Gjinushi: Çdo pakt me Saliun është një autogol për opozitën

0
44

Skerdilajd Zaimi, 31.08.2011

Intervistë

Flet kreu i PSD: Jo rikthim në Kuvend, por zgjedhje të reja

Dilema e veprimit opozitar, sipas socialdemokratit Skënder Gjinushi, është më shumë dëshmi e çorientimit sesa realitetit të ndërlikuar. Pakti i integrimit dhe të tjera përqasje që synojnë bashkëpunimin janë “autogol”, sepse pas rreth 5 vjetësh qeveria e Sali Berishës tregon se nuk mundet të korrigjohet dhe se është bartëse dhe ligjëruese e së keqes. Rezistencë opozitare popullore dhe zgjedhje nga një qeveri e paanshme; këto janë, sipas tij, dy pikat më të rëndësishme të asaj që duhet të ishte platforma opozitare.

Z. Gjinushi, së fundmi edhe nga diplomatë të huaj, është përforcuar ideja e një pakti për integrimin. Si e gjykoni ju këtë lëvizje, që duket se miratohet deri diku edhe nga PS-ja?

Shqipërisë nuk i mungon pakti për integrim, sepse ka një vullnet dhe pakt mbarëkombëtar që frymëzon çdo gjë që shkon në drejtim të integrimit europian, ka një marrëveshje të Stabilizim-Asociimit, që është më shumë sesa një pakt, është një detyrim që ka Shqipëria për të plotësuar standarde e kriteret dhe janë edhe 12 rekomandimet e BE-së që kanë 1 vit që rrinë mbi tavolinë. Klasës politike i takonte që t’i zbatonte ato dhe kjo është detyrë e qeverisë, vetëm e qeverisë. Dështimet e saj ajo po kërkon që gjoja t’i mbulojë me pakte, nënpakte, dialog të rremë, sepse sot janë bindur të gjithë se kjo qeveri ka vetëm vullnetin negativ për të mos i zbatuar këto rekomandime. Shqipëria është i vetmi vend që dështoi në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe i vetmi që i refuzohet të kandidojë për anëtarësimin në BE. Kjo nuk është një prapambetje e trashëguar, sepse e vërteta është që në 2005-n Shqipëria ishte më para se rajoni në drejtim të integrimit, veçanërisht në krahasim me Serbinë dhe Malin e Zi; tani është më mbrapa, e fundit në rajon, për shkak të vullnetit negativ, shkeljeve, korrupsionit, vjedhjes së votës dhe vrasjes së qytetarëve të bëra nga kjo qeveri. Pas dështimit të 2009-ës ne humbëm edhe një vit tjetër kohë me këtë qeveri. Unë nuk di asnjë përvojë ku pasi dështon qeveria në integrimin dhe qeverisjen e vendit, pasi ajo diskretitohet, përsëri i bëhet thirrje për pakte dhe dialog formal. Për më tepër opozita s’mund të bëhet mbulesë për dështimet e qeverisë. Opozita nuk mëson qeverinë të qeverisë; ajo është alternativa që e zëvendëson kur qeveria dështon. Ne p.sh. bëhemi qesharakë, kur Parlamenti shqiptar bën rezolutë për të plotësuar detyrimet ndaj BE-së për integrimin në BE. Parlamenti shqiptar nuk ka detyrë të bëjë rezoluta, ku i bën thirrje vetes që të integrojë Shqipërinë. PE-ja i bën thirrje Shqipërisë, por kjo parodi ndodh sepse ne duam të mbulojmë dështimet. E vërteta është një: me këtë qeveri Shqipëria nuk shkon dot drejt BE-së, drejt plotësimit të standardeve, 12 rekomandimet janë zbatuar në të kundërt. Dhe kryerekomandimi është garantimi i zgjedhjeve me standarde. Qeveria tregoi jo vetëm nuk i plotëson standardet, por i dhunon ato.

Ju mendoni se me këtë qasje opozita po bëhet palë dhe po tërhiqet?

Absolutisht po. Ka një ndryshim të madh në koncept dhe ky duhet kuptuar mirë: opozita është zëvendësuesja e qeverisë, nuk është zëvendësja e saj. Te ne opozitën e trajtojnë sikur është zëvendëse, që merr detyra nga qeveria dhe kur dështon shefi ia ngarkon vartësit përgjegjësinë, që në këtë rast është opozita. Kjo praktikë përkon me psikologjinë e shqiptarit, se prijësi nuk gabon kurrë, pra shoku Sali, dhe fajin e kanë të tjerët. Dhe fatkeqësisht një pjesë kërkojnë të ndajnë dështimin e qeverisë me opozitën! Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dështime që vijnë nga paaftësia; qeveria ka edhe veprime që janë haptazi të qëllimshme e antidemokratike, si vrasja e qytetarëve, shtypja e protestave me armë, vjedhja e pasurive kombëtare, vjedhja e votës, konflikti ndërinstitucional, gjuha skandaloze e Kryeministrit në adresë të tyre – këto nuk janë dështime, por ligjërim i së keqes në qeverisjen e Shqipërisë, faliment i një shoqërie. Një qeveri të tillë e mban në krye një shoqëri që ka humbur për vete moralin, ose ka humbur forcën për të reaguar edhe një opozitë që nuk di rolin e vet apo nuk ka kurajo ta luajë atë. Një qeveri e tillë as largohet as korrigjohet me pakte.

Çfarë duhet të bëjë opozita në këtë moment, sipas jush, në kuptim edhe të nismave konkrete?

Opozita duhet të thotë të vërtetën, e cila është kjo: nuk mund të vazhdohet me këtë qeveri. Po ka opozitar që mendon se me këtë qeveri mund të ecet përpara ndryshe nga deri më tani, atëherë le të bashkëpunojmë me qeverinë. Por nuk ka opozitar, shqiptar, madje as militantë të PD-së që të mendojnë dhe shpresojnë se me këtë qeveri nuk do të vidhet më, nuk do të shpërdorohen fondet publike, nuk do të vidhet vota, nuk do të thellohet kriza. Nuk e di çfarë e ndalon opozitën të thotë se nuk ka Kuvend?! Se ky vend nuk qeveriset, por vidhet. Shtrohet pyetja “do të bësh bojkot apo jo” kur funksionon një institucion, kurse kur ai nuk funksionon, ky nuk quhet më bojkot, por ti thjesht shpreh një të vërtetë: ky institucion ka vdekur demokratikisht. Këtu ka vdekur vota e lirë, ka rënë Kuvendi, i cili nuk garanton asnjë të drejtë elementare të opozitës. Pra ai nuk është demokratik e për pasojë ti ose e denoncon këtë fakt, ose bëhesh palë me të. Të bëhesh palë do të thotë që je i nënshtruar dhe do të thotë edhe të mashtrosh, sepse i krijon idenë popullit se “me një paketë çudibërëse, opozita do të detyrojë Kuvendin të sillet ndryshe”, kur e di që asgjë s’ka për të ndodhur ndryshe. E njëjta për reformën zgjedhore. Opozita duhet të thotë me kurajo: zotërinj këtu nuk mungon bashkëpunimi për t’u integruar në Europë, por këtu ka një bashkëpunim të shkëlqyer mes gjithë klaneve të korrupsionit, antiligjit për të mbajtur Shqipërinë peng. Llumokraci do të thotë që i ka marrë lumi të gjitha institucionet dhe të bashkëpunosh me to do të thotë të bëhesh pjesë e llumit.

Po shkohet drejt një marrëveshjeje si ajo e vitit 2002?

Jo po shkohet, por po bëhet e njëjta lojë. D.m.th. të gjithë e liderat e PS-së e kanë provuar të bashkëpunojnë me Saliun, tamam atëherë kur duhet larguar Saliu. Dhe kjo është e çuditshme. E provoi Meta në 1998-n dhe përdori Majkon. Pra tamam kur u izolua shoku Berisha si shoqërisht i rrezikshëm, i padëshirueshëm, kur i kishte shfaqur të gjitha tiparet si në pozitë dhe në opozitë, vajtën i dhanë dorën qeveritarët e PS-së dhe e shpëtuan. Të njëjtin gabim, në doza më të vogla, e bëri Nano në 2002-shin për gjoja balancimin e institucioneve. Por Nano e kuptoi shpejt se me Saliun nuk bën dot pakte afatgjatë, sepse bashkëpunimet ai i do për forcimin e pozitave të veta korruptive antishtet. Për këtë mund të citoni edhe fjalimin e Nanos kur u prish marrëveshja e parë. Tani me sa duket, sherret e brendshme në PS, diversioni që bëhet me LSI-në, e vetëm në një shoqëri që e ka humbur toruan mund të quhet e majtë, një klan që mban në pushtet ekstremin e djathtë, e shtyn lidershipin e PS-së të kujtohë se mund të skumojë këto korridore, lojëra dhe shitje, sërish duke bërë një pakt me Berishën. Por ky është një autogol, sepse jemi në një situatë krejt tjetër. Berisha dogji edhe tezën se ai mund të ndryshonte; pra pas 6 vjetësh nuk i ngjan Saliu KOP-it, por Luli i KOP-it është bërë kopje e Berishës. Berisha është më i dështuar në qeverisjen e dytë sesa në atë të parën. Ai po vepron tashmë mbi politika të qëllimshme. Në këtë fazë nuk është zgjidhje pseudo-pakti, sepse është pakt me të keqen dhe mashtrim për popullin.

PS-ja ka kërkuar së fundmi një rol më të qartë edhe nga Presidenti. Ka sipas jush vend për ndërhyrjen e tij?

Për atë që duhej Presidenti, Berisha e realizoi; pushtoi Gjykatën Kushtetuese, kontrollon Gjykatën e Lartë, ka atrofizuar Prokurorinë dhe vetë Presidentin. E keqja është se ata që janë kundër kësaj politike, në vend të bëhen të gjithë bashkë për të thënë që e keqja është një – Sali Berisha – një njeri që ka qenë në konflikt me të gjithë, me të gjitha institucionet dhe kundërshtarët politikë, edhe me Ilirin kur e kishte kundërshtar të cilin e priti me armë në Tropojë, edhe me Edi Ramën, të cilin e konsideron si radikal në krahasim me PS-në, edhe me Nanon që futi në burg. Pra, ata që janë për frenimin e largimin e këtij regjimi, duhet të bashkërendojnë veprimet dhe jo të debatojnë se kush është më aktiv e kush jo.

Po sa i përket bashkimit të së majtës, e shihni të mundshëm një rikthim të LSI-së?

Do të bashkëpunojmë me veglën e Saliut për të rrëzuar Saliun! LSI-ja është ai fraksion, ai klan që shiti të majtën që nga 2005-a, madje daton më shpejt si individ sesa si parti dhe është ai klan që mban sot në pushtet Sali Berishën. Pra kjo është teza më pa sens, është një tjetër diversion që bëhet në të majtë, është një tezë fataliste, pasi 8 maji ka disa mesazhe shumë pozitive. 8 maji tregoi se një e majtë e pastruar është më e fortë se një e majtë e “bashkuar” me korrupsionin. Një e majtë pa LSI-në në 2011-n, ishte shumë më e fortë se një e majtë me LSI-në në 2007-ën. 8 maji tregoi që vjedhja e votës nuk vjen nga kultura e ulët demokratike popullore, por nga kultura e thellë manipulative që ka Sali Berisha dhe klani i tij për votën. Doli shumë qartë se ku buron e keqja. Një qeveri që është në sens të kundërt me atë që është rekomandimi bazë i BE-së, pra zgjedhjet, ajo vetëm ikën. 21 janari dhe procesi i Tiranës pas 8 majit janë të mjaftueshme që të kërkosh largimin e Saliut bashkë me Ilirin dhe jo të kërkosh “shpëtimin” nga korrupsioni duke bashkëpunuar me pjesën më të korruptuar. Të bashkohesh me LSI-në do të thotë që të gjithë këtë luftë të bërë kundër korrupsionit dhe të marrësh barrën e tyre mbi vete. Kjo është një lëvizje krejtësisht e gabuar dhe tregon çorientim. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: opozita duhet të ketë një platformë të qartë që ka në themel rivendosjen e votës së lirë. Kjo qeveri nuk ikën me votë, sepse ajo e vjedh kur është organizatore e zgjedhjeve. Atëherë Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira me qeveri të paanshme. Nuk ka zgjidhje tjetër. Opozita është gati të bashkëpunojë për këtë zgjidhje politike. Ajo nuk mund të presë nëse do vjedhë Saliu në 2013-ën apo jo! Opozita mbi të gjitha s’duhet të japë mesazhin e gabuar se vendi ka Kuvend kur ai është institucioni i mbrojtjes së krimeve dhe korrupsionit, ku në të opozita poshtërohet e denigrohet dhe nuk gëzon asnjë të drejtë kushtetuese. Të shkosh në këto kushte në kuvend do të thotë të katandisesh në ogiçe të Jozefinës.