Gjuha e “Familjes”

0
27

Mero Baze

Nga Mero Baze

Dje në mesditë Rrahman Selmanllari shpërndau një deklaratë për shtyp, ku, siç bën rëndom, përpiqet të përgënjeshtrojë fakte, por i ngatërron dhe më keq punët. Përpiqej të thoshte se e ka blerë tokën në Orikum konform rregullave, te një pronar i ligjshëm. Në të vërtetë, vetëm pak minuta më vonë media i provoi që nuk e ka blerë te një pronar i ligjshëm, por e ka parablerë me shkëmbim në natyrë tek ata pronarë që nuk e merrnin dot atë pronë pa pasur “ortak” Rrahmanin. Kontrata noteriale e vërteton qartazi që Selmanllari gënjen, siç ka bërë, sa herë që i ka dalë emri në skenë, që nga Gërdeci deri sot.

Por ajo që më bëri shumë përshtypje te gjuha e deklaratës së tij, ishte fjalori i “Familjes” ose më mirë të themi i babait të “Familjes”, Sali Berisha. Në gojën e Rrahmanit, një njeri që djersin më shumë kur shkruan një faqe se sa kur ngre një pallat, ishin vënë shprehje të tilla si “mediet e blera nga opozita” apo “pronarë mediesh që i shërbejnë opozitës”… Jemi shumë familjarë me këtë fjalor që e përdor rregullisht Sali Berisha. Jemi shumë familjarë dhe me afërsinë e tij me shumicën e pronarëve të medies shqiptare, të cilët janë kthyer sot në pronarë të pushtetit të Sali Berishës. Por që kjo gjuhë t’i vishej Rrahmanit, ishte e tepërt.

Rrahman Selmanllari është një djalë modest nga natyra. Ai ka disa virtyte të zakonshme që i kanë shumica e njerëzve që duan të përdorin pushtetin. Njeh Kodin e Heshtjes, që Familja e ka Kushtetutë të sajën. Njeh nderin dhe është gati të përdoret për të shërbyer. Për kaq i është dashur dhe të birit të Sali Berishës. Kjo që Rrahmani të flasë dhe si Sali Berisha është tepër. Është tepër, pasi nuk ia vlen që tani, sa herë të zëmë në gojë ndonjë dallavere, pas së cilës shfaqet Rrahmani dhe që ne nënkuptojmë Shkëlzenin, të marrim përgjigje të tilla të shkruara me fjalorin e Sali Berishës, si Babai i Familjes që kujdeset për çdo djalë të tij dhe ushtar të tyre.

Po dje në mesditë unë pata në redaksi një grup pronarësh të vjetër të Orikumit, me letra pronësie që dëshmojnë për aq sa unë kuptoj pronësinë e tyre mbi tokën në Orikum. Ata po ashtu më thanë të bindur se familja Sinanaliaj ka pasur të drejta pronësie mbi atë tokë që ka marrë, ku është bërë ortak dhe Rrahmani. Problemi është se banorët e Dukatit që mbërritën dje në zyrat e mia, nuk kanë mundur ta marrin tokën e tyre, pasi ata nuk kanë ditur të bëjnë “kontrata paraprake” për t’i dhënë 10 për qind pa u kthyer toka Rrahmanit apo dikujt si Rrahmani. Ky është problemi që nuk sqaron dot “Babai i Familjes” në deklaratat e tij shkruar për Rrahmanin. Ky është dhe degradimi i shtetit, i cili po përdoret nga pushteti politik për interesa fare personale.

Prej janarit e deri tani kemi së paku tri raste shumë pikante, që tronditin themelet e shtetit. Në Kakome, në muajin janar, forca speciale nga Tirana me maska dhe autoblinda, me antitank dhe napalm, “pushtuan” Kakomenë, sikur aty të ishte strehuar Bin Ladeni. Asgjë nuk kishte ndodhur, por një zaptues nga Tirana, pa asnjë leje dhe pa asnjë dokument, i përzierë me “Familjen”, donte të rrethonte dhe rrethoi vendin. Shteti burgosi kryetarin e Policisë Ndërtimore të komunës, pse donte të ndalonte një ndërtim pa leje që po vazhdon, ndërsa banorët dhe komuna u trajtuan si armiq të Familjes. Vetëm një telefonatë e një njeriu që flet në emër të Sali Berishës mund të çojë policinë nga Tirana në Kakome për t’i shërbyer interesave të njerëzve jolegjitimë.

Rasti i dytë ishte Orikumi. Një telefonatë e Rrahmanit ka çuar policinë nga Tirana në Orikum duke u bërë qesharakë, pasi në një anë arrestonin protestues dhe në anën tjetër ndihmonin ndërtuesit të rrethonin pronën dhe të fillonin punën.

Rasti i tretë dhe më degradues ishte dje në mbrëmje në qendër të Tiranës. Pushteti i Familjes, në shenjë hakmarrjeje ndaj një pronari legjitim toke në qendër të Tiranës, rrethoi vendin me policë dhe situata degradoi në konflikt mes Policisë Bashkiake dhe asaj të Rendit. Policët e Rendit ishin aty pa ditur kë mbronin dhe pse ta mbronin. Ishte thjesht një urdhër privat që i kishte nxjerrë ata në betejë për tekat e Familjes.

Unë pres sot të dëgjoj një deklaratë tjetër, jo nga Rrahmani, por ndoshta nga Lulzim Basha, por që të ketë fjalor të njëjtë si ajo e Rrahmanit, ku ne gazetarët, që ngremë zërin, të akuzohemi se mbrojmë interesat e pronarëve dhe të opozitës. Është një gjuhë e njohur tashmë si gjuhë e “Familjes” ndaj kujtdo që guxon të ngrejë gishtin dhe të tregojë plagët që ajo po i hap shoqërisë në këtë vend. S’ka rëndësi në gojë të kujt vihet ajo gjuhë, në emër të Lulit, Rrahmanit apo Rezart Taçit. Ajo është unike dhe na kujton të gjithëve Sali Berishën.