GJUHA E ZEMRËS – Nënë Tereza shqiptare –

0
55

Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtutin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi.

Nga KOLEC TRABOINI

Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtut që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur. Të gjithë udhetarët e botës që kanë kaluar nëpër Iliri-Arbëri-Shqipëri( ku hyn Shqipëria, Kosova, gjysma e Maqedonisë, Çamëria, trojet shqiptare në Mal të Zi, ( kujtoni Bajronin, Pukevilin, Edith Durhamin, Ipen e plot të tjerë), kanë vënë re pikërisht këtë tipar,bujarinë shqiptare, tipar që tek Nënë Tereza jonë u trashëgua e mori permasat universale të gjenialitetit. Tanimë ky virtut, si dinjitet e simbol, i përket gjithë njërëzimit por kurrë pa ju mohuar origjinës, Shqipërisë e shqiptarëve.

Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit, në mënyrën më të devotëshme se kurrkush tjetër, virtutin që e kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me vepren e saj humane si asnjë tjetër, i lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, pikërisht atëherë kur ky popull ishte poshtruar e rronte si skllav nën zgjedhen e djajve të kuq të ferrit komunist. Edhe ky moment duhet vlerësuar sepse shumë kush aso kohe mendonte se Shqipëria kish njollën e zezë të diktaturës mizore, ndaj dhe ish lënë në harresë e përbuzje prej qarqeve që vendosnin ekuilibrin e kësaj bote.

Është në dinjitetin tonë kombëtar, historik, që ajo kur po merrte çmimin Nobel për Paqe, tha tekstualisht “nga gjaku jam shqiptare”. A ka dëshmi më të madhërishme dashurie se sa kur e shpall faqe botës me krenari të qenit me gjak shqiptar, e pikërisht atëhere kur Shqipëria ishte e deklaruar si sinonimi i dhunës e diktatures me të tmerrshme në Europë.

Në momentin solemn e kujtoi popullin e Atdheun e vet faqe gjithe njerezimit. E kjo nuk është pak. Për një popull të vogël e të nëpëkëmbur në histori si i yni, është shumë, është më se e mjaftueshme për t’a ngritur Nënë Terezen në peidestalin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar.

Kapur pas rrfanës se ajo nuk e dinte aq mirë gjuhën shqipe, disa pasionantë interneti, përpiqen t’a mohojnë tërësisht, mirëpo harrojne këta zotërinjë se më se shumti nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, por e verteta që thua, nuk kanë fort rëndësi fjalët që thotë goja para dashurisë që mban zemra…

Ka shumë shqiptarë në botë që e kanë harruar gjuhën shqipe, por në zemër kanë Shqiperinë. Ne nuk mund t’ua shkoqim nga zemra e tyre dashurinë vetëm me shkakun se nuk dinë të flasin shqip sepse ata flasin me gjuhën e zemrës.

Dhe një gjë mos e harrojnë ata që duan t’a shohin historinë ndryshe nga se ka qenë në të vertetë, apo duan t’a modifikojnë atë për hir të interesave të kohës, se turqit e historisë ( e jo të sotmit) dihet mirëfilli se i digjnin shqiptarët të gjallë po t’i zinin tek shkruanin gjuhën shqipe, madje nuk kanë qënë aspak më të mirë se grekët, që vranë shejtorin e shqiptarizmës Papa Kristo Negovanin, të cilin edhe sot e kësaj dite greku i zi Janullatos dhe puthadoret e tij antishqiptarë e mohojnë.

Po të përmendje Gjergj Kastriotin, në kohen e sundimit të sulltanëve të egër të Stambollit, jeniçerët të fshinin nga faqja e dheut, por populli Skenderbeun e mbajti në zemër nëpër shekuj robërie, dhune, gjaku e tmerresh…paçka se me gjuhë të ndaluar. Ja pra çfarë force madhështore ka gjuha e zemrës.

Gjuhën mund t’a ndalosh të flasë por zemrën nuk mund t’a ndalosh të rrahë për mëmedheun sa kohë që njeriu është gjallë dhe ka dashuri për atdheun e vet. Atëherë pra, si mund t’i mohohej Nënë Terezës dashuria për Atdheun e vet, si mund t’i mohohej asaj dashuria për nënën që e kishte lindur, për babain Kol Bojaxhiun që ja kishin helmuar pushtuesit serbë, për motrën që i vdiq në Tiranë (diku pranë Pazarit të Çamëve) e që të gjithë flisnin vetëm shqip, gjuhën e Shqipërisë e të shqiptareve.

A thua për këtë e ndaloi Enver Hoxha që të takonte nënën e motren e vet në Tiranë, se e hante meraku diktatorin se nuk do të mund të merreshin vesh në gjuhën shqipe? Jo për atë zot, nuk ish ky shkaku i mohimit të diktaturës, nuk është ky shkak i vertetë as dhe sot, prej disa që vazhdojnë ta mohojnë me të njejtin pasion të eger, sepse: Dashuria para së gjithash është në zemër e jo në fjalë!

Kurrë mos harrojmë ta lexojmë e ta rilexojmë thirrjen Nënë Terezës, drithërimen nga thellësia e shpirtit drejtuar shqiptarëve në vitin 1997, kur shteti po shkërmoqej si një grusht rërë, populli po vuante e rinia po vritej, varret shumoheshin si brenga në tuallin arbëror. Në atë letër ka dashuri në përmasat e gjenialitetit të saj. Ajo në atë letër është shqiptare në çdo qelizë në çdo frymëmarrje. Ajo në atë letër është më shqiptare se çdokush tjeter ne këtë dhè e, ku e ku në krahasim me ata që, ani pse e flasin gjuhën shqipe, shpesh herë e përdorin atdhetarinë si medalion.

Populli ynë ende ka nevojë për figura të mëdha të ndritura që e lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve faqe botës, sepse ata shtojnë admirimin, shtojnë miqtë e përkrahsit e shqiptarëve, çfarë deri në fillim të këtij shekulli më së shumti na kish munguar. Dhe të mos harrojmë se nuk është e lehtë ti lindësh botës të tillë personalitete që nderohen nga mbarë njerëzimi, tej e përtej religjionit, sepse tipari thelmelor i saj ka qënë humanizmi, përkushtimi për mbarë njerëzimin.

Fundja duhet t’a dimë, e në mos e ditshim ta mësojmë ( ani pse tejet të vonuar në këtë mësim), se gjuha shqipe para së gjithash duhet të jetë dashuri…e dashuria është gjuhe e përbotëshme që i tejkalon të gjithe kufijte me të cilët historia deri më tash mjaft keq i ka ndarë e përçarë popujt.Shqiptarët kryekreje. E së fundi, fjala para se të dale nga goja duhet të kalojë nga zemra. Vetëm atëhere ajo është e vertetë si drita e diellit, një e vertetë që gjen strehë ndër zemra të tjera, siç gjenin strehë tek njerëzit, popujt e kombet e tjerë, fjalët e Nënë Terezes, Nënë Terezes sonë me gjak e zemër shqiptare.