Gjashtë evropianë që njohin Sali Berishën

0
49


Nga Mero Baze

Ata janë së paku gjashtë personalitete evropiane. Është fjala për komisionerin për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, drejtorin për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Piere Mirel, nënkryetarin e grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz, kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Daul, si dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan.

Gjashtë burra, të cilët sot janë në qendër të vendimmarrjes evropiane dhe që ndikojnë me perceptimin e tyre për klasën politike shqiptare më shumë se çdo raport apo lobim që ne mund të bëjmë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ndryshe nga burokratët gjakftohtë të Perëndimit, apo zyrtarët e rangut të ulët në SHBA, këta janë koka e vendimmarrjes politike të Bashkimit Evropian.

Është fjala për institucionin, të cilin ne si qytetarë shqiptarë i kemi dorëzuar me vetëdije sovranitetin e vendit tonë, në rast se ata na hapin dyert dhe na pranojnë të jemi pjesë e tyre. Për fat të mirë ata nuk dinë shqip dhe nuk shikojnë televizionet shqiptare. Shpresoj që opozita të mos bëhet destruktive në këtë rast dhe të filmojë seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë dhe t’ua dërgojë ta shikojnë. Por dhe nëse arrijmë të vendosim këtë censurë kombëtare me “konsensus”, dhe nëse arrijmë ta izolojmë të keqen brenda vendit dhe të sillemi me ta sikur nuk ka ndodhur gjë, një gjë është e parashikueshme që do të ndodhë.

Një ditë Sali Berisha do të shkojë prapë këto muaj që vijnë në Bruksel dhe do t’i takojë këta gjashtë burra një nga një, apo të gjashtë së bashku. Do t’i takojë dhe do tu shfajësohet përse nuk e ngriti Komisionin Hetimor të zgjedhjeve në Shqipëri. Por një nga dhjetëra broçkullat që tha në Kuvend, shpresoj të mos ua thotë atyre. Të mos u thotë, ashtu siç e tha qetësisht në Kuvend, se: “Edi Ramës i ra të fikët në hotel Krokodil, kur dikush nga ata të gjashtë i tha se kutitë nuk mund të hapen kurrë”.

Vasilika Hysi, zonja e vënë në siklet nga vërshimi i përroit psiqik të Sali Berishës në Kuvend, mund ta mbajë ende sekretin tek liderët evropianë rreth vulgaritetit të Sali Berishës në Kuvend. Por fjala gjithsesi mund të shkojë deri tek ata. Pra, ata të gjashtë së bashku, ose një nga një, do të mësojnë në një mënyrë apo tjetër nga ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri se Sali Berishës për të mos zbatuar rekomandimin evropian për Shqipërinë, i është dashur të shpikë dhe një skenë vulgare ku si dëshmitarë ka bërë ata të gjashtë së bashku. Vendoseni veten në vend të këtyre gjashtë personaliteteve, që kanë në dorë fatin e Shqipërisë, qoftë dhe për një moment, e përfytyroni si do të skuqet Komisioneri Fyle, i cili vjen nga një vend komunist, por që një gërdallë të tillë si ky i yni e kanë nxjerr në pension një dekadë më parë.

Përfytyroni aleatët politikë të zotit Berisha siç është Xhozef Daul se si do të vihet në siklet dhe do të bëjë sikur nuk e dëgjoi. Përfytyroni sa entuziast do të bëhet socialisti Svoboda, të cilin Berisha e quajti në seancën e Kuvendit dhe antishqiptar. Përfytyroni si do ngrijnë muskujt e Eduard Kukanit, që kryeson delegacionin e Evropës Juglindore në Shqipëri, dhe natyrisht përfytyroni pak Pier Mirelin, “kryeministrin de facto” të Shqipërisë në Bruksel, i cili mban nën mbikëqyrje çdo progres dhe regres të këtij vendi në rrugën e deklaruar drejt Bashkimit Evropian.

Le t’i harrojmë një çast degustimet e miliona shqiptarëve nga përroi psiqik i këtij njeriu. Le t’i harrojmë për një moment kokat e ulura të deputetëve të PD-së që bënin sikur nuk dëgjonin dhe shikonin një njeri jashtë kontrollit. Le t’i harrojmë për një moment dhe acarimet e opozitës dhe reagimet e tyre ndaj përroit psiqik të Sali Berishës. Por Perëndimi nuk ka as hallin dhe as durimin tonë në fatkeqësi. Ky njeri i di ata gjashtë burrat që ishin në hotel Krokodil si ata gjashtë bythecët që mbledh në zyrën e tij dhe u tregon përralla.

Në të vërtetë ata janë njerëzit që merren seriozisht, më shumë se çdo shqiptar, me rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Në momentin që atyre u raportohet ajo çfarë ka ndodhur në atë sallë, dhe përfshirjen e tyre në një stërkalë të përroit psiqik të Sali Berishës, minimumi mbyllin për ca kohë të dëshpëruar dosjen tonë duke ndjerë keqardhje për fatin tonë të keq. Ata minimumi janë njerëz normal, dhe si të tillë përpara se të jenë evropianë apo demokratë, janë njerëz që kanë një raport normal me të vërtetën dhe faktet.

Mjafton të dëgjojnë se janë dëshmitarë në një gjë që as e kanë parë dhe as e kanë dëgjuar, për të mos e parë më në sy, për të mos e dëgjuar më kurrë dhe për të mos e dëgjuar për asgjë kryeministrin e vendit tim. Dhe ky është një dënim i madh për të gjithë ne, pasi jemi të dënuar të mos kemi më asnjë interlokutor të vendit tonë me Perëndimin. Ky që është formalisht, pas kësaj është thjeshtë një i çmendur.