771, 1083).
C – PËR PËRDORIMIN E SHKRONJAVE TË MËDHA
1) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës fetare dhe të disa ofiqeve: Zot, Perëndi, Allah; Perandori, Sulltani, Papa; Baba Faja, Hoxha Tahsini, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, Kont Urani, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj.; Ali Pasha (Ali Pashë Tepelena), Mehmet Pasha (Mehmet Pashë Bushati), Mustafa Pasha (Mustafa Pashë Bushati) etj.
2) Të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e festave fetare: Bajrami, Pashkët, Krishtlindjet etj.
3) Të shkruhen me shkronjë të madhe të dy pjesët e emërtimeve të titujve të nderit: Artist i Merituar, Mësues i Merituar, Mjeshtër i Sportit etj.
Ç – PËR DREJTSHKRIMIN E ANTROPONONIMEVE TË HUAJA
Gjuha shqipe është gjuhë flektive, prandaj edhe emrat e huaj duhet të hyjnë në sistemin flektiv, duke u ndarë me një vizë lidhëse (Jokl-i). Për emra shumë të njohur, kur jepen me shkronjat e shqipes, mund të mos përdoret viza lidhëse, por është i detyrueshëm përdorimi i mbaresave sipas sistemit lakimor të gjuhës shqipe; p.sh.: Shekspiri, Shileri etj. Në drejtshkrimin e këtyre emrave të ruhet trajta e shkruar origjinale dhe herën e parë të përmendjes në një punim të jepet në kllapa transkriptimi, p.sh.: Meyer (Majer).
Shënim: U lanë për t’u diskutuar për mbledhjen e qershorit problemet e mëposhtme:
1) Emrat e tipit vishnje, dushnje, ilnje.
2) Drejtshkrimi i toponimeve dhe etnikave.
*Disa propozime të tjera të grupit për drejtshkrimin e drejtshqiptimin nuk u mbështetën me miratim të përgjithshëm në KNGJSH.
Nga Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe
Tiranë, 19 prill 2013