Gjinushi: Ambasadorët dhe PS gabuan rëndë me Berishën

0
64

Politikë nga JAKIN MARENA

TIRANE – Kreu i PSD, Skënder Gjinushi në një intervistë për gazetën “Shqip tarja.com” thotë se ambasadorët dhe PS gabuan kur besuan se me Berishën mund të bëhen reforma. Ai ka pushtuar institucionet, dhe emrat në krye të shtetit, SHISH etj janë thjeshtë emra dhe pjesë e zinxhirit të pushtimit të institucioneve dhe manipulimit të zgjedhjeve. Për të zgjidhja e vetme është largimi i Berishës.

Si e komentoni largimin e Shaqirit dhe vendosjen në krye të SHISH të një njeriu të afërt me kryeministrin Berisha?

Unë çuditem me ata që çuditen me veprimin e Berishës që shkarkoi kreun e SHISH, Bahti Shaqiri e në vend të tij emëroi atë që emëroi. Situata e tillë është dhe të gjithë e dinin që kur Berisha u kthye në pushtet në vitin 2005, se ai do t’i pushtonte të gjitha institucionet. Tentativa për të pasur demokraci me një regjim atidemokratik, i cili në të gjitha rastet ka vjedhur votat duke tjetërsuar rezultatin, që pushton dhe dhunon institucionet kushtetuese e të pavarura, është absurditet. Dhe mua më vjen keq që këtë tentativë për një demokraci me Berishën e kanë pasur disa nga ambasadorët e rëndësishëm këtu, por dhe opozita shqiptare.

Ju po thoni se nuk ka asnjë shpresë…?

U bë dhe përpjekja e fundit për zgjedhjen e një presidenti konsensual, tentativë kjo që u mbështet dhe nga ambasadorët por dhe nga PS, përpjekje e cila dështoi dhe u zgjodh në krye të shtetit ai që deshi Berisha, pikërisht një funksionar i lartë i partisë së tij dhe ministër. Pavendosmëria e PS në qëndrimin e saj kosenguent, si dhe qëndrimi i dyzuar i ambasadorëve, të cilët thanë që pavarësisht se dështoi konsensusi, Presidenti u zgjodh sipas Kushtetetutës, treguan se sërish u bë lëshim ndaj Berishës, me shpresën se me të mund të bëhen reformat. Siç u bë dhe njohja nga ndërkombëtarët e zgjedhjeve të vjedhura. Ky ishte një gabim.

Por opozita iu rikthye institucioneve…?

Të marrim dhe Kuvendin, i cili nuk e përfill fare opozitën. PS harroi reformën parlamnetare, harroi votën e fshehtë dhe gjithë reformat e tjera, të cilat janë jetike për demokracinë. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, PS nuk ka çfarë bën në këtë Kuvend, pasi Kuvendi ka rënë, institucionet Kushtetuese dhe të pavarura kanë rënë, ndërsa PS bën si palë në këtë Kuvend, kur askush nuk e pyet.

Si e mendoni zgjidhjen, ka garanci për reformat…?

Ambasadorët e BE e të vendeve të rëndësishme kanë harruar kushtet e vëna nga KE, reforma parlamentare, lufta ndaj korrupsionit bashkëpunimi politik, kushte të rëndësishme për integrimin në BE, dhe tashmë kanë gjetur të merren me heqjen e imunitetit. Sipas kritereve që kërkon KE për statusin e vendit kandidat për në BE zgjedhja e një presidenti konsensual, reforma zgjedhore, reforma parlamentare, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe ligji për imunitetin janë një paketë për t’u zbatuar në bllok. Berisha s’ka bërë asgjë nga këto dhe është abuzivizëm i tepruar të kërkosh realizimin e reformave me një njeri të tillë si ai.

Në kushtet kur Kuvendi ka rënë, Presidenti ka rënë, institucionet kanë rënë, kur opozita shkon pas ‘qerres’ së Berishës, atëherë lufta kundër të gjitha të këqijave fillon me largimin kokës së kësaj të keqeje, me largimin e këtij kryeministri, të kësaj qeverie. Pasi peshku qelbet nga koka.

Pas zgjedhjes së kreut të SHISH, sa garanci ka për zgjedhjet..?

Berisha është dhe kryeministër, dhe president, dhe drejtues i institucioneve të kushtetuese dhe kryemanipulatori i të gjitha zgjedhjeve dhe që s’jep asnjë garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, krijimin e standardeve që është një nga kërkesat themelore të Komisionit Evropian. Garancia vjen vetëm me largimin nga drejtimi të të gjithë atyre që përmbajnë elementë të vullnetit negativ dhe ky është Sali Berisha.

Sa për të tjerët, Presidenti, kreu i SHISH, nënkryetari i KLD etj. janë vetëm emra, pasi nuk ka asnjë rëndësi se kush është në këto poste. Ata të gjithë do jenë pjesë e zinxhirit të manipulimit të zgjedhjeve, të korrupsionit, të mosfunksionimit të institucioneve dhe bllokimit të ecjes para të vendit. Fijet e tyre i tërheq dhe i lëviz vetëm një njeri, Sali Berisha, i cili duhet të largohet sa më parë. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion, as nga ndërkombëtarët e as nga PS se me këtë njeri mund të ketë reforma apo demokratizim të vendit.

(Intervista u botua dje ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)