TemA Online, 21 Qershor 2013
Geri Kokalari, duke folur në një intervistë për “Shqip”, ka thënë se me skandalet e shumta të korrupsionit, Berisha e bëri Fatos Nanon të dukej si një amator në këtë fushë.
“Në Shqipëri nuk ka transparencë, qeveria është pafundësisht e korruptuar dhe në fund nuk ka gjykata ku të gjesh të drejtën, sepse të gjitha janë të kontrolluara dhe të manipuluara nga Sali Berisha. Është pikërisht ky personi kryesor që pengon vendosjen e ligjit dhe demokracisë në Shqipëri.
Unë kam takuar dikë që ka shkuar në shkollë me Sali Berishën. Ai më tha se Berisha që atëherë kishte përshtypjen se ekzistonin vetëm yjet dhe vetë zoti Berisha. Ai është një egoist i madh, një lojtar maniak. Të vetmen gjë që kërkon të shprehë, janë rrugët që mendon se ka ndërtuar. Në Shqipëri me të vërtetë duheshin rrugë të reja, por sa qindra miliona euro të tepërta shpenzoi ai në një rrugë të vetme. Ai solli një kompani amerikane për ta ndërtuar atë rrugë, një kompani që ishte e dalluar për çmimet e larta dhe atij i duhej që të merrte borxh qindra milionë dollarë. Por Berisha nuk e çau kokën dhe sa shumë spitale dhe shkolla duhet të ishin ndërtuar nëse ai nuk do të shpenzonte gjithë ato para të tepërta, duke shmangur konkurrencën. Dhe këtë ai e bëri për egon e tij personale, pasi donte të bënte diçka që të thuhej se e ndërtoi vetë ai”, shprehet ai.
Ndërsa Fatmir Mediun, Kokalari e cilëson si një gjarpër.
“Për opinionin tim, ai ka moralin e një gjarpri. Unë e njoh Fatmir Mediun shumë mirë. Ai ka qenë në shtëpinë time. Nëpërmjet një shokut tim, ai më kërkoi që unë ta takoja, sepse ai dinte se unë isha aktiv në marrëdhëniet me administratën amerikane dhe komunitetin shqiptar në Amerikë. Fatmir Mediu është një mjeshtër për të krijuar marrëdhënie. Ai vishet shumë mirë, me kostume të shtrenjta dhe mban në dorë orë të shtrenjta. Të krijon përshtypjen e një njeriu të mirë, të tregon atë që t’i do të dëgjosh dhe nuk ka rëndësi nëse ai e beson vetë apo jo. Pra, është një diplomat i djallëzuar me maskën e politikanit. Një mafioz që për interesat e veta kthehet në vrasës.
Ai ka kryer shumë vizita në Uashington dhe zyrtarët amerikanë mendojnë se kanë të bëjnë me një njeri me të cilin mund të bashkëpunojnë. Por ai ishte i zoti që t’u shiste atyre armë të vjetra, duke u përfshirë në këtë aferë. Ai ishte i përfshirë në procedurën e demontimit të armëve në Gërdec, e cila në analizën finale ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara. Dhe në këtë pikë Shtetet e Bashkuara kanë edhe ato një përgjegjësi në procedurë në demontimin e armëve, sepse shkaktoi vdekjen e 26 personave. Pra në këtë pikë të gjithë kanë një farë përgjegjësie“./b.l