Gjeniu Gjergj Sina nga Voskopoja dhe perandoria e tij finaciare në Austri

0
33

Nga Pjetër Logoreci

Në vazhdim të ciklit me shkrime për dinastinë Sina, mbi historinë e suksesëshme të kësaj familje nga Voskopoja, në Austri, po sjell disa informacione mbi jeten dhe aktivitetin shumë dimensional të një prej burrave më në zë në xhiron e bizneseve dhe të parasë, bankierit Gjergj Sina.
Po të kërkosh për Gjergj Sinen në arkivat e shtetit, por edhe ato private austriake, nga sasia e madhe e informacionit që gjindet, mund të krijosh një ide fillestare për xhiron gjigande të aktiviteteve tregtare, bankare, prodhuese, ndërtuese por edhe shoqërore të Bossit Gjergj Sina. Perandoria finaciare të cilën Gjergj Sina trashëgoj nga i ati Simon Sina dhe që e fuqizoi me tej, kalonte kufijtë e disa shteteve të fuqishme të kohës si perandoria osmane dhe ajo austrohungareze, duke u përhapur në të gjithë Europën e zhvilluar.

Të njohim Gjergj Simon Sinën
Gjergj Simon Sina lindi në Nish me 20 nandor 1782, nga martesa e Simon Sines (plakut) me vajzën nga Nish-i, Irene Czippe. Për të vërtetuar vendin e lindjes së tij nuk pat ndonji dokument, pasi në perandorinë osmane nuk lejohej një dokument pagëzimi. Vetë Gjergji e ka deklaruar më vonë, Nish-in si vendlindjen e tij, përsëri pa e pasur të dokumentuar, por të vërtetuar gojarisht nga pesë dëshmitare që ishin miq të familjes dhe “që e njihnin ate që fëmijë”. Kur Gjergji ishte në moshën 10 vjecare, pas vdekjes së parakohëshme të nënës, babai vendosi që të largoheshin nga Nish-i për tu vendosur në Vjenë, kryeqendrën e fuqishme tregëtare e finaciare të perandorisë.
Sipas informacioneve të asaj kohe, (rreth viteve 1800) mendohej që numri i tregtarve “grek”(1) me shtetësi turke të cilët kishin firma të mirëfillta me aktivitet tregtar në Vjenë, ishte rreth 217-të.

Duke filluar nga viti 1803, Gjergj Sina ishte aktiv dhe drejtonte firmen bashkë me babain e tij, firmë që ishte pjesë e SHOQERISE së tregëtarëve “grekë” në Vjenë. Me 3 prill 1818, tre nga Sina-jt, babai i tij Simon, vëllai Johann dhe ai, morën titullin BARON. Thuhet që, si Gjergji ashtu edhe Simoni (i vjetri), që nga viti 1811 deri me 1818 përdorën në të mirë të tregtisë së tyre, shtetësinë e dyfishtë (turke dhe austriake). Në vitin 1822, për të nderuar figurën dhe veprën e babait (një vit pas vdekjes së tij), Gjergji, ja ndryshoj emrin e firmës që trashëgoi (që dikur quhej PAPA NAUM, SINA & CO) në SIMON GEORG SINA, duke marrë mbi vehte cdo detyrim si dhe kontaktet që babai kishte në zonat e perandorise osmane. Biografja austriake A.Lanier, e cila ka bërë historikun e bankës dhe bizneseve të familjes Sina, mendon që një gurë i fortë në themelin e kapitalit të FIRMES SINA ishin edhe disa situata që u krijuan në favor të Voskopojarëve. Ajo i referohet për këtë tregimeve që vetë Gjergj Sina ju ka shprehur bashkohësve e miqve të vet:……. ne familjarisht duhet ti falenderohemi,…. rritjes së kërkesës për lëndën e parë, pambukun (në fillimin e prodhimit të tij industrial), ….një lufte , … disa vdekjeve që pasuan,…. si dhe rrotacionit të zyrtarve në disa organe shtetërore të perandorisë osmane…

Foto 2: Dokumenti i marrjes se titujve te nderit nga Gjergj Sina

Gjergj Sina hapi në Vjenë një firmë ku tregtonte mall me shumicë nga Ballkani, e cila “gëzonte mbrojtjen dhe privilegjet” e pashait vendas. Sipas historianëve, ishte koha kur akoma nuk kishte filluar eksporti i pambukut nga Amerika, ndërkohë që në zonat e Ballkanit, sidomos në Maqedoni, prodhimi i pambukut ishte në kulmin e lulëzimit. Pashai vendas, Ali Pasha, e ndaloj popullsinë që prodhimet ti tregtonte diku tjetër dhe mori për vehte monopolin mbi pambukun, duke e mbledhur për të ja shitur më pas bashkëatdhetarit Sina, i cili kishte nënshkruar në Manastir një kontratë të rregullt me pashain. Tregtia në mes tyre do të funksiononte si një Shoqëri e mirëfilltë. Pashai duhej ti dërgonte pambukun Sines me një cmim për të cilin ishin kuptuar bashkë, ndërsa Sina duhej ta shiste. Nga fitimi i përbashkët, sipas marrveshjes dy palëshe, Sina ishte i detyruar të administronte edhe pjesën e fitimit të ortakut. Ali Pashai trembej që Sulltani një ditë do të hakmerrej dhe për cdo gjë që mund të ndodhte, bankieri Sina ishte i detyruar që, sipas kontratës, ti jepte familjes së pashait pjesën e fituar.

Për vite me radhë, kjo tregëti solli fitime të mëdha. Edhe luftrat që po bënin francezët, sollën një ndikim pozitiv në shitjen e lëndës së parë, pambukut që i duhej ushtrisë për veshmbathje. Por erdhi një ditë, që Sulltani arriti të ndëshkojë Ali Pashain, duke e vrarë atë vetë, si dhe djemtë e tij. Ai arriti të fshijë nga faqja e dheut të gjithë familjen e pashait rebel. Kështu që Gjergj Sina u bë trashigimtari i vetëm ligjor i shumës stërmadhe të fitimit që i përkiste Ali Pashait. Kjo gjë është konfirmuar edhe në gazetën e mbrëmjes Pester Lloyd, e cila me rastin e vdekjes së Gjergj Sines, në numrin e saj të 20 maj 1856-es, në një kronologji që botoj mbi jetën dhe karrieren e Gjergj Sines shkruante: …Ai (Gjergj Sina) duhet ti falenderohet …..të famshmit e të plotfuqishmit Ali Pasha nga Janina, me të cilin në atë kohë zhvilloj një tregti të përmasave të mëdha, nga ku i vjen një pjesë e madhe e kapitalit bazë të firmës…. Thuhet që për këtë arsye, rreth vitit 1847, qeveria turke i kërkoj Vjenës që ta ekstradojë Gjergj Sinen, një kërkesë që nuk u realizua kurrë.

Foto 3: Harte e Voskopojes 1742

Gjenialiteti i Gjergj Sines si afarist dhe financier bëri që pjestarët e tjerë të familjes Sina të mbesin “në hije” edhe pse patën një aktivitet të mirëfilltë tregëtar dhe social. Në mbretërinë e financave të perandorisë, ai filloj të thirrej “Gjergji i madh” ose “para-lija Sina”. Talentin për të bërë tregëti që trashëgoi nga babai e zgjeroj dhe me tej duke vendosur kontakte pune në tërë Europën. Me fillimin e eksportimit të pambukut si lëndë e parë për industrinë europiane nga Amerika, Sina humbi monopolin dhe tregëtia me këtë mall u dobësua shumë. I prirë nga nuhatjen e tregëtarit të lindur, ai filloj të kërkojë mëndyra të tjera biznesi. Gjergji nuk vonoj të futej me sukses në tregtinë e duhanit, ku në vitin 1851 pat monopolin e tij në Hungari, por pa lënë pas dore edhe tregtinë me mallrat e tjerë si; druri, qymyrigurit dhe krypa, që i sillnin fitime të mëdha. Gjergj Sina nuk ishte vetëm burri më i pasur i perandorisë, por krahas bankës Rothschild, ai ishte zotëruesi dhe drejtuesi i bankës më të suksesshme të Austrisë, e cila pat kulmin fitimeve në vitin 1848 nga obligacionet e shtetit dhe nga dhënia e kredive për ndërtimin e ujësjellësit, bashkisë së Vjenës. Duke praktikuar letrat me vlerë, kambialet (urdhër xhirimi), dëftesa borxhi, banka Sina arriti të fitojë shuma marramendëse. Nga aftësitë e tija të vecanta si burrë i financave, në vitet 1825 deri 1849 ai u zgjodh si drejtor i bankës kombëtare të perandorisë dhe nga 1849 deri 1856 (deri sa vdiq) zëvendës guvernator i po kësaj banke.

Foto 4: Voskopoja dhe rrethinat

Gjergj Sina me një inteligjencë të pashoqe drejtonte bizneset dhe rriste zotërimet e tija. Puna ishte për të si oksigjeni. Edhe pse në moshën 70 vjecare, punonte nga mëngjesi deri vonë në darkë. Qëllonte që kalonte netë të tëra në zyrë.
Tregojnë që një herë në një mëngjes të bukur me diell, teksa zbriste shkallët e ndërtesës së bankës, një i njohur që banonte në pallatin pranë tij i habitur e pyeti:… si zotni Baron, nuk keni shkuar mbramë në fshat (ku ishte vila e tij familjare)? Baroni i milionave u pergjigj i shkujdesur: ….Nuk kam kohë…

Gjergj Sina edhe pse drejtor dhe pronar i bankës, priste me përulësi këdo: …si bankierin superpasanik që i propozonte lëvizje të mëdha parash apo fitime të mëdha, ashtu dhe tregtarin e thjeshtë që i ofronte veprime të vogla biznesi. Me secilin bisedonte dhe negocionte vetë. Ishte pasioni i tij të bënte ”tregtarin”. As përfitimet finaciare dhe as mëndyra e fitimit nuk ishin qëllimi i jetës së tij, por kushtet e jetesës, realizimi i dëshirave dhe elementeve të jetës aktive. Ishte i saktë dhe i vëmendëshëm deri në detajet me të vogla në jetën e tij private dhe profesionale…

Foto 5: Ndertesa ku gjindej Banka dhe Firma Simon Sina

Tregojnë që,… shërbëtori i kërkoj leje të blejë një dry që i nevojitej …
– “Shiko në katin e sipërm, atje gjinden disa, të vjetër por funksional – ju pergjigj baroni Sina”. Por, shërbëtori nuk arriti ti gjejë dhe u kthye nga lart duar bosh. Atëherë multimilioneri Gjergj Sina, i dyti burrë i pasur i perandorisë, u ngjit vetë në papafingo dhe u kthye duke sjellë me vehte një dry të përdorur, por në gjendje pune.

Vemendja, ishte një nder dhuntitë e rëndësishme në aftësitë dhe karakterin e gjeniut GJERGJ SINA….
Ky serial shkrimesh per dinastine Sina vijon në numrat e ardhëshëm….

Shënime:
(1) Voskopojarët të cilët ishin me besim kristian ortodoks shiheshin nga popullsia e Vjenës si GREKE…

Vjenë, me 10 korrik 2015