“GJITHË FRYMËZIMIN TIM E KAM PËR VENDLINDJEN, TOKËN SHQIPTARE…”

0
25

Bisedë me piktoren e talentuar Lule Bajraktari, emigrante në Suedi

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.-Kur po e nisim këtë bisedë, znj. Lule, sjell në kujtesë takimin e bukur tonin, në festën e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare dhe Revistës “Dituria”, në Boras të Suedisë, më14 prill 2012. Gjithashtu, ne patëm rastin të shiheshim edhe në Tiranë, në manifestimet e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, në nëntor 2012…Çfarë mbresash ruan nga ato takime të paharruara?

L. Bajraktari i dhuron një pikturë, albanologut suedez, U. Kvik
(Boras-Suedi, 14 prill 2012 – Foto nga: M.Gecaj)

– Takimi, që patëm ne Boros te Suedisë, ishte i paharruar. Aty u njoha nga afër me vëllezërit e motat e mia shqiptare. Po kështu, takimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, si në Kosovë e Shqipëri, ishin mjaft mbresëlënëse dhe të paharruara. Mua m’u duk se ato ditë isha në ëndërr, pra se po ëndërroja dhe kam qajtë nga gëzimi. Veçanërisht, më ka mbetur i pashlyer në kujtesë takimi ato ditë, në zyrën e tij në Tiranë, me Kryeministrin e Shqipërisë, dr.prof. Sali Berisha. Atë ngjarje nuk do ta harroj, sa të jem gjallë.

Unë jam rritur në një familje atdhetare, ku është folur vetëm për Nënën Shqipëri. Ja, sa bukur, edhe ëndrrat po u bëkan realitet! Vendosa ta kem ato ditë veshjen e Rrafshit të Dukagjinit, pra të Isniqit legjendar, të Isa Boletinit, se unë i përkas atij fisi, Shalë, kusheri me Isa Boletinin. Ashtu, shkova në 100 -vjetorin e Pavarësisë, deri në Vlorën legjendare të Ismail Qemalit. Faleminderit Zotit dhe udhëheqësve tanë, si Ibrahim Rugova e Sali Berisha dhe Ushtrisë së lavdishme të UCK-së, ku ishte komandant i Brigadës 133, vëllai im, Bujar Bajraktari, që na u bë e mundshme të takohemi dhe të festojmë së bashku!

Ismail Qemali e Isa Boletini, bashkë, përkrah Flamurit Kombëtar Shqiptar
(pikturë nga Lule Bajraktari)

2.-Jeton e punon në qytetin Ljungby të Suedisë, por vendlindje ke Kosovën. Lutem, na trego diçka më shumë për prejardhjen tënde, shkollimin etj. Kur u largove nga vendlindja dhe përse?

– Po, jetoj në Suedi që prej 23 vjetësh. Largimi nga Dardania/ Kosova ishte për shkak të regjmit pushtues serb. Siç dihet, i merrnin djemtë e rinj dhe i dergonin në luftë, në Kroaci. Bashkëshorti im ishte i vetmi djalë në familjen e tij. Në këto kushte të vështira, me dhimbje të madhe në zedmër, ne morëm vendimin që të largoheshim. Shkova të përshendetesha me babin tim. Ai m’u drejtua shumë i pezmatuar dhe i mallëngjyer: “Lule, bijë, mos u largo nga vendlindja jote. Pra, dëshira jonë është të qendrosh këtu.

Por, nëqoftëse do të jetosh larg Kosovës, kurrë mos e harro popullin as vendin tënd, ku linde e u rrite. Dhe, kur të krijohet mundësia, mos e kurse ndihmën tënde…”. U përshëndetëm me lotë në sy dhe tërë rrugen qava, sa shpirti dhe zemra ma dinin. Vajza ime, Gentiana ishte 2 vjeçe dhe më pyeste parreshtur: “Pse po qan, moj mami?” e mundohej të m’i fshinte lotët. Ndërsa ato vijonin të rridhnin papushim dhe unë i përgjigjesha, se po më dhimbte koka!?…

Ja, si pa u kuptuar, kaluan 23 vjet nga ajo kohë. Tani Gentjana ime është sociologe dhe e kujton me dhimbje të madhe atë periudhë të jetës së saj…Por asnjë ditë nuk shkon, pa menduar edhe unë për Kosovën e popullin tim, për Shqipërinë time të dashur. Kur u vendosëm në Suedi, mbarova gjimnazin dhe kurset e nevojshme për gjuhën vendëse. GJithashtu, studiova për pikturën, duk u njohur kështu me këtë degë të bukur të artit dhe me artistët më të shquar, nga ky shtet e më gjerë.

3.-Si arritët të përshtateshit, familjarisht, me jetën në një vendi nordik? Po bashkëpunimin me Komunitetin Shqiptar, si e mban?

– Në Suedi, ne u përshtatëm shpejt e mirë dhe ndihemi rehat. Më pëlqen kultura suedeze, e cila është në nivel mjaft të lartë. Këtu linda dy djem, Granit e Arbenit Bajraktarin (Marmullaku), të cilët e vijojnë shkollën dhe i dua sa jetën time. Jam e kënaqur, se komunitetin shqiptar e kemi të mirë dhe bashkëpunojmë e punojmë së bashku, në disa fusha. Jemi të tubuar në Shoqatën e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqëiptarë. Pra, kryesorja në lidhjet tona, është ajo e shkrimeve e botimeve dhe krijimtarisë e veprimtarive kulturore-artistike, gjithnjë me theks të posaçëm atdhetar. Për këtë gjë, kemi gjetur edhe përkrahjen e ndihmën e pakursyer të miqëve tanë të shumtë suedezë, të cilëve u jemi shumë mirënjohës.

4.-Lidhur me pyetjen e parë…Më kujtohet se, në festën e Borasit, ti i dhurove albanologut të njohur dhe mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik, një pikturë, ku isin dy lule të bukura…Kur u lindi dëshira ose pasioni për të pikturuar? Pastaj, pse i ke lulet në qendër të vizatimeve tua, apo pse vetë mban një emër të tillë? (ha,ha)

– Po, në Boras i dhurova një pikturë, albanologut Ullmar Kvik, mik i shqiptarëve. Ajo kishte një lulekuqe të Dardanisë/Kosovës dhe një lule te Suedisë, blåsipa. Unë e kam pyetur, në fb, bacën Ullmar Kvik, se cila lule i pëlqen më së shumti. Ai m’u përgjigj se kisha bërë një gërshetim të bukur, ndërmjet lules së Dardanisë dhe asaj të Suedisë. Pra, piktura ishte si një urë lidhëse, suedeze-shqiptare. Mendimi i shprehur nga baca Ullmar ishte një falënderim tjetër i tij për ne, për çështjen shqiptare. Prandaj nuk do ta harroj asnjëherë. Më kujtohet se babi im më porosiste shpesh: “Bija ime, një njeri, që të bën mirë ty ose vendit tënd, edhe nëse nuk mundesh t’ia kthesh dot aty për aty, mos ia harro kurrë. Se, kështu, i respekton njerëzit, që ke të bësh me ta…”.

Si më lindi pasioni për pikturën, për lulet? Mami im ka qenë një dizajnere e njohur, në Kosovë. Ajo ka qepë veshje kombëtare, ka vizatur lule. Kështu, nga kjo, jam ndikuar shumë dhe, këtë punën artistike, e kam trashëguar nga mami im i shtrenjtë. Kur pikturoj, më duket se i harroj të gjitha problemet, më ngjan sikur jam në mesin e luleve, sikur ua ndiej erën dhe i preki ato me dorë. Në procesin e krijimit të një vizatimi ose pikture, ndihem e relaksuar dhe i harroj tëra çështjet e shqetësimet, që mund të kem.

Malësorja me xhubletë (pikturë, nga Lule Bajraktari)

5.-Çdo artist dëshiron të flasë për arritjet e veta…Pra, po ti, çfarë mund të tregosh për pikturat tua? Sa është numri i tyre dhe ku janë ato tani? Po ekspozita, a ke hapur ose a ke ndonjë album me to?
-Gjithë frymëzimin tim e kam për vendlindjen, tokën shqiptare…Piktura të mijat janë gjithësej 200 copa. Kam hapur shumë ekspozita, këtu në Suedi. Ndërsa kam oferta për të hapur ekspozita të tilla në shtete të ndryshme, si në Francë, Itali, Zvicer dhe, sigurisht, në Kosovë. Kam hapur bloogun tim në Internet, ku janë pikturat e mia në fb. Nuk kam ndonjë album, të botuar me pikturat e mia. Por ato i ruaj me kujdes, në shtëpi. Shtoj këtu se, 6 piktura origjinale, i kam dhuruar për 100-vjetorin e Pavarësisë, në Kosovë, në Katedralen e Nënës Terezë, në Prishtinë. Ato ia kam dhuruar Don Lush Gjergjit dhe të gjitha do të ripodhohen, në shumë kopje, që të shiten dhe pastaj të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për atë Katedrale, kushtuar shenjtores sonë të madhe.

Piktura origjinale i kam dhuruar edhe historianit Jusuf Buxhovi. Shprehi një falënderim të veçantë për këtë studiues të shquar, i cili na e pasuroi bibliotekën tonë shqiptare, me mjaft libra të çmuar. Për mua, ato kanë vlerë më shumë se diamantet e tërë botës. Kështu do ta mësojnë fëmijët tanë, se edhe J.Buxhovi shkroi libra me shumë vlera atdhetare. Shpresoj që, njëra nga këto piktura të mijat, të varet edhe në muret e muzeve tanë, në Tiranë ose Prishtinë.

6.-Në një lidhje përmes “Facebook”-ut, këto ditë, më tregove se je duke punuar, me ngulm, në pikturën me portretin e një malësoreje, veshur me kostumin popullor të Veriut të Shqipërisë…A mund të më flasësh diçka për qëllimin dhe në cilën veprimtari do të marrësh pjesë me të?
-Po, është e saktë që kemi biseduar për pikturën time më të fundit, që është xhubleta e Malësisë së Shkodrës, pasi edhe familja ime i ka rrënjët prej andej. Në këtë pikturë është portreti im, kur kam qenë e re, ndërsa tani jam e moshuar (ha-ha-ha). Aty kam paraqitur një femër malësore, e cila ka veshur një xhubletë të bukur. Ajo ka pamje burrërore, krenare e trimëreshë. Dihet se xhubleta është një veshje shumë e lashtë. Me punime të tilla i dëshmojmë botës, se jemi populli më i vjetër e më i bukuri në rajon!

7.-Ndoshta, është pyetje e rëndomtë, por dëshirojmë të dimë edhe për planet tua krijuese, në të ardhmen. Pra, cili është synimi yt kryesor?
– Planet e mia për të ardhmen janë që të vazhdoj të punoj dhe sa më shumë e me cilësi të lartë. Se kështu jam e bindur që do ta jap sadopak ndihmesën modeste për vendin tim, për të cilin jam shumë krenare. Kam një projekt për piktura, të ardhurat nga të cilat do t’i jap në ndihmë të fëmijëve të varfër, në Shqipëri e Kosovë. Për këtë gjë, jam në bashkëpunim me kishën, këtu në Suedi. Paratë, që do të mblidhen, do të dërgohen atje. Në planet e punimeve të mia janë edhe 6 piktura, dhuratë për Suedinë, për fondet kundër kancerit të gjirit. Është ky një falenderim i yni, që populli suedez na u gjend pranë në ditë të vështira dhe gjetëm strehë të sigurtë dhe ndihmë nga ai, që në vitin 1991. Në këtë mënyrë, do t’u flasim të tjerëve për virtytet tona të çmuara.

 Lulja (veshur me kostum kombëtar), bashkë me anëtarë të SHSHAK-Suedi,
para shtatores së Hasan Prishtinës (Tiranë, 29 nëntor 2012)

Babai im ka qenë një veprimtar i njohur i pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Prandaj një picture, me këtë tematikë, ia kam kushtuar edhe plagës së dhimbshme të gjakmarrjes dhe familjeve të ngujuara prej saj. Shpresoj që ajo të vlerësohet dhe të ardhurat do t’u jepen ndihmë familjeve të tilla. Më dhembin zemra e shpirti dhe uroj e shpresoj që kjo plagë e mallkuar të mbyllet dhe shërohet sa më shpejt, njëherë e përgjithmonë!

8.- Kur shpreson ose parashikon t’i vizitosh, përsëri, Shqipërinë e Kosovën?
– Siç është bërë e ditur nga kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, në Suedi, “Papa Klementi XI-Albani”, së shpejti do ta vizitojmë Shqipërinë. Në fundin e muajit tetor 2013, në Tiranë e në Durrës, do të bëhet përurimi i dy librave voluminozë, “Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare, në Suedi (Nr.1 e Nr.2): Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Shpresoj të takohemi përsëri bashkë aty dhe kjo do të jetë një kënaqësi tjetër, për të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari. Gjithashtu, sigurisht, kur të më paraqitet rasti më i parë, do të shkoj edhe në vendlindjen time, në Kosovën e dashur…

9.-Gjithashtu, a do të shtosh ndonjë gjë tjetër, në mbyllje të kësaj bisede, për të cilën të falënderojmë nga zemra dhe të urojmë gjitha të mirat, në krijimtari dhe në jetën familjare?
– E falënderoj Zotin, që na dha munësinë të takohemi e të njihemi dhe të vijmë në vendin e në tokën tonë të shenjtë dhe të përbashkët, Nënës Shqipëri. Dikur e kishim vetëm shpresë e ëndërr këtë gjë. Por ja, tani u bë realitet i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen. Ju shprehi mirënjohjen time, për këtë bisedë të ngrohtë tonën, si vëllai im i një gjaku dhe i një gjuhe, profesor Murat Gecaj!

Më 20 shtator 2013