Gjermanët e duan Europën, por jo euron

0
42

Wolfgang Ischinger, 15.10.2011

Nëse Merkel e definon strategjinë përpara për Eurozonën dhe Bashkimin Europian, me të propozuar institucione të reja të fuqishme si një ministri të financave europiane dhe një fond të përhershëm monetar europian, gjermanët mund të murmurisin, por do ta ndjekin – edhe nëse, sikurse Martin Lurther, disa prej tyre ndiejnë se mëkatarëve nuk u duhet ofruar mundësia për rrugëdalje të lehtë

KOMENTUES nga të dyja skajet e Atlantikut gjatë gjithë vitit të kaluar janë përpjekur ta shpjegojnë afrimin ngurrues dhe të ngatërruar të Gjermanisë karshi krizës së euros. Me të gjurmuar thellë në historinë e shtetit, një artikull i ditëve të fundit i revistës “The Economist”, shfaqet me pyetjen e famshme të teologut, Martin Luther: “Pse mëkatarëve duhet t’u sigurohet një rrugëdalje e lehtë?”

Mirëpo, ekziston një shpjegim shumë më i thjeshtë: gjermanët fuqimisht besojnë në integrimin europian, por ata kurrë vërtet nuk e kanë përqafuar me të dyja duart euron.

Zbërthimi i kësaj paqartësie ndihmon në shpjegimin e veprimeve të kancelares Angela Merkel – apo mungesën e veprimeve më saktësisht – gjatë kohës së krizës. Dhe ndihmon në shpjegimin e asaj se pse gjermanët së pari e kundërshtuan fuqishëm fondin e ri të shpëtimit të euros nëpër debate publike, vetëm për t’u sjellë vërdallë dhe më pas e adoptuan me një shumicë të madhe votash më Bundestag.

Ç’është më e rëndësishmja, kjo gjë e bën të qartë faktin se kriza e euros nuk është vetëm një sfidë enorme, por po ashtu edhe një mundësi historike për Merkelin, dhe për Europën. Nëse ajo arrin të bindë ithtarët e saj gjermanë që të mbështesin përpjekjen e shpëtimit si një domosdoshmëri për shpëtimin e unionit, atëherë ka shumë gjasa jo vetëm për mbijetesë, por edhe për një rikthim edhe më të fuqishëm. Mirëpo, nëse ajo e shet gjithë këtë si mezi një mënyrë për të mbështetur euron, atëherë gjermanët mund të hamenden dhe e gjithë ndërmarrja do të vihet në rrezik.

Gjermanët kurrë nuk kanë qenë vërtet të dashuruar pas euros, për shkak se ajo kurrë dhe nuk u është dashur vërtet. Shteti kishte një valutë vërtet të qëndrueshme, e cila i garantonte si normat më të ulëta të interesit në Europë ashtu edhe suksesin postluftë.

Megjithatë, gjermanët e kuptuan se ribashkimi kishte ndryshuar kushtet e lojës, se dominimi i markës gjermane do të ishte i papranueshëm për fqinjët e një Gjermanie të bashkuar. Heqja dorë nga valuta e tyre ishte çmimi që ata e dinin se duhej paguar për ribashkim, për premtimin që të sigurojnë që fuqia e tyre ekonomike nuk do të shndërrohet në supremaci politike. Gjermanët e respektuan këtë premtim pa u ankuar, për shkak se e konsideruan atë si thelbin për përfundimin: mënyra më e mirë (dhe e vetme) për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet ishte krijimi i një Europe të integruar.

Pse hezitojnë tani? Me gjithë imazhin e fuqishëm jashtë vendit të Gjermanisë, në vend ata ndihen shumë më pak të sigurt. Bartja e peshës financiare të ribashkimit dhe prezantimi i euros gjatë dekadës së kaluar, zor se kanë qenë të lehta. Edhe më shumë, pas rënies së “Lehman Brothers”, recesioni i Gjermanisë ishte një prej më të thellët në mesin e shteteve të industrializuara. Por, gjërat janë përmirësuar, por brishtësia e modelit të tyre të varur nga eksporti ende nuk është shmangur nga gjermanët e kujdesshëm.

Gjermanët i druhen po ashtu edhe aspektit afatgjatë: rritja sot nuk zgjidh problemet e një popullate në plakje dhe të ndrojtur, të sistemit arsimor me boshllëqe, sistemit të stërngarkuar të mirëqenies, të politikave emigruese jofunksionale dhe daljes nga energjia bërthamore.

Mandej është edhe çështja e thjeshtë e inercionit politik: gjermanët janë të dashuruar me status quo-në. Sektori privat rrezikon, por politikanët jo. Kërkesat për shpenzimin e miliardave në mbështetje të shteteve të tjera nuk u përshtaten dhe aq gjermanëve.

Si pasojë e kësaj, kur kriza shpërtheu, përqendrimi i parë i Merkelit ishte i aspektit teknik, me qëllim të riparimit dhe përmirësimit të kontrollit dhe mbikëqyrjes në Eurozonë. Pa kontrollet adekuate, besojnë gjermanët, transferimi i thjeshtë i parasë është një politikë e keqe dhe krijon stimuj të gabuar. Mirëpo, sado që ky afrim reflekton përshtypjet gjermane, tregjet nuk do të presin për ndryshim traktati. Me krizën që kërcënon të përhapet nga Greqia në shtetet e tjera, është bërë domosdoshmëri që të krijohet një linjë mbrojtëse në të njëjtën kohë – pas fondit të shpëtimit.

Sidoqoftë, përderisa kjo mburojë e shpëtimit “shitet” vetëm si masë për ta mbajtur euron të gjallë, ajo dështon të ndikojë te gjermanët.

Gjatë verës, Merkel u përball me një krizë që kërkonte më shumë se punë riparimi. Dhe ajo e kuptoi se për çfarë ishte puna: nëse ia del të nxjerrë Bashkimin Europian nga ky lëmsh, asaj i garantohet një vend në mesin e liderëve më të mëdhenj të Europës. Prandaj, ajo së fundmi filloi të insistojë se kriza nuk ishte më vetëm çështje që ka të bëjë me Greqinë apo euron. “Nëse euro dështon”, ka thënë ajo, “do të dështojë Europa”.

Mbështetja e saj mjaftoi që të fitohet aprovimi për fondin e shpëtimit. Por fondi (me pak fat, dhe nëse Sllovakia pajtohet më në fund) vetëm do të ndalë gjakderdhjen. Çështja tani është nëse ajo mund të gjenerojë mbështetje dhe entuziazëm në mesin e gjermanëve të dashuruar pas status quo-së për një zgjidhje afatgjatë – një ndryshim tjetër i madh për traktatin e Bashkimit Europian.

Marrja e një rreziku kaq të madh nuk është dhe aq mënyrë tradicionale e bërjes së biznesit për Merkelin. Ajo preferon afrimin e matur hap pas hapi, duke vepruar nga prapaskena. Por, siç e kishte thënë një vëzhgues, edhe nëse shikimi nuk depërton përtej mjegullës përpara nesh, ne ende mund të gjejmë destinacionim tonë përfundimtar në GPS. Kjo ishte gjëja që Helmut Kohl bëri si kancelar në vitin 1989 dhe 1990, kur e befasoi shtetin dhe botën, duke e përqafuar fortë ribashkimin gjerman. Ishte ky një hap i vendosur përpara dhe ka funksionuar.

Nëse Merkel e bën të njëjtën sot, duke e definuar strategjinë përpara për zonën euro dhe Bashkimin Europian, me të propozuar institucione të reja të fuqishme si një ministri të financave europiane dhe një fond të përhershëm monetar europian, gjermanët mund të murmurisin, por do ta ndjekin – edhe nëse, sikurse Martin Lurther, disa prej tyre ndjejnë se mëkatarëve nuk u duhet ofruar mundësia për rrugëdalje të lehtë.

(Wolfgang Ischinger, ish-zëvendësministër gjerman i Punëve të Jashtme, është shef i Konferencës së Sigurisë të Munihut dhe këshilltar i kompanisë së sigurimeve “Allianz”. Ky vështrim është shkruar për të përditshmen prestigjioze “The New York Times”