Gilman Bakalli: Një popull që nuk beson tek shteti dhe tek tjetri është në krizë

0
38

Intervista “START 19+1” – Nga: Artan Dokuzi / Eno Shkëmbi, 15.04.2013

Në intervistën e radhës “Start 19+1” vjen Gilman Bakalli, pedagog, autor shkrimesh, ish-deputet i PD-së. Për të, të qenët “monark”, “komunist” apo “demokratik” janë thjesht etiketa, që nuk kanë rëndësi kur burrat e shtetit akumulojnë me çdo kusht pushtet. Kur i kërkohet një njeri që e frymëzon, ai thotë se të marrësh si shembull personazhe historike është një lojë naive dhe e rrezikshme.

1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Veproj si patriot, ndjehem si kozmopolit. Kam nevojë jo vetëm për rrënjë por edhe për krahë.

2. Majtas apo djathtas?

Jam i djathtë skeptik. Individi është një mit! Besoj tek fuqia e individit, por ia kam frikën babëzisë të tij të pakontrolluar/eshme. E vlerësoj konkurrencën e lirë mes individësh si energji, që sjell begati e prosperitet, por kam frikë kur kjo konceptohet si një kopsht pa zot ku lulëzojnë lirshëm lule, ferra e shkurre. Jemi bërë këta që jemi jo përmes konkurrencës, por përmes bashkëpunimit në komunitet.

3. Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Mendoj shumë, pastaj veproj me intuitë.

4. Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?

Si individ më interesojnë tej mase vendimmarrjet e jetës së përditshme. Një libër që më ka bërë të reflektoj dhe ta rishikoj mitin e njeriut si qenie racionale është libri i Dan Ariely, “Predictably irrational”. Ndërsa si pjesëtar i një shoqërie, reflektoj në lidhje me vendimmarrjet e grupeve shoqërore. Një libër që ma ka nxitur tej mase reflektimin për këtë problem është libri i Jared Diamond, “Collapse. How societies choose to fail or to succeed?”. Besoj se ngacmimi për reflektim fillon qysh në titull.

5. Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Sigurisht që kanë ndryshuar shumë gjëra dhe është relative të thuash për mirë apo për keq. Sa i takon qëndrimit tonë ndaj shtetit, mund të konstatojmë se ai ka evoluar nga shpresa për të pasur një shtet të fortë (pas viteve ’20), tek frika ndaj shtetit të fortë (regjimi diktatorial), tek mosbesimi se mund të kemi një shtet të fortë institucionalisht (aktualisht).

6. A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Një popull që nuk beson tek shteti dhe tek tjetri është përgjithësisht në krizë. Është vazhdimisht i shqetësuar dhe i pasigurt. Nuk është vetëm fenomen shqiptar, është mbarë-evropian. Janë simptoma tipike të një shoqërie si e jona, e cila deri para dy dekadash ishte më tepër “bashkësi” apo “komunitet” sesa shoqëri e mirëfilltë në kuptimin modern të fjalës.

7. Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Kjo pyetje kërkon një mendim të mençur dhe, siç e thashë më sipër në pyetjen 3, kur dikush më kërkon një mendim të mençur, mendohem shumë…

8. A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Që më frymëzon për çfarë? Personazhet historike janë figura komplekse dhe kanë jetuar në kontekste të ndryshme historike. T’i marrim si shembuj që të na udhëheqin në jetë është sa naive aq edhe e rrezikshme. Historia na ka treguar se jo rrallë, të gjallët mund të abuzojnë tej mase me të vdekurit. Nuk janë të pakët filozofët, të cilët kanë qenë personazhe frymëzuese për diktaturat. Shpesh, figurat historike keqpërdoren nga drejtuesit e shtetit për të përligjur pushtetin.

9. Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratikë janë liderët e sotshëm politikë?

Ç’rëndësi kanë etiketat “monark”, “komunist” apo “demokratik”, kur ato shënjojnë thjesht burra shteti të cilët kërkojnë me çdo kusht të akumulojnë sa më shumë pushtet dhe ta ruajnë atë për një kohë sa më të gjatë?

10. Pas 20 viteve tranzicion, jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në post-demokraci. Teatri politik nuk ka më nevojë për spektatorë. Shumica e qytetarëve luan thjesht një rol pasiv dhe apatik, thjesht si reagues ndaj sinjaleve që merren mediatikisht. Nën hijen e një inskenimi të tillë politik, real-politika zhvillohet pas dyerve të mbyllura: nga qeveritarët dhe elitat, të cilat para së gjithash përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat ekonomike. Një teatër të tillë, ku partitë dhe aktorët politikë luajnë me njëri-tjetrin pa praninë e audiencës, politologu britanik Colin Crouch e quan “post-demokraci”.

11. Shqiptarët, orientalë apo oksidentalë?

Edhe orientalë edhe oksidentalë. As orientalë as oksidentalë.

12. Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?

Kanë të përbashkët faktin se as njëri e as tjetri nuk ekziston. Dallohen nga njëri-tjetri vetëm nga steriotipet.

13. “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Purtekë, pra ndëshkim, për atë që nuk e mban. Ar, pra shpërblim, për atë që e mban. Vazhdon të mbetet e tillë. Besën sot e quajmë besim reciprok, vazhdon të mbetet instanca e vetme që rregullon marrëdhëniet ndërnjerëzore. Transaksionet, kontratat e të tjera forma legale si këto, nuk e zëvendësojnë atë. Na duhet t’u besojmë atyre që kemi përreth. S’kemi rrugë tjetër.

14. Tirana, metropol apo fshat urban?

Mbrojtja nga rreziku ka qenë përherë një nga motivet kryesore për ndërtimin e qyteteve, të cilat rrethoheshin me mure të larta. Këto mure shënjonin kufirin midis “nesh” dhe “atyre”, midis rregullit dhe primitives, midis paqes dhe luftës. Në daç si metropol, në daç si fshat urban, Tirana sot rezulton shembulli më ilustrues i përmbysjes së kësaj paradigme. Jeta në Tiranë i afrohet asaj jetës në “gjendjen natyrore”, ku dominon terrori (akustik e viziv), frika e stresi i vazhdueshëm. Rreziku ndodhet në qytet. Vetëm jashtë tij mund të gjesh paqen e kërkuar.

15. Çfarë është kombi për ju?

Identiteti im i trashëguar. Është vendi ku prehem pasi mendja ime lodhet së fluturuari në hapësirat kozmopolite.

16. Çfarë është familja për ju?

Është spiranca që më mban të ekuilibruar në sipërfaqen e trazuar të ujërave të së përditshmes…

17. Një vend që ju ka bërë përshtypje?

Bahçet e shtëpive shkodrane, në lagjen ku kam kaluar fëmijërinë. Mendoj se në këtë vend janë mbrujtur standardet e mia të gjykimit estetik.

18. A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Unë bëj një punë, të cilën e dua fort dhe e bëj me qejf të madh. Ky është kulmi!

19. Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Do të doja që këtë pyetje të ma bënte ai që ma dha jetën dhe jo ju! Dhe nëse do ma bënte ai, do i kërkoja të mos i ndryshonte disa gjëra…

20. Si e shihni të ardhmen e të djathtës shqiptare?

E djathta shqiptare në një shtet me institucione të dobëta si ky i yni nuk mund të ekzistojë. E djathta që aspiron një treg të lirë pa një shtet të fortë, nuk mund ta kthejë Shqipërinë në një kopsht buzë Adriatikut, por thjesht e degjeneron këtë kopsht në një rrëmujë shkurresh, ferrishtesh e barërash të këqija.