GJERGJ META: Dialog integrues

0
50

Europa dhe institucionet e saj, ose e lënë qëllimisht me kaq vlerësimin e tyre, ose e nënvleftësojnë situatën kur thonë se mungesa e dialogut mes forcave politike po vonon integrimin. Në të vërtetë, nuk është mungesa e dialogut ajo që përbën problem, por akoma me thellë, mungesa e konceptit të dialogut, që nuk është vetëm një fakt i politikës, por përfshin mbarë shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë e konceptit të dialogut e ka zanafillën në dy sistemet që ne kemi kaluar, ai otoman dhe ai komunist. Dy sisteme që me logos-in nuk kanë pasur familjaritet.

I pari solli gati shfarosjen, në mendësinë e njerëzve, të çdo gjurme që kishte të bënte me kulturën perëndimore, e cila është kultura e logos-it e i dyti e reduktoi logos-in vetëm në fjalën e partisë, e në rastin më të mirë në një shkencë që studion vetëm të limitueshmen, pa një hapje ndaj metafizikës. Kjo përdhosje që iu bë logos-it, si reflektim i lirë i njeriut të lirë, ka lënë pasoja të shumta në mendjen dhe shpirtrat e shqiptarëve. Jo se shqiptarët nuk janë të aftë për dialog, për logos, por sepse propaganda dhe koha e gjatë e sundimit të dy sistemeve ndikoi dhunshëm në këtë proces.

Në fakt, shqiptarët, kur jetojnë, punojnë e studiojnë në Europë janë të mirintegruar, por sapo vënë këmbën në tokë shqiptare, bëhen pjesë e një mekanizmi që i gëlltit në vorbullën e tij. Sot Europa nuk ka partner në Shqipëri, sepse nuk ka me kë të dialogojë dhe atëherë kur mendohet se dialogohet, në të vërtetë i jepet këtij termi vetëm një natyrë funksionale dhe burokratike, e ka të bëjë me një sërë standardesh vetëm të jashtme dhe teknike.

Ka gjasa që integrimi të vonohet për shkak të një mendësie “bajraktare”. Secili vuan në të vërtetë që të valëvisë një të nesërme flamurin (bajrakun) e integrimit të vendit. E prandaj jemi spektatorë të vonesave, pengesave, trilleve e maskaradave mediatike e virtuale duke e hedhur fajin sa andej e këndej, sa te njëri e sa te tjetri. Në fund të fundit, ende ne punojmë për pak njerëz që do ta çojnë Shqipërinë në Europë dhe askush nuk mendon se janë të gjithë shqiptarët që duan të shkojnë atje dhe se merita duhet t’u shkruhet të gjithë shqiptarëve, dhe jo një grupi njerëzish.

Ja pse dialogu në Shqipëri nuk është i mundur, sepse dialog do të thotë të pranosh arsyet e tjetrit, të vendosësh në themel të vërtetën, e cila bën njerëz të lirë dhe të ecësh së bashku me të tjerët. Ja pse sheh të rinj e të reja të përfshirë në jetën publike dhe politike të vendit që vjellin vrer nga goja, ushqejnë urrejtje, fyejnë në “sermonet” e tyre kundërshtarët politikë. Një gjuhë e urrejtjes dhe e dhunës është kundër natyrës së vërtetë të dialogut (të logos-it).

Raporti me logos-in është raporti me të vërtetën, e së pari me të vërtetën e vetes dhe së kaluarës vetjake. Dialogu, para se të jetë një bisedë, është një reflektim e gjëja e parë që njeriu reflekton është vetja e tij. Ja pse lustracioni është vetëm një hap i parë i nevojshëm drejt së vërtetës. Atij duhet t’i pasojë një konvertim i mendjes, një hapje ndaj logos-it si arsye, arsyetim, vërtetësi, reflektim që do të formojë njerëz të aftë të përballen, dhe jo të përplasen, të dialogojnë, jo të shajnë, të jenë të përgjegjshëm, jo ta hedhin gjithnjë fajin larg vetes.

Europa është djepi që ka rritur logos-in dhe ky logos nuk është një rrobe që kur je në Europë e vesh dhe kur je në Shqipëri e ndërron me një tjetër. Logos-i është ashti, konstitucioni më i thellë i njeriut europian që aty ka gati 3000 vjet jetë. Mbetjet e një sistemi anadollak dhe komunist e sulmojnë dialogun, sepse më fort besojnë te sundimi dhe shkatërrimi i kundërshtarit, sesa te mundësia e punës së përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Logos do të thotë fjalë e arsye njëherësh – një arsye që krijon dhe është e aftë të komunikojë. Kështu e kanë konceptuar logos-in të lashtët. Komunikim ka në thelb fjalën communio, bashkim i thellë shpirtrash, mendjesh e zemrash në emër të diçkaje më të madhe… atë çka me të vërtetë i urojmë vetes si shqiptarë, për t’u marrë vesh e për të ecur së bashku drejt një të ardhme më të mirë.

Gazeta PANORAMA