Gjakmarrja, krimi që na identifikon në botë

0
33

Anila Dushi, 12.08.2010

Dhe pse ka vite që flitet shumë, fillimisht duke u përpjekur të minimizohet e më pas duke u pranuar, shteti akoma ndihet i pafuqishëm ndaj fenomenit të gjakmarrjes.

I ridalë në skenë pas vitit 1990, fenomeni i trishtë i së kaluarës, që në të vërtetë është deformuar e degjeneruar, sa duket si të jetë fenomen i ri, vazhdon të godasë diku me plumba, diku me ngujime, diku me vuajtje. Në statistikat zyrtare të policisë, në çdo analizë njëvjeçare, të bën përshtypje se vitet e fundit, vrasjet për gjakmarrje kanë cilësim më vete.

Kur raportohet për vrasjet e ndodhura gjatë një viti në qark, theksohen sa prej tyre janë për gjakmarrje. Ky është një tjetër tregues se shteti ligjor është akoma i pafuqishëm për të eliminuar këtë njollë të errët që damkos shqiptarët që ëndërrojnë t’i bashkohen Evropës së qytetëruar.

Më ka ndodhur të jem e pranishme në skena krimi për gjakmarrje, të takoj të ngujuar (ata prej së vërteti, pasi ka dhe shumë të tjerë që deklarohen të tillë, për qëllime të ndryshme, por realisht nuk janë të ngujuar), të shoh gra që me vështirësi përballojnë jetën se burrat duhet të fshihen nga gjakësi, fëmijë të privuar nga shkolla e gëzimet e moshës, pasi kanë frikë nga plumbat.

Ka dhe prej tyre që nuk e durojnë më varfërinë e ngujimin dhe vendosin të dalin duke sfiduar jo gjakësin, por edhe shtetin që nuk i mbron dot. Madje, ka raste kur plumbin e pret me vetëdije të plotë, pasi çon fjalë se do dal, dhe po deshte hajde më vrit, siç ndodhi në dhjetor të 2003-shit në Shkodër.

Gjakmarrja e ka folenë e saj në veri të vendit, edhe pse krime për gjakmarrje apo hakmarrje ndodhin dhe në zona të tjera. Me ose pa qëllim shpesh ngatërrohet gjakmarrja me hakmarrjen, që në fakt janë të ndryshme. Gjakmarrja është krim me paramendim, ka mundësi të parandalohet po qe se shumë faktorë bashkërendojnë punën me një qëllim të përbashkët e pa përfitime.

Kur ndodh një vrasje, familja e autorit apo dhe fisi i tij nuk del jashtë, pra ngujohet. “Kjo dhe për respekt të viktimës“, më thoshte para ca vitesh xhaxhai i një personi, që kishte vrarë, derisa të gjendet mënyra për të komunikuar me familjen e dëmtuar dhe vendosur se çfarë do të bëhet. Dhe shteti e di këtë, po nuk “përzihet” dot në marrëdhëniet mes palëve. Madje policia ka edhe statistika të të ngujuarve dhe e di pak a shumë se nga kush ruhen ata.

Është e qartë se policia nuk mundet të kontrollojë lëvizjet e gjithë meshkujve të rritur të familjes së viktimës, të cilët mund të vrasin, por nga informacionet që ka, mund të parandalojë vrasje të tilla. Nuk është se kjo nuk ka ndodhur, madje ka raste që persona të përfshirë në gjak në bashkëpunim me policinë kanë mundur të ndalojnë krime të pritshme.

Fenomeni i gjakmarrjes ka ndryshuar nga ai i mëparshmi, pasi ai nuk përjashton fëmijët meshkuj apo dhe femra, që nuk është se rrezikohen nga plumbi, por nuk dalin dot të pambrojtura.

Në disa raste ngujohet e merret gjak vetëm tek familja e vrasësit, në të tjerë harta shtrihet më tej. Fëmijët në vitet e fundit nuk janë kursyer nga plumbi i gjaksit dhe raste të tilla në Shkodër ka pasur në vitin 2001, 2002, 2004 , ashtu si nuk kursehen as femrat që rastësisht janë bashkë me të afërmit e tyre meshkuj, dhe vriten edhe ato.

Për gjakmarrjen është folur e vazhdon të flitet, janë mbajtur konferenca mbarëkombëtare e rajonale, tubime e takime edhe të nivelit të lartë, të cilat nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm i kanë shtuar publicitetin e padëshiruar këtij fenomeni, i cili fatkeqësisht na identifikon edhe në vendet e tjera.

Mjafton të kujtoj se më ka ndodhur që thuajse çdo vit, gazetarë të huaj të vijnë në Shkodër dhe të kërkojnë ndihmë se duan të bëjnë reportazhe apo dokumentarë për gjakmarrjen. Është për të ardhur keq, që shqiptarët shpesh indentifikohen në botë me anët e tyre më të këqija.

Dhe gjakmarrjet vazhdojnë. Shoqatat e pajtimit kujdesen më shumë për projekte e organizim konferencash, shteti edhe kur ndodh të marrë në mbrojtje familjen e autorit, këtë e bën vetëm për 1 apo 2 ditë, njerëzit rrinë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në probleme të tilla, pasi dhe pasojat e prerjes në besë apo mosmbajtjes së fjalës ka pasur raste, që kanë qenë të rënda.

Krimi për gjakmarrje ka një dispozitë të veçantë në Kodin Penal shqiptar dhe dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet ose burgim të përjetshëm. Duke parë rastet e ndodhura, krimet për gjakmarrje të shqyrtuara nga gjykata, del se në shumë pak raste kemi dënim me burgim të përjetshëm, madje tre a katër vitet e fundit nuk ka të tilla. Edhe ky është një tregues që i “jep jetë” fenomenit, i cili vazhdon deri nuk dihet se kur të vrasë.

Gjakmarrja dhe fëmijët

Deri në muajin maj numëroheshin të paktën 52 fëmijë në moshën shkollore të cilët ishin të ngujuar për shkak se familjet e tyre ishin në gjak. Ende nuk ka statistika të sakta në këtë drejtim, gjithsesi qendra e Poliçanit, e cila ishte përcaktuar për fëmijët që vuajnë nga gjakmarrja ende nuk është hapur dhe fëmijë të tillë vijojnë të rriten të mbyllur brenda banesave të tyre.