Gjithë “veprat patriotike” të Berishës, lidhen me shërbime ndaj Greqisë e Serbisë!

0
54

Nga Përparim Halili, 19 Maj 2012

Që prej ditës kur vetëshpalli “Vitin parapërgatitor të 100 vjetorit të Pavarësisë”, Sali Berisha po bën të gjitha përpjekjet private e zyrtare deri me pazare e lobime të fuqishme financiare, për të rifituar “titullin” e humbur si qytetar, shtetar e politikan “atdhetar patriot”. Shqiptarët e kanë etiketuar përfundimisht Sali Berishën si “anti-shqiptar”, për shkak se në këto 20 vite veprimtari politike e qeveriëse, ai ka projektuar, ka iniciuar, realizuar e “vulosur” një seri politikash e veprimesh anti-kombëtare, madje deri me akte copëtimesh territoriale të vendit. Duket qartë, që Sali Berisha po përpiqet të shfrytëzojë 100-vjetorin e krijimit të shtetit Shqiptar, si mundësinë e tij të fundit për heqjen e damkës “Anti-shqiptar”. Çdo përkujtim figurash të kombit, çdo përurim, koncert, ekspozitë, vizitë në diasporë e projekt përkujtimor, madje dhe koncerte fëmijësh me këngë patriotike, ai i “stampon” me logon e tij publike: “Nën përkujdesjen e kryeministrit Sali Berisha”. Një nga këto përpjekje artificiale me pamje komike, ishte “gatimi” dhe prezantimi i “defter” Abetares Mbarëshqiptare, të cilën e çoi për “bekim” deri në Kosovë, atje ku Berisha ka lënë shumë “gjurmë” aktesh anti-kombëtare.

Ndërsa me qylaf “patriotik” në kokë e me Abetare në dorë, foli për “atdhetarizmin shqiptar” duke paralajmëruar serbët “të mos guxojnë të prekin Kosovën”, vetëm 24 orë më pas, iu zbulua një “gjurmë” shërbimi pro-serb brenda ministrisë së Arsimit, të qeverisë që drejton d.v. Sali Berisha. Sipas KLSH rezulton, se ashtu si rrugët, energjinë, TEC-et e turizmin dhe “dixhitalizmin e famshëm” të shkollave shqiptare, “patrioti” Sali Berisha ia paska besuar firmave serbe “MpSoft Group” e “CT Computers”. Nuk po flasim për korrupsionin dhe falsitetin e punimeve të këtij investimi gjigand, që është toleruar, miratuar e paguar si “frëngu pulën” prej taksave të shqiptarëve në favor të “damir fazlliçëve” serbë. Nuk po themi, as se përse Berisha nuk e çoi “Abetaren Mbarkombëtare Shqiptare” dhe trojet shqiptare në Mal të Zi, në Maqedoni e Greqi, sepse e dimë qartë “PSE”-në e kësaj “pengese” të “patriotit” Sali Berisha. Por po citojmë vetëm atë që tha Berisha në Kosovë: “Abetarja është “vepra më e madhe patriotike e qeverisë që drejtoj unë”! Përherë kështu ka thënë e thotë Sali Berisha, kur i duhet të paraqitet “patriot dhe atdhetar i shquar”. Por nuk jep asnjë shpjegim, se përse të gjithë “veprat e tij patriotike” lidhen me shërbime të pista e anti-kombëtare, në favor të interesave kombëtare të Greqisë e Serbisë! Dhe nuk janë pak. Po kujtojmë disa fakte e “vepra e akte patriotizmi” fals dhe anti-shqiptarizmi real, të cilat kanë nismën, përpjekjet, realizmin dhe “vulën” e Sali Berishës.

– “VEPRA E PARË PATRIOTIKE”: Në vitin 1992, me fuqinë e pushtetit absolut si president i Republikës, Sali Berisha duke zbatuar në mënyrë anti-Kushtetuese ligjin komunist 7501, u dha në pronësi minoritarëve grekë truallin shqiptar në Jug të Shqipërisë, nën emërtimin “Ndarje dhe pronësim toke bujqësore” e cila tashmë zyrtarisht quhet “tokë greke”.

– “VEPRA E DYTË PATRIOTIKE”: Në vitin 1992, me fuqinë e pushtetit absolut si president i Republikës. Sali Berisha pas pazareve anti-shqiptare me Greqinë solli, pranoi dhe ligjëroi vendosjen e klerikut shovinist grek, anti-shqiptarin Janullatos në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.

– “VEPRA E TRETË PATRIOTIKE”: Në 15 shtator të vitit 1993, me pushtetin e plotfuqishëm si president Republike, Sali Berisha nënshkroi marrëveshjen kriminale me Milosheviçin, për furnizimin e Serbisë me karburante e armë, ndërkohë që Serbia kishte nisur dhe po vazhdonte përgjakshëm gjenocidin spastrues etnik të shqiptarëve në Kosovë, duke shkelur embargon e vendosur nga SHBA dhe ndërkombëtarët.

– “VEPRA E KATËRT PATRIOTIKE”: Me pushtetin e plotfuqishëm si president Republike, Sali Berisha zbatoi urdhrin e Milosheviçit për të zbuluar, kapur e asgjësuar drejtuesit e UÇK që kryenin veprimtari nga Shqipëria, duke e realizuar këtë “akt patriotik” nëpërmjet SHIK-ut.

– “VEPRA E PESTË PATRIOTIKE”: Sali Berisha pranoi dhe realizoi takimin me kryemafiozin kryeterrorist serb anti-shqiptarin Arkan dhe presidentin serb Slobodan Milosheviç, për të ndërtuar politika e veprimtari të përbashkëta unike, kundër pavarësisë së Kosovës dhe sabotimin e luftës çlirimtare të UÇK.

– “VEPRA E GJASHTË PATRIOTIKE”: I vetshpalluri “patriot” Sali Berisha, doli hapur publikisht kundër marrëveshjes së “Rambujesë” duke bërë deklarata në favor të genocidit, interesave e politikave anti-shqiptare serbe, ndërkohë që Kosovën e mbështetën gjithë aleatët ndërkombëtarë.

– “VEPRA E SHTATË PATRIOTIKE”: Kryeministri Sali Berisha, në emër të “patriotizmit” e “atdhetarizmit”, ia ka dhënë firmave serbe gjithë tenderat e blerjes, shitjes dhe transmetimit të energjisë elektrike.

– “VEPRA E TETË PATRIOTIKE”: Kryeministri “patriot” e “atdhetar” Sali Berisha, ka marrë vendim që gjithë sistemin e ndërtimit të TEC-ve, t’ia jap serbit anti-shqiptar Damir Fazlliç, duke nxjerr jashtë loje kompanitë investuese e ndërtuese shqiptare.

– “VEPRA E NËNTË PATRIOTIKE”: Me pushtetin e tij absolut si kryeministër, “patrioti” e “atdhetari” Sali Berisha emëroi serbin anti-shqiptar Damir Fazlliç, si anëtar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Shqiptare, me të drejtë të plotë për të marrë e kontrolluar çdo informacion mbi zhvillimet apo sekretet që lidhen me sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

– “VEPRA E DHJETË PATRIOTIKE”: Ende pa u kthyer në pushtet në vitin 2005, Sali Berisha me porosinë e shërbimeve sekrete serbe, futi në PD, në politikën shqiptare dhe në kupolën e qeverisë, eksponentin pro-serb Lulëzim Basha, i cili në bashkëveprim me shërbimet sekrete serbe, ka përgatitur sipas platformës serbe dosjet hetimore për arrestimin, burgosjen dhe vrasjen e 30 drejtuesve e luftëtarëve të UÇK.

– “VEPRA E NJËMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Më fuqinë e pushtetit absolut si kryeministër, “patrioti” dhe “atdhetari” Sali Berisha, ka 7 vjet që pengon futjen e prodhimeve kosovare në Shqipëri e ato shqiptare në Kosovë, ndërkohë që ka lënë të lirë tregun shqiptar për prodhimet serbe.

– “VEPRA E DYMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Kryeministri “patriot” e “atdhetar” Sali Berisha urdhëroi në 26 nëntor 2011, firmosjen e marrëveshjes me Rusinë, sipas të cilës Shqipëria përfshihet në “grupin” ruso-ballkanik të drejtuar nga Serbia, me objeksion kontrollin e zhvillimeve pavarësore në Kosovë, maskuar ky kontroll bllokues mbi Kosovën, nën dekorin fals të gjoja ”luftës rajonale kundër drogës”.

– “VEPRA E PESËMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Me misionin për t’i shërbyer Greqisë, kryeministri “patriot” e “atdhetar” Sali Berisha inskenoi fshehtas shqiptarëve dhe bëri ligj paktin anti-kombëtar, për t’u falur grekëve ujërat territoriale detare shqiptare.

– “VEPRA E GJASHTËDHJETË PATRIOTIKE”: Me misionin anti-shqiptar për të ç’kombëtarizuar shqiptarët, kryeministri “patriot” e “atdhetar” Sali Berisha inskenoi fshehtas shqiptarëve dhe bëri ligj regjistrimin e popullsisë shqiptare sipas kombësisë e fesë, për të legalizuar botërisht e kushtetueshmërisht shtimin fiktiv të popullsive të minoritetit grek, serb, maqedonas, rumunë, bullgarë, malazezë etj, etj, në Shqipëri, me objeksion kthimin e Shqipërisë në shtet multi-etnik.

– “VEPRA E SHTATËMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Me misionin anti-shqiptar për të shkatërruar vendin, kryeministri “patriot” e “atdhetar” Sali Berisha, në bashkëveprim me mafien italo-serbe, inskenoi dhe miratoi ligjin për kthimin e Shqipërisë në depozitë dhe superfabrikë përpunuese të plehrave të botës, duke bashkëpunar me gruet mafioze rajonale “CAMORRA” dhe NDRAGHETA” .

– “VEPRA E TETËMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Kryeministri Sali Berisha, në emër të “atdhetarizmit” e “patriotizmit” ndaj Shqipërisë e Kosovës, bllokoi projektin për ndërtimin e linjës 400-kilovoltëshe të interkonjeksionit energjitik Kosovë-Shqipëri, duke i dhënë Serbisë monopolin e tregut të energjisë në Kosovë e në rajon.

– “VEPRA E NËNTËMBËDHJETË PATRIOTIKE”: Kryeministri Sali Berisha, në emër të “atdhetarizmit e “patriotizmit” si shqiptar, u shiti ortakëve, miqve të tij që e mbajnë në pushtet dhe grupeve të huaja mafioze pasuritë kombëtare, nën politikën plaçkitëse “Shqipëria 1 euro”, duke i dhënë këto në formë koncensionesh e privatizimesh kriminale.

– “VEPRA E NJËZETË PATRIOTIKE”: Politikani e krye-qeveritari “patriot” e “atdhetar” shqiptar Sali Berisha, po vazhdon të zbatoj platformë qeverisëse dhe politika ekstra regresive, duke bllokuar dy herë Statusin e Shqipërisë si vend kandidat në BE, ndërkohë që shprehu kënaqësi të madhe dhe përshëndeti marrjen e këtij statusi prej Serbisë.