Gjakmarrje, hakmarrje, apo inekzitencë e shtetit?

0
74

PJERIN NDREU, 22 shtator 2012

Vrasjet e viteve të fundit, sidomos ato për gjakmarrje, kanë zgjuar një debat me anë të të cilit shumë personazhe të njohura të publicistikës, të medias, juristë dhe nga shoqëria civile, por tek-tuk ndonjë politikan, janë munduar, kush më shumë e kush më pak, të hedhin dritë mbi një fenomen primitiv që quhet gjakmarrje. Nuk kam dashur të përfshihem në këtë debat, pasi si pikë referimi është bërë ngjarja e Dukagjinit, ku u vra dhe një vajzë 17-vjeçare nga dora e gjakësit!

Gjithkush duhet ta dënojë këtë rast dhe të tjera që kanë ndodhur. Por, duke qenë se vij nga ato treva të Veriut dhe njohës i Kanunit, duke marrë shkas dhe nga një dekret i Kishës për shkishërimin e atyre që bëjnë vrasje për gjakmarrje dhe hakmarrje, por më shumë për shkak të mosnjohjes sa duhet të problematikës së gjakmarrjes nga shumëkush këtu, mendoj se janë më vlerë disa vlerësime.

Nisur nga vrasja e ndodhur në Dukagjin, ku u vra dhe vajza 17-vjeçare Maria, lind pyetja: a është kjo gjakmarrje? Unë them jo. Sepse gjakmarrja është një term kanunor dhe saktësisht e përcaktuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Asnjë rresht në Kanun nuk thotë se vritet fëmija, e aq më shumë femra. Kanuni ishte kodifikim rregullash në një etapë të caktuar të zhvillimeve shoqërore, kur shteti nuk ekzistonte dhe politika e ndëshkimit ishte në dorë të individëve, të cilët çdo konflikt e zgjidhnin me vetëgjyqësi, pa ndërmjetësimin e askujt. Vrasjet e shumta dhe për pasojë hakmarrjet pa kriter, merrnin jetë njerëzish pa asnjë rregull e asnjë normë parandaluese apo ndëshkuese.

Pra, për shkak të fenomenit të hakmarrjes aq të shprehur në vendin tone dhe për shkak të daljes jashtë kontrollit të veprimeve të ndërsjella mes familjeve të autorit dhe viktimës, u përcaktua gjakmarrja, e cila, nga ana e saj, vendoste rregulla të detyrueshme. Dhe në atë kohë gjakmarrja, megjithëse promovonte marrjen e gjakut, ishte rregullator i një serie marrëdhëniesh e raportesh që sot janë zhbërë. Shtrohet pyetja: cili është problemi që duhet të marrim në konsideratë: gjakmarrja, hakmarrja, apo inekzistenca e shtetit dhe mekanizmave të tij?

Unë mendoj se është kjo e fundit. Bile strukturat e shtetit abuzojnë me gjoja ekzistencën e gjakmarrjes dhe pamundësisë për ta vënë këtë krim në kontroll. Gjakmarrja nuk ekziston më në kuptimin absolut, por mbeturinat e saj që keqpërdoren për të kryer veprime që gjakmarrja as i ka lejuar e as i koncepton të ndodhin. Krimet e gjakmarrjes po rikthehen në tipin e hakmarrjes ku s’ka rregulla, ku vritet kushdo e kurdo, ku nuk respektohet kufoma, ku nuk respektohen palët, ku s’ka institute ndërmjetësimi e bese, ku objekt janë njëlloj si fëmijët, si gratë, ashtu dhe të rriturit.

Po pse gjakmarrja nuk mund të konsiderohet më si e tillë? Sepse nuk ekzistojnë më bazat ekonomiko-shoqërore të zhvillimit të saj. Se familja nuk është më tipike patriarkale (megjithëse ka akoma tek-tuk) dhe nën hyqmin e të zotit të shtëpisë apo organeve të pleqësisë së fiseve apo fshatit. Vendimmarrja është në dorën e të rinjve që ose të emigruar jashtë, ose të rritur këtu, nuk e njohin dhe nuk zbatojnë asnjë kriter të Kanunit. Vrasin për gjak, por pa rregulla. Pra nuk marrin gjak, por marrin hak. Marrja gjak dhe marrja hak është e njëjta gjë sepse merr jetë, por dallohen në rregullat që zbatohen.

Të marrësh gjak e të vrasësh fëmijë, gra, t’i ngujosh, të vrasësh më shumë se dy veta, të shëmtosh kufomën, nuk është kanunore. S’ka asnjë lidhje me marrjen e gjakut sipas Kanunit. Për pasojë, edhe rregullat e Kanunit nuk ekzistojnë, por aplikohen sipas qejfit të individëve në mungesë të kontrollit të strukturave shtetërore.

Në kushtet e këtij ndryshimi, strukturat e shtetit duhet të jenë më të orientuara dhe të përgjegjshme. Duhet të forcohet sistemi i zgjidhjes së konflikteve që kanë tendencë të përfundojnë me plagosje, vrasje etj. Duhet të theksojmë se vrasja për gjakmarrje apo hakmarrje është gjithmonë e dyta, pra vjen pas një vrasjeje apo plagosje me armë të bërë për motive të tjera që s’kanë lidhje me gjakmarrjen apo hakmarrjen. Sa vrasje kanë ndodhur në Veri për arsye konfliktesh pronësie për shkak të ligjit të famshëm 4501 dhe sa vrasje kanë ndjekur rrugën e gjakmarrjes?

Pra, parandalimi i ngjarjeve të tilla do sillte uljen në mënyrë të ndjeshme të akteve të marrjes gjak. Gjakmarrja nuk është fenomen për t’u lavdëruar, përkundrazi. Por, nga ana tjetër, me termin gjakmarrje nuk mund të abuzojmë dhe mbulojmë paaftësinë e strukturave të shtetit në parandalimin e ngjarjeve kriminale. Strukturat e shtetit, si Policia, pushteti lokal, organizatat e ndryshme joqeveritare, nuk janë në unison për parandalimin e ngjarjeve të tilla në zonat ku shfaqet fenomeni. Përmasat që ka marrë vrasja për hakmarrje me fasadë gjakmarrjen janë rritur dhe kanë shtuar dozën e egërsisë.

Situata ka dalë jo vetëm jashtë kontrollit të Kanunit, por dhe jashtë kontrollit të shtetit. Ne nuk kemi pse e gjejmë zgjidhjen te Kanuni më, sepse zbatimi i rregullave të tij është në tkurrje dhe nuk frenon askënd. Referenca e Kanunit është ajo që duhet të marrësh gjakun, që në dallim nga hakmarrja, është e detyrueshme, por se si e ku, mbi kë dhe ne ç’masë, askush nuk pyet më. Për sa thashë më sipër, Kanuni është një gjë që na turpëron, por më duket se nuk është ai që ka forcën e duhur. Sepse Kanuni ka rregulla, të cilat nuk dëgjohen të zbatohen e konsiderohen më.

Atëherë kemi të bëjmë më një zhvillim të ri të marrjes së gjakut apo hakut. Dhe kjo është shumë ë rrezikshme se pse Kanuni nuk përfillet dhe shteti nuk e vë ujin në zjarr. Pra jemi në mëshirë të Zotit. Shteti jo vetëm që nuk parandalon krimin, por nuk kujdeset as për shpikjet kanunore të kohëve të fundit që marrin gjak në mënyrë të pakontrolluar nga asgjë. Të thuash se u vra, u ngujua, u dhunua një fëmijë apo një grua, nuk mendoj se ka lidhje me Kanunin. Kritikët e Kanunit nuk duhet ta kalojnë masën, sepse kështu nuk i shërbejmë as zbutjes së gjakmarrjes, as zhdukjes së Kanunit, as uljes së kriminalitetit.

*Ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit