Gërdeci me megavatët

0
59

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 09.01.2010

Prej ditësh, mbi kokat e shqiptarëve qëndron fantazma e një përmbytjeje biblike që do të merrte përpara gjithçka në ultësirës veriperëndimore të vendit, duke shënuar një kataklizëm të pashembullt në vend.

Opozita e majtë e ka krahasuar gjendjen aktuale me një Gërdec tjetër, dhuratë nga po i njëjti kryeministër, duke apeluar banorët që të paktën të shpëtojnë jetët e tyre, sepse pasuritë dhe katanditë ua mori qeveria. Qeveria është mbrojtur, duke fajësuar rëndimin e kushteve atmosferike, me reshje të shumta, dhe temperatura të larta, që kanë shkrirë dy herë dëborën e rënë dy javëve të fundit.

Por, nuk është e vështirë të bëhet njëfarë autopsie e shifrave dhe synimeve që kanë sjellë në këtë pikë ku ndodhet sot, Shqipëria në janar 2010, pak a shumë si në mars 2008.

Nëse sot qeveria ka mbledhur në ujëmbledhësit e kaskadat disa miliarda metër kub ujë për të bërë biznes megavatësh nëpërmjet eksportit të tyre, duke përdorur KESH-in, këtë bëri edhe firma private e Mihal Delijorgjit në Gërdec për disa muaj rresht me municionet dhe barutin e nxjerrë prej tyre, për t’i lënë ato vetëm 10 kilometra larg Tiranës në pritje të një oferte të mirë për ta shitur jashtë shtetit.

Baruti i Gërdecit mori flakë dhe hodhi në erë gjysmën e Vorës, vrau 26 shqiptarë, plagosi mbi 300 dhe riktheu fantazmën e një vendi nga më të pasigurtët në botë, sepse qeveria në bashkëpunim me privatët kishte ngritur biznes vrastar në zemër të zonës metropolitane Tiranë-Durrës.

Prej muajsh, qeveria, nëpërmjet KESH-it ka grumbulluar pa reshtur miliarda metër kub ujë në basenet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës apo Ulzës, jo pse i ha barku për furnizimin 24 orë me energji të shqiptarëve, por pse megavatët këmbehen në euro dhe qeveria e di shumë mirë këtë zanat, ashtu si në Gërdec.

Për tu kthyer te shifrat: dimri 2009 dhe fillim i 2010 nuk është një vit i paparë. Është një ëndërr e keqe ajo e vitit 2005.

Në nëntor në atij viti liqeni i Fierzës, rregullatori i liqeneve në kaskadën e Drinit ishte në nivelin 254 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që “pika e vdekjes” është 245 metra. Berisha, i ardhur vetëm dy muaj më parë në pushtet me premtimin për 24 orë energji elektrike, nuk gjente vrimë miu të futej. Por, edhe atëherë Perëndia nuk mund të fajësohej.

Qeveria me dashje, siç do të bënte edhe një vit më vonë, me anë të drejtorit të KESH-it, emigrant në Itali, kishte zbrazur ujin e baseneve, për të lënë si shteg të vetëm mbijetese importin e kushtueshëm.

Vetëm një muaj më pas Zoti e ndihmon sërish qeverinë. Në njoftimet e KESH-it thuhej se niveli i liqenit të Fierzës u rrit mbi 255 metra, dhe niveli sipas korporatës ishte i krahasueshëm me dimrin e vitit 2001. Vetëm në 4 dhjetor 2005 prurjet e ujit në liqen, ishin 4 herë më tepër se prurjet mesatare vjetore të Drinit, me 1350 metër kub ujë në sekondë.

Dy vite më vonë, në të njëjtën kohë, po sipas KESH, prurjet në Fierzë ishin 700 metër kub në sekondë. Në dhjetor 2008, sipas të dhënave të KESH-it, reshjet e mëdha bënë që prurjet në basenet ujore të hidrocentraleve të arrinin deri në rreth 1 mijë metra kub në sekondë dhe Divizioni i prodhimit vendosi të ndërpresë përkohësisht punën në Fierzë për të shtuar rezervat hidrike.

Aq i mbarë ishte ai vit hidrik, saqë në prill 2009 KESH, me anë të Muharrem Stojkut, atëherë zv.drejtor i përgjithshëm i KESH, hapte tender për të shitur jashtë disa mijëra megavatorë energji elektrike (shih linkun e KESH në www.mete.gov.al). Natyrisht që paratë duheshin për buxhetin e shtetit, i cili do të përdorej i gjithi më vonë për të vjedhur zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.

Ajo çka del në vija të trasha është se qeveria dhe KESH e kanë ditur situatën dhe kanë punuar me vetëdije të plotë që të sjellë mbi kokat e shqiptarëve Gërdecin e megavatëve. Para se të ikte nga zyra e drejtorit të KESH, Gjergji Bojaxhiut iu vu mbi tryezë një shkresë ku njoftohej për kërkesën e korporatës për të marrë një kredi tjetër me terma tregtarë, e cila do të përdorej për të shlyer një pjesë të borxheve e shtresuara. Bojaxhiu refuzoi dhe e pa veten në rrugë.

Në vend të tij është tani njeriu që ka një përvojë shumëvjeçare në Divizionin e Prodhimit, që ka “ngrënë” disa ministra dhe drejtorë dhe tani duhet të firmosë borxhet e vjetra dhe të reja. KESH, vetëm pak ditë më parë krenohej se kishte fituar 15 milionë euro nga eksporti i energjisë, kompania e privatizuar e shpërndarjes vijonte importimin dhe qeveria grumbullonte ujë pa fund në basene, ashtu si në dimër-pranverën 2008 Delijorgji grumbullonte barutin në Gërdec.

Pas asaj tragjedie shtetërore që qeveria ende e quan aksident teknologjik, dhe miklohet pse në zhargonin popullor thirret “qeveria e Gërdecit”, opozita dhe ajo pjesë e përgjegjshme e shoqërisë civile duhet të marrin një vendim radikal: larg qoftë të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të tallte menderen me mijëra viktimat e gërdecit energjetik, që edhe sot gdhihen nën ujë.

Duhet t’i thonë “ndal” një kryeministri që vetëm Gërdecë di të ndërtojë dhe vetëm pare gjaku të bëjë.