Letër e hapur Përfaqësuesve diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë mekanizmave të tjerë politikë e diplomatikë që veprojnë në Kosovë!
Të nderuar diplomate e diplomatë, të nderuar përfaqësuese e përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX, si dhe të organizatave të tjera Qeveritare e Joqeveritare, punonjës dhe ekspertë që eksploroni demokraci, rend, rregull dhe ligj në Kosovë, jam i shtrënguar që t’ua nis këtë letër të hapur për të shprehur shqetësimin tim intelektual për gjendjen e krijuar në Atdheun tim, gjendje kjo e cila nga secili qytetar po shihet se nuk është menaxhuar si duhet. Unë që po ju shkruaj jam një 55- vjeçar, me shtetësi kosovare, por ka mbi 30 vjet që jetoj e punojë në Zvicër. Jam i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Kam të mbaruar shkollimin e lartë në Kosovë dhe vazhdimisht jam marrë me gazetari, por ajo që më ka bërë të njohur janë 17 librat e botuara që kapin një volum prej mbi 5000 faqesh.
Një pjesë e tyre trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Shkrimet dhe librat kanë bërë udhën e vet, sepse deri më tani jam prezantuar e përmendur në mbi 150 libra me autorë të tjerë, dhe në tre tituj akademikë për master. Për këto 25 vjet angazhim sistematik kam botuar me mijëra artikuj të tjerë, nëpër gazeta e revista, pa i llogaritur shkrimet e shumëfishuara nëpër rrjetet sociale të internetit. Në planin familjar punët kanë ecur mirë. Fëmijët vazhdojnë shkollimin dhe studimet e tyre, por ata pjesërisht vetëfinancohen. Unë me gruan së bashku i kemi mbi 50 vjet punë të pandërprera, por nuk kemi arritur të krijojmë pasuri marramendëse siç kanë bërë politikanët dhe udhëheqësit e vendit tim. Ne kemi obligime për vete dhe familje, po ashtu kemi taksa dhe detyrime ndaj shtetit ku jetojmë, andaj gjithë atë që e kam arritur mbetet në kornizat e së mundshmes dhe të pranueshmes.
Tash pas kaq vitesh veprimtari, si qytetar i Kosovës, po ndjehem i shqetë- suar dhe në shumë raste edhe i turpëruar, qoftë për pasurinë marramendëse që kanë krijuar qytetarët e mi në një vend të varfër si Kosova, e qoftë me zhvillimet politike ekonomike e sociale në Kosovë, andaj po ua nis këtë letër të hapur, andaj ju lutem për mirëkuptim! Tashmë në Kosovë krimi ekonomik dhe korrupsioni janë bërë pjesë e jetës institucionale, por ai shihet dhe dihet e lihet të veprojë pa u penguar e pa u pranguar askush. Paradoksi i gjithë kësaj gjendje është kur secili udhëheqës politik a shoqëror ka sjellë kaos në institucionin që drejton, por kanë bërë rregull e pasuri marramendëse në jetën e tyre private?! Në të gjitha vitet e pasluftës, skema politike e Kosovës ka qenë jostabile, sepse pa përjashtim ai vend po udhëhiqet nga njerëz me akuza të rënda për krime politike, për krime ekonomike, për korrupsion, nepotizëm, për plagjiatura dhe për kualifikime e grada akademike të dyshuara.
Tashmë këto gjëra nuk janë fshehtësi, sepse për to flitet kudo, madje shkruajnë në gazeta, atakojnë dhe ftohen nëpër debate televizive pikërisht bosët e krimit të cilët mbajnë ligjërata patetike për këtë gjendje a atë gjendje dhe mua shumë pak më ka rënë t’i dëgjojë gazetarët që ua shtrojnë pyetjen kah e bënë gjithë atë pasuri. Tanimë gjendja bëhet edhe më e komplikuar kur drejtues mediumesh informative, drejtues Organizatash Humanitare dhe klerikë që predikojnë fe janë bërë milionerë pa pasur fabrika, pa pasur prodhimtari që i bënë të pasur. Për këtë gjendje kaq kaotike, shkruhet përditë, madje bëhen selfie për rrjetet sociale, ndërsa Policia e Kosovës, gjyqësia e institucionet përkatëse sikur po bëjnë vetëm sfilatë mediatike, me arrestimet dhe deklaratat, por pas pak ditësh të njëjtët persona i kemi të lirë në jetën publike, madje kthehen triumfalisht edhe si punonjës zyrtarë.
Vetëm në Kosovë, si askund tjetër, është folur e akuzuar aq shumë kryeparlamentari i këtij vendi, për të cilin thuhet se i ka prirë SHIK-ut, dyshohet se ka urdhëruar njerëz për të bërë krime dhe ekzekutime të shumta. Jo më pak flitet edhe për dy nënkryetarët e përjetshëm të Parlamentit të Kosovës. Edhe për ata thuhet se kanë bërë krime të rënda, politike, ekonomike, akuza për plagjiaturë e kështu me radhë. Pastaj kemi deputetë, të cilët para pak kohësh ishin të varfër, kurse sot janë bërë milionerë në një vend të varfër. Në këtë plan nuk qëndrojnë prapa as ministra, as këshilltarë e udhëheqës të shumtë, të cilët kanë bërë pasuri marramendëse, por as nuk kanë as fabrika dhe as nuk prodhojnë gjë, por ata bëjnë jetë luksoze, duke krijuar edhe kaos të përgjithshëm në Kosovë.
Në vendin tim udhëheq një kryeministër kukull, pas të cilit rëndojnë akuza e mëkate të shumta, qoftë nga e kaluara e tij komuniste apo për menaxhimin e Fondit të 3%, për të cilin flitet shumë. Në këtë plan qytetarët e tij në Gjermania kanë nisur një lëndë në Prokurori të EULEX-it dhe institucione të tjera vendore. S’ka dyshim kryeministri i tashëm është një udhëheqës teknokrat që i prin një partie, e cila tashmë edhe zyrtarisht është përgjegjëse për dështimin e Kosovës. Kryeministri, jo që ishte për vite të tëra rrënues i koncepteve të demokracisë, por ai duhet të mbahet mend se si arriti për t’u pozicionuar kryetar i një partie demokratike pa qenë kurrë anëtar i saj. Dhe që nga ardhja e tij në krye të Partisë, karriera e tij është plotësuar vetëm me dështime të njëpasnjëshme, për humbje të 5 palë zgjedhjeve, për mbajtjen peng të Kosovës, përmes Grupit të njohur VLAN. Pastaj ai i ka mbajtur zgjedhjet brenda partiake duke e lënduar rëndë procesin zgjedhor.
Në partinë e tij, të udhëhequr nga ai dhe klani i tij, nëpër shumicën absolute të degëve të partisë, procesi zgjedhor është lënduar shumë, atje të zgjedhurit nuk iu kanë nënshtruar konkurrencës dhe votës së lirë. E pikërisht ata sot janë ekzekutivi i partisë. Po ashtu edhe zgjedhja e tij në Kuvendin VIII të partisë, është bërë pa kundërkandidat dhe pa iu nënshtruar votës së lirë. Kuvendi i Partisë është mbajtur nën masa të shtuara të policisë dhe janë përjashtuar nga salla mediat e shkruara si dhe janë përjashtuar dy Degët e Partisë që veprojnë në Zvicër dhe Gjermani, ku procesi zgjedhor në ato Degë është zhvilluar konform standardeve demokratike dhe ku ka pasur votim të lirë. Por një veprim teknokrat i kryeministrit të tanishëm edhe në cilësinë e kryetarit të partisë ka qenë guximi për t’i injoruar të gjithë diplomatët dhe vendet mike të cilat kishin shprehur dëshirë për t’i përcjellë punimet e atij kuvendi.
Tashmë shihet qartë se kryeministri i Kosovës kundrejt të gjithëve sillet me një arrogancë të papërfillshme dhe përdor një fjalor mjaft vulgar. Edhe ai është i pasur, por për ma shumë ai ka edhe grada akademike mjaft të kontestueshme. Kryeministri është shumë shpërfillës ndaj qytetarëve, ndaj opozitës, por i pamëshirshëm e rrënuese sidomos ndaj udhëheqësve të degëve në partinë që ai drejton. Tashmë në partinë e tij, askush nuk guxon ta kundërshtojë, sepse ai me metodat e nëntokës i linçon dhe madje i përjashton nga puna. Kosova e sotme është bërë pronë private e kryeministrit, i cili si askush tjetër shpërfill demokracinë, kurse kultura e tij e komunikimit është edhe një argument tjetër që e bëjnë kryeministrin personin më të urryer, të padëshirueshëm brenda dhe jashtë partisë tij.
Andaj ka ngecje, ka mospajtime, ka kundërshtime dhe ka përplasje brenda dhe jashtë Parlamentit të Kosovës. Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore për t’i adresuar këto probleme të brendshme partiake, institucionet shtetërore të drejtësisë janë të kontrolluara nga vet politika që e udhëheq edhe kryeministri, po më shumë nga partneri i tij në koalicion. Po këtë kontroll e kanë vënë mbi mediat e shkruara dhe ato televizive, veçmas fjala ato që janë publike dhe paguhen edhe nga shteti. Heshtja qytetare është e dhimbshme, mosiniciativa, mungesa e guximit dhe oportunizmi brenda partisë është shqetësues, ndërsa heshtja Juaj, heshtja e shteteve mike, heshtja e Bashkimit Evropian, heshtja e Partive Popullore Evropiane (EPP), i ka mundësuar konceptit kriminal që të zhvillohet i paprekshëm deri në këtë masë.
Tashmë perspektiva në Kosovë është zbehur, shpresa se në Kosovë në një të ardhme të shkurtër do të bëhet mirë është e shuar tërësisht. Kryeministri i Kosovës me perfiditetin e një politikani të rryer në sistemin komunist, si askush tjetër i ka shfrytëzuar të gjitha sistemet, madje si askush tjetër ai për konsumin e brendshëm politik i ka shfrytëzuar vizitat dhe pritjet në vende me ndikim, madje i ndihmuar nga mediat që i kontrollon shteti, kanë sjellë mesazhe të falsifikuara për përkrahjen e tij nga ato vende, në çështjet konkrete për zhvillim ekonomik dhe për emancipim të demokracisë. Kryeministri i Kosovës është një person teknokrat dhe me përvojë në sistemin komunist që di të injorojë qytetarët e Kosovës, dhe di të tallet edhe me vendet mike dhe përgjithësisht me Bashkësinë Ndërkombëtare.
Prandaj ngjarjet, që kanë eskaluar në Parlamentin e Kosovës, duhet të shikohen nga të gjitha anët.
Ato zhvillime kanë qenë të pritura, madje personalisht ia kam thënë një diplomati me rëndësi në njërin nga takimet e mia sa isha në Prishtine. Gjendja eskaloi, deklarata të shumta për maturi e gjakftohtësi të cilat nuk i fashitin mllefet e grumbulluara prej kohësh. Tash gjendja e krijuar do qasje serioze, sepse i ka shtuar shqetësimet e qytetarëve, kurse Juve iu kanë vënë përpara sfidave të mëdha se cilën palë duhet përkrahur, në kohën kur kjo shtresë politike nuk e meriton ta udhëheq vendin, sikurse janë shumë të pamerituar edhe ata që kundërshtojnë a që dëshirojnë të marrin drejtimin e shtetit të Kosovës. Unë besoj dhe shpresoj se kursi politik i Bashkësisë Ndërkombëtare kundrejt kastës politike kaq të kriminalizuar do të ndryshojë radikalisht, dhe kjo gjë bëhet me kollaj dhe pa tronditje të mëdha, por do vullnet nga ana e juaj sepse asgjë nuk është e paarritshme.
Sidomos në lindjet e reja, mjekësia aplikon ndërhyrjen Cezarike, për të shpëtuar mëmën dhe fëmijën?! Të nderuar diplomate dhe diplomatë, po ju drejtohem me këtë letër të hapur, duke ripërsëritur konstatimin se gjendja në Kosovë është e papranueshme, por jo edhe e pazgjidhshme. Pa asnjë vështirësi mund të zbërthehet një plan i detajuar, i cili brenda dy vjetësh do t’i kishte dhënë rezultatet e tij konkrete, në njërën anë, kurse në anën tjetër do t’i kishte shtuar shpresat se në Kosovë do të bëhet mirë dhe ju do të ishit krenuar për ndërhyrjen në kohën dhe momentin e duhur.
Këtë që po e them e mbështes në përvojën time 25- vjeçare, e mbështes në trajtimin dhe hulumtimin e problemeve të cilat nuk përkojnë me analistët e tjerë që analizojnë vazhdimisht, por qasjet dhe prognozat e tyre nuk u kanë rezistuar kohëve. Tashmë e shoh se shënimet e shkurtra biografike që i paraqita më në fillim të kësaj letre, më bëjnë të ndjehem shumë i ndërgjegjshëm për këtë që e flas, për këto qëndrime të cilat padyshim janë ndikim dhe reflektim i demokracisë funksionale në vendin ku punoj dhe jetoj. Po e nis me veten time, duke shpresuar se edhe autorët e racës të shkrimtarëve e gazetarëve do të kanë kurajë të thërrasin publikisht për t’iu nënshtruar një verifikimi qoftë nga AKI-ja, Shërbimi Policor i Kosovës, nga Prokurori i Shtetit dhe organet e tjera kompetente vendore dhe ndërkombëtare, për t’i verifikuar të gjitha veprimet dhe angazhimet e secilit (pra le të niset nga unë), nëse dëshirojmë për të siguruar qytetarët dhe Juve se në Kosovë ka personalitete pa të kaluarën e kriminalizuar dhe veprimet e ardhshme të tyre nuk do të bien ndesh me ligjet në fuqi, qoftë në vendin ku unë jetojë, por edhe me ligjet e Kosovës.
Prandaj po e bëj këtë thirrje publike, si nismë e qytetarëve të mi, për të kaluar edhe tek Bashkësia Ndërkombëtare me të gjithë mekanizmat e tjerë të involvuar në Kosovë, që të nisim një verifikim profesional, dhe ai verifikim të shtrihet në planin moral, në planin politik dhe akademik për t’u shtrirë në të gjitha poret e jetës publike në Kosovë. Dhe kjo gjë le të bëhet për të gjitha personalitet publike e politike në Kosovë, të cilave duhet pamundësuar zgjedhjen dhe drejtimin e proceseve politike në parti, por sidomos për t’ua pamundësuar të gjithëve, pa përjashtim, mundësinë e zgjedhjes dhe të drejtimit të dikastereve shtetërore, qofshin ato në nivelin lokal apo ato që janë në nivelin qendror! Certifikata e verifikimit moral dhe ajo e avancimit akademik, certifikata e respektimit të procesit zgjedhor dhe certifikata e pasurisë dhe mirëqenies sociale duhet të bëhet parim themelor, nëse dikush synon të zgjidhet dhe të caktohet udhëheqës i këtij vendi. Në të kundërtën, Kosova do të ketë probleme afatgjate dhe të pazgjidhshme.
St. Gallen, 11 tetor 2015.
Shefqet Dibrani – shkrimtar
E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch
E.Mail: shefqet.dibrani@hotmail.com
https://www.facebook.com/shefqet.dibrani
*Autori është njëri nga themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër dhe Kryetar aktual i saj!
*Publikuar sot në gazetën „KOSOVA SOT“, 12.10.2015, faqe 8.