Gjenerali i deklaroi Withers-it përfshirjen e Shkëlzen Berishës në Gërdec

0
38

“Wikileaks”, Gërdeci

Ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha i ka deklaruar ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John L. Withers se djali i Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, i ka bërë atij presion në telefon për të vijuar dërgimin e predhave të kalibrit të lartë në Gërdec, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Hoxha për mungesën e kushteve të sigurisë. Lajmi bëhet i ditur nga kabllogrami 08TIRANA470, i klasifikuar konfidencial. Mësohet se Hoxha i ka thënë ambasadorit Withers se, në prokurori ka deponuar të gjitha çfarë dinte, me përjashtim të telefonatës nga djali i Kryeministrit, pasi nuk ndjehej i sigurt për ta raportuar këtë detaj.

Shpërthimi i municioneve në Gërdec, i cili vrau 26 shqiptarë dhe rrafshoi të gjithë zonën përreth, ka qenë një çështje shumë me interes për ambasadën USA në Tiranë. Rreth 20 kabllograme janë përgatitur mbi këtë çështje të mbuluar me hollësi. Në të gjitha kabllogramet e publikuara deri tani nga “Wikileaks”, ambasada e SHBA-ve nuk konfirmon drejtpërsëdrejti përfshirjen e djalit të Kryeministrit në aferën e Gërdecit, por i referohet gjithmonë burimeve të treta.

Kabllogramet mbi Gërdecin hedhin dritë edhe mbi prapaskenat e shumta të hetimeve që nuk nxorën asgjë në dritë si dhe pazareve të panumërta e makinacioneve të neveritshme që e fshehën të vërtetën dhe që tashmë duket se kërkojnë një hetim po aq të komplikuar për t’u zbardhur sa vetë çështja e Gërdecit.

Një gjeneral me duart lart

“Në 17 qershor (2008), pasi kërkoi një takim me ambasadorin, shefi i Shtabit, Luan Hoxha tregoi anën e tij të historisë në lidhje me shpërthimin në Gërdec, më 15 mars. Në kundërshtim me deklaratat publike të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilat ia hedhin fajin ushtarakëve për defektet operacionale në Gërdec, Hoxha deklaroi se që nga fillimi, ministri Mediu i mori të gjitha vendimet; nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, te zgjedhja e llojit të municioneve që duhet të shkatërroheshin në cilën periudhë kohore.

Hoxha deklaroi se stafi i tij u udhëzua të transportonte municionin në vend, ta ruante atë dhe asgjë më tepër. Hoxha shtoi se kur e vizitoi Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po zbatonin këto dy detyra dhe se në pamje të parë asgjë nuk qe gabim”, – thuhet në kabllogramin që raporton mbi këtë takim.

“Ai akuzoi se gjatë pjesës së dytë të projektit, që filloi në dhjetor 2007, që ai u udhëzua nga Mediu, pasi ai kishte shprehur shqetësimet e veta me shkrim (shqetësime të dërguara te Topalli dhe Mediu), si dhe pasi mori një presion të drejtpërdrejtë përmes telefonit nga “një djalë i ri”, të cilin më pas e konfirmoi si Shkëlzen Berisha, djali i Kryeministrit, për të vijuar të transportojë municione të kalibrit të madh në Gërdec dhe që ta bënte një gjë të tillë pa vonesa”, – vijon kabllogrami konfidencial 08TIRANA470.

I pyetur nga ambasadori Withers nëse këtë informacion ia kishte dërguar Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: “po, i kam raportuar të gjitha informacionet, me përjashtim të elementit mbi djalin e Kryeministrit”. Sipas raportit diplomatik, ai tha se “për këtë çështje ndjehej i rrezikuar po të fliste”.

Withers: Po nuk fole, nuk ka drejtësi

Sipas kabllogramit, ambasadori Withers i ka sugjeruar shefit të Shtabit të tregojë të gjithë të vërtetën, sepse vetëm në këtë mënyrë hetimi i prokurorisë mund të ketë sukses. “Hoxha qe dakord që në interes të drejtësisë duhet të flasë, por nuk e konfirmoi se do ta bëjë vetë një gjë të tillë.

(Shënim: Hoxha tha se ka shumë të tjerë që e dinë këtë informacion.)”