Kulturë
NGA FATMIR TERZIU
LONDER- Gjon Mili zbulohet nëpërmjet gazetës britanike “The Independent” si një nga mjeshtrit e fotografisë. Gazeta në fjalë citon se fotografi shqiptar, i njohur si një fotograf i baletit dhe xhazit, ka përdorur metodën e ndriçimeve dramatike për të arritur nivel, cilësi dhe kualitet të lartë imazhi. Fotografi shqiptar, sipas këtij burimi thuhet se ka qenë një i papërsëritshëm i përdorimeve të begraundeve të zeza. Kështu ai mbetet një nga fotografët më në zë të periudhës në të cilën ka shkëlqyer edhe fotografi i mirënjohur amerikan W. Eugene Smith. Nëpërmjet këtij të fundit dhe fotografit shqiptar, Gjon Mili, mësohet se ka mësuar profesionin e fotografit dhe ka ushtruar stilin e tyre edhe një nga emrat e mirënjohur të fotografisë amerikane dhe angleze, Denis Stock.
Ai ka treguar kohë më parë se ishin pikërisht këta dy mjeshtra të fotografisë, që e kanë bërë atë me emër në këtë profesion. Denis Stock, që ka ndërruar jetë para disa javësh në Sarasota të Floridas, ka qenë një fotograf i madh artistik i pavarur. Ai ka qenë i njohur gjithashtu në arenën artistike si njeriu që e bëri të pavdekshëm të madhin Louis Armstrong dhe artistin Denis Dean. Në një aspekt tjetër mësohet se stili i shqiptarit Mili ndikoi më tej në udhën e këtij fotografi që të shënonte frymëzime me emra të tillë si Louis Armstrong, Miles Davis, Lester Young, Duke Ellington, Earl Hines, Billie Holliday etj, duke i bërë të përjetshëm.
Rreth këtij fotografi shqiptar, jetës dhe veprës së Gjon Milit, ka shkruar dhe analizuar studiuesi shqiptar i fotografisë, Qerim Vrioni. Sipas gjetjeve dhe hulumtimeve të Vrionit gjejmë pikërisht këtë lidhje, se Stock ishte nxënës i Milit për gati katër vjet. Vrioni shkruan për këtë në një nga esetë e tij kushtuar fotografit shqiptaro-amerikan: “Dennis Stock (1928), fotograf, ish-nxënës i Milit për katër vjet, shkruan për të: “Mësova gjerat thelbësore të të bërit të eses dhe disiplinës fotografike kur punova si ndihmës pranë fotografit të revistës “LIFE”, Gjon Mili. Ai kërkonte shumë, por ishte dhe bujar”.
(Cituar tek eseja e Vrionit).
Mediat
Më tej, gjithmonë sipas burimeve të medias britanike, mësojmë se Mili kishte edhe një veti tjetër që mbetej tek sinqeriteti dhe modestia e tij. Por këtë modesti e thyenin vlerësimet e profesionalistëve, të cilët janë renditur nga Vrioni në mënyrë të përsosur: “Susan Kismaric, studiuese e fotografisë në MOMA (Muzeu i Arteve Moderne, Nju Jork), e cila ka qenë ndihmëse e Milit në dy vite, thotë: “Gjon Mili ishte tërheqës dhe gjithë mister, i gjatë, i moshuar dhe hijerëndë. Zëri i tij i trashë dhe me theks ishte i jashtëzakonshëm dhe sugjestiv.
Përshtypja ime nga John Swarkovski (ish-drejtor i MOMA) ishte se ai mendonte se Gjon Mili kishte mendje të madhe dhe, që ndoshta, ai ishte më shumë një mendimtar se sa fotograf”. Kompozitori i madh, Igor Stravinski, në një letër e përmend Milin duke thënë: “…portretin tim të mrekullueshëm me ngjyra nga Gjon Mili”. Filozofi i njohur francez, Zhan Pol Sartr mendonte se e njihte mirë Milin dhe artin e tij dhe, nga ç’ka shkruar për të, japim vetëm fjalinë: “Për atë ka një pafundësi mënyrash të fotografuari, siç është pafundësia e gjerave që na rrethojnë”.
Martine Franck (1935-2006), fotografe franceze, bashkëshorte e Kartje-Breso, e cila ka punuar pranë Milit në Paris, shprehet: “Punova për të (Milin-shën.im) një seri fotosh që bëri ai për ndikimin e Romës së lashtë në Francën e Jugut. Ato nuk ishin thjeshtë shkrepje. Çdo gjë ishte ndriçuar dhe kompozuar shumë bukur”. Shpikësi i dritës stroboskopike, Harold Exherton, vë në dukje për Milin: “Ai njohu forcën e dritës strobe dhe për vite na udhëhoqi në këtë fushë në një rrugë me të vërtetë imagjinare. Mili na nxiti ne”. Studiuesja australiane e fotografisë, Sarah McDonald, më 2006-ën, shkruan për Milin ndër të tjera: “Ai nuk ishte shpikësi i flashit stroboskopik, por ai e bëri atë “të vetin”, duke zbuluar një botë të paparë deri atëherë”.
Fotografi
Ndërsa, John Loengard (dt.1934), studiues dhe fotograf, ish-koleg i Milit, shkruan edhe për Milin në një libër për fotografinë: “Ai ishte dinjitoz dhe krenar. Por, ai gjithashtu ndihmonte fotografët e rinj, talentin e të cilëve e admironte”, dhe në një letër vëren se “…kohët e fundit kur e shikuar kam punën e tij, ajo paraqitej si diçka për të bërë më të njohur punën e Exhertonit. Kjo ishte gabim”. Dramaturgu i shquar, Artur Miler, në librin autobiografik “Timebends”, dy faqe ia kushton Milit. Shkëpusim prej tij rreshtat: “Ai i adhuronte vallet folklorike dhe çdo javë shkonte poshtë Broduejit për të kërcyer bashkë më një tufë shqiptarësh të tjerë, shumica e të cilëve mezi i arrinin deri tek gjoksi”. Mili ishte specializuar si një inxhinier.
Gjon Mili arriti në Amerikë nga Shqipëria në vitin 1923 dhe filloi të punojë për “LIFE”. Ai më pas bashkëpunoi me profesor Harold Edgerton, babai i flash elektronikes, për të pionieruar fotografinë strobe. Në 1939-ën Mili lëvroi metodën lëvizje që filloi me të shpejtë, për të treguar mori imazhesh të shumta në një kuadër filmi të vetëm. Seria e tij më e famshme është cilësuar ajo e Picasso me dritë. Duke parë gjithë këto vlerësime dhe vlera që i bashkëngjiten këtij mjeshtri shqiptar të fotografisë, natyrshëm është koha që të rivlerësohet figura dhe vepra e tij edhe në institucionin shqiptar.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)