[Durrah, 23.01.2011]
Ja se çfarë dëshirojmë/synojmë:
A- Gjuha shqipe duhet të ketë të shkruar dallueshëm të 36 tingujt e saj;
B- Nuk duhet të lejohet që për vështirësi shkrim të hiqen, të vriten, dy tingujt e saj /ë/ dhe /ç/, duke shkruar në vend të tyre /e/ dhe /c/, pra duke i kthyer tingujt (fonemat) e shqipes; nga 36 në 34;
C- Të bëhen të gjitha përpjekjet që të shkruhen këto tinguj me alfabetin latin të Manastirit, atë ekzistuesin;
D- Por, në se nuk është e mundur kurrsesi të shkruhen shkronjat /ë/ dhe /ç/, apo shkrimi i tyre krijon bezdi (të gjykuara nga secili individualisht), atëherë më mirë të shkruhet /ee/ (në vend të /ë/) dhe /ch/ (në vend të /ç/), se sa /e/ dhe /c/; kjo mënyrë, me /ee/ dhe /ch/, ruan këta dy tinguj, pavarësisht se ana grafike e tyre (shkronjat) ndryshojnë—fundja, a nuk ndryshonte edhe në dy alfabetet e Manastirit, ana grafike e shumë shkronjave!
Në diskutimin me të njohur të ndryshëm, nga disa është ngritur shqetësimi se “po prekim alfabetin shqip, të nisur nga motive jo të rëndësishme. Nga dëshira për të mos prekur gjë nga gjendja e tanishme, këta të njohur i minimizojnë vështirësitë praktike të shkrimit të dy shkronjave, /ë/ dhe /ç/”. Praktika tregon se vështirësitë ekzistojnë, gjë që vërtetohet se shumica e atyre që shkruajnë shqip me mjete elektronike (kompjuter, celularë, menu etj.) i bien shkurt: nuk i shkruajnë fare “ë-të” dhe “ç-të”.
Më shumë se 100 vjet para:
Më poshtë do të vërtetojmë se pikërisht /vështirësia e shkrimit të shkronjave/ ka bërë që të kemi alfabetin e sotëm.
Në Kongresin e Alfabetit (të Manastirit), në vitin 1908, u vendosën të përdoreshin detyrimisht dhe njëkohësisht, për dy vjet, dy alfabete, të cilët po i risjellim në fotografinë e mëposhtme:
Dy alfabetet e miratuara në Kongresin e Manastirit janë:
1) Abeja e Stambollit;
2) Abe fjesht latine.
Alfabeti i parë i kishte të gjitha “të mirat”: çdo tingull kishte një shkronjë, kështu që nuk dilnin fare ngatërresa nga leximi bashkë i shkronjave dyshe, në disa fjalë si /mos-hapje/, /Mit-hat/ etj. Ky alfabet kishte vite që përdorej![1]
Alfabeti i dytë kishte vetëm një të mirë: shkruhesh më lehtë, sepse gjendeshin më lehtë shkronjat për shtypin e tij, e pikërisht bëhej fjalë për shkronjat dyshe dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh dhe zh[2]. Në atë kohë, shkronjat ç dhe ë, nuk përbënin problem, se i kishte Franca, që kishte zhvillimin, rëndësinë relative në botë, shumë më të madhe se e ka sot.
E, pas ca kohe, në praktikë por jo në Kongres, fitoi alfabeti i dytë!
Ja se ç’shkruhet në shtypin e kohës:
“Zoti Gjergj Fishta pastaj çkoqiti Abecenë dhe tha se abece e Stambollit është e mjaftë për nevojat e kombit, por me qënë se shumë herë për të shtypur libra lark Shipërisë dhe për të hequr telegraf kemi nevojë për një abece thjesht latine, komisioni u shtrëndua të marë dy abece, si ngjan dhe për alemanët (gjermanët-sh.y.) të cilët kanë abecenë gotike dhe abecenë latine.”
Sot
Shtypja e librave dhe telegrafi (kompjuteri dhe interneti sot) janë prapë aktuale, edhe për sot. Besoj se jeni i njëmendimi me ne, që në se Fishta do të ishte gjallë sot, do të ishte dakord me shkrimin e /ë/ dhe /ç/ edhe me variantin /ee/ apo /ch/: [3]
“Alfabei që kemi trashëguar është i mjaftë për nevojat e kombit, por me qenë se shumë herë për të komunikuar me kompjuter, për të shtypur me mjetet moderne, për të dërguar mesazhe me celular, për të shkruar në dhjetra pajisje moderne pa fund, që nga menytë e televizorëve e deri tek numëratorët elektronikë të telefonave, kemi nevojë për një abece që ka mundësi t’i shkruajë dy shkronjat /ë/ dhe /ç/ me shkronja amerikane, me /ee/ dhe /ch/ …”
Shpresoj të kemi kontribuar që të hiqet meraku “se po i prishim punë gjuhës shqipe”, ndërkohë që po i ndreqim, po bëjmë atë që bëri Patër Gjergj Fishta 100 vjet para!
Shkrimi me “ee” dhe “ch”, mund të zbatohet menjëherë në shkrimet jozyrtare, e sidomos kur ambiguiteti “ë” apo “e” etj. do të sillte keqkuptime—ja një shembull i thjeshtë: po shkruam pa “ë”, në fjalën “fshatare”, nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për disa vetë, apo për një femër.
Duhet një ndryshim më radikal, i cili kërkon një miratim institucional.
Ndryshimi më radikal
Në vijim po japim propozimin për një ndryshim në tri shkronja, ndryshim që realizon kërkesat që kemi rreshtuar në fillim të shkrimit, dhe nuk e zgjat fare shkrimin, pra është shkrim po aq ekonomik sa ekzistuesi.
Kam kohë që kam hedhur në publik, propozime që shqipja të shkruhet me shkronja që i ka “çdo vend i botës”. Shkrimet e para për këtë problem, datojnë në vitin 2004.
Në vijim po ju sjell vetëm propozimin e përditësuar:
“Alfabeti i Ri”, ndryshim që kërkon aprovim zyrtar:
1. Ndryshohet shkrimi i tre tingujve (fonemave) të “alfabetin e vjetër”: tingulli që shkruhet në alfabetin e vjetër, me shkronjën /ë/, do të shkruhet në Alfabetin e Ri, me shkronjën (grafemën) /f/; dhe përkatësisht /ç/ me /ch/ dhe /f/ me /ph/.
2. Ka vetëm 25 shkronja, e pikërisht: a b c d e f g h i j k l m n o p q r s t u v x y.
3. Nuk do të ketë “dyshkronjësha”, të konsideruar si shkronja të veçanta, por si takime dy shkronjash. Pra, dyshkronjëshat e alfabetit të vjetër (ekzistues), dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh, në alfabetin e ri nuk trajtohen si shkronja të veçanta, por si takime dy shkronjash të veçanta që japin po ato tingujt (fonemat) e njohur të alfabetit të vjetër. Alfabeti i Ri do të transmetojë po 36 tinguj (fonema), por me 25 shkronja, dhe me 11 takime dy shkronjash (9 që krijonin dyshkronjëshat në alfabetin e vjetër, si dhe dy takimet e reja, “ch” dhe “ph”).
4. Renditja alfabetike e shkronjave është standard, si në shumë gjuhë me bazë alfabetin latin.
Ja një shembull shkrimi me alfabetin ekzistues:
“kokëfortësia është ves, ndryshimi është virtyt; kjo është çështja!“,
dhe po teksti i mësipërm, i shkruar me Alfabetin e Ri:
“kokfphortfsia fshtf ves, ndryshimi fshtf virtyt; kjo fshtf chfshtja!”
Çdo njeri që di të shkruaj e të lexojë shqip me njërin alfabet, për punë sekondash arrin të shkruajë e të lexojë me alfabetin tjetër, qoftë “të vjetrin” (ekzistuesin), qoftë “të riun”. Pra, ndërrimi i alfabetit nuk dëmton leximin e shkrimeve të kaluara, bile fare mirë mund të bashkekzistojnë për ca kohë, alfabeti i ri me të vjetrin.
Bashkim Kopliku
——————————————————————————–
[1] Alfabeti i Stambollit ishte zyrtarizuar në vitin 1879, me alfabetaren, si një nga rezultatet e Lidhjes së Prizrenit. Pretendohej se në princip ishte alfabeti që ishte përdorur prej qindra vjetësh, që në shekullin e XVI (shkrimet e Bogdanit, Budit etj.) dhe ndofta që në shekullin e XIII me shkrimet e fesë katolike. Në të gjithë këto alfabete përdoreshin 25 shkronja latine, dhe 11 të tjerat, cirilic (në alfabetet e vjetër) dhe disa latine të modifikuara, greke dhe greke të modifikuara, në Alfabetin e Stambollit
[2] Këto 9 dyshkronjësha u bënë shkronja në vete, sepse u quajtën si zëvendësime të shkronjave të alfabetit të parë, pra që mos t’u mbeste qejfi atyre të Stambollit (alfabetit të parë), e për asnjë motiv tjetër: ato mund të ishin fare mirë shkronja të veçanta, që thjeshtë kur ishin njëra pas tjetrës, jepnin 9 tingujt përkatës.
[3] Fatkeqësisht nuk është më Franca, por është Amerika që ka rëndësinë relative në botë, dhe fatkeqësisht anglishtja nuk i ka dy shkronjat /ë/ dhe /ç/. /Telegrafi/ i kohës së sotme, është kompjuteri, e kështu me radhë. Sot, Fishta do të thoshte pak a shumë:
Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 672858090
E-mail:
optional:
Please, send important e-mails
on both addresses!