VOAL, 11.10.2013
Bill & Melinda Gates
Themeluesi i Microsoft-it dhe bashkëshortja e tij rrëfehen për të përditshmen “The New York Times”. Më poshtë kemi shkëputur një pjesë të intervistës së tyre, ku bie në sy vullneti për të ndihmuar: 1/3 e trashëgimisë së tyre është pjesë e fondacionit bamirës që drejtojnë
Bill Gates u njoh me Melinda French në vitete ’80, kur ai ishte administrator i deleguar i Microsoft-it dhe ajo një asistente e re në këtë kompani. U martuan në vitin 1994. Tani janë forca lëvizëse e një prej shoqatave filantropike më me ndikim në planet: vetëm vitin e kaluar kanë financuar rreth 3.4 miliardë dollarë në projekte të ndryshme zhvillimi
Kur mendonit për martesë Melinda, i druheshit idesë se po martoheshit me një njeri kaq të fuqishëm dhe të pasur?
Në familjen time më kanë mësuar gjithnjë se të gjithë janë të bararbartë: nuk ka rëndësi se ç’punë bën dhe ç’pozicioni zë në botë. Nuk jam rritur me idenë se disa persona janë mbi të tjerët. Kur njoha me Bill-in ishim që të dy shumë të rinj: unë 23 vjeçe dhe ai 32. Mediat flisnin për të në një lloj mënyre, por ai që përshkruanin nuk ishte njeriu që njihja unë. Jemi rritur bashkë.
Kishit folur ndonjëherë për mundësinë që martesa juaj të kthehej në një aleancë për të ndryshuar gjërat në botë?
Bill: E dinim që po i futeshim kësaj rruge bashkë: pra e ndihmonim njëri-tjetrin me punën, po krijonim një familje dhe ëndërronim bashkë. E dinim që suksesi i Microsoft-it do të na bënte shumë të pasur dhe se një ditë duhet të gjenim mënyrën për ta kthyer një pjesë të kësaj pasurie te shoqëria.
Melinda: E lashë Microsoft-in në vitin 1996, kur lindi vajza jonë e parë. Kësisoj kisha më shumë kohë për të udhëtuar dhe për t’i parë gjërat nga afër. Kthehesha në shtëpi dhe i tregoja Bill-it ato që më kishin thënë burrat dhe gratë në fashtrat që vizitoja. Bill interesohej shumë dhe kërkonte në dokumente dhe artikuj konfirmimin e atyre që i tregoja. Mendonim për atë që duhej bërë dhe sa rëndësi kishte një vaksinë. Duke udhëtuar nëpër Afrikë kam folur me gratë për problemin e vaksinave: duhet të kalonin distanca të mëdha për t’i çuar fëmijët e tyre në klinika shumë të vogla ku ato injektohen.
Në vitin 2006, Warren Buffet i dhuroi 31 milionë dollarë fondacionit tuaj. Pas lajmërimit të tij u shfaqët të tre në televizion dhe dukeshit euforikë.
Bill: “Warren kishte humbur gruan disa vite më parë dhe kjo e kishte bërë të arsyetonte mbi filantropinë. Ishte i elektrizuar nga ky argument, i dhurova një kopje të librit të Adam Smith “Teoria e ndjenjave morale”, ku jepej ideja që bujaria është një karakteristikë pak a shumë e lindur në racën njerëzore”.
Pra, nuk jeni dakord me Richard Dawkins mbi historinë e “gjenit egoist”?
“Në të vërtetë besoj shumë nga gjërat që thotë Dawkins, por një nga librat e mi të preferuar është “Rënia e dhunës” e Steven Pinker. Kujto kohët kur i digjnim shtrigat, kujto gjenoncidet, skllavërinë, dhunën dhe mendo faktin që kjo dhunë pakësohet me kalimin e kohës. Filantropia ndërfutet në këtë kuadër…
Bill ju lexoni shumë. Libra letre apo elektronikë?
“Jam ende në fazën e tranzicionit. Disa prej librave janë aq të vështirë për t’u gjetur sa nuk ekzistojnë në format dixhital. Mua më pëlqen të shënoj, aq sa kur lexoj “e.books” kam nevojë për një instrument ku mund të mbaj shënime të shpejta në formë dixhitale. Librat elektronikë janë më të thjeshtë për të gjetur fjalë dhe të dhëna të ndryshme. Jam në një fazë të tranzicionit midis dy formateve. Gazetat i lexoj online, ndërsa librat në shumë raste vazhdoj t’i lexoj në letër, edhe pas pesë vitesh nuk do të jenë më”.
Flitet gjithnjë mbi faktin që ju nuk jeni diplomuar kurrë. Njerëzit thonë: Nuk na duhet një diplomë, shiko Bill Gates”.
“Epo më pëlqen të ndjek kurse, thuajse si të gjithë ata që njoh: Në internet. Nëse njerëzit menojnë që nuk më pëlqen të ndjek leksionet, gabohen. Kur isha i ri kisha një nxitim të madh për të shfrytëzuar potencialitetin e mikroprocesorit, kjo është e gjitha”.
Rreth një e treta e trashëgimisë suaj është pjesë e fondacionit. Mendoni që fëmijët tuaj një ditë do t’ju qortojnë për bujarinë tuaj?
Melinda: “I njohin qëllimet tona, në shtëpi flasim për to. E dinë që një pjesë e madhe e këtyre burimeve do t’i kthehet shoqërisë dhe janë dakord. Udhëtojnë shumë dhe janë të lumtur me këtë gjë”.