Nga Lavdosh Ferruni, 15 Gusht 2012
Ripushtimi i Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj (PJESA E DYTE)
“Elbasani me prodhimin e sotëm, 500 mijë ton, mund të mbulojë nevojat e tij për skrap vetëm 10% nga tregu i brendshëm, pjesa tjetër duhet të vijë nga jashtë”, ka thënë në Komisionin parlamentar z. Zeki Kaya, drejtor i KURUM. Pra ne kemi një kombinat që punon 90% me skrap të importuar. Ky pohim mjafton për të rrëzuar plotësisht alibinë e qeverisë se importi i mbetjeve është futur në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve në funksion të pastrimit të vendit.
Kjo skemë me import skrapi si në Shqipëri nuk ka të ngjarë të ekzistojë në ndonjë vend tjetër të botës. Duke shtuar dhe importet e skrapit nga kompani të tjera, si aprovimi së fundmi i importimit të 30,000 ton mbetje alumini, pritshmëria e lejes për import skrap makinash deri nga Spanja (shih më poshtë rastin e Spanjës) prej fabrikës së Xhafzotaj në Durrës për 30,000 ton e ndonjë tjetër që akoma nuk e dimë, Shqipëria arrin rreth 1 milion ton skrap të importuar e përpunuar. E gjithë bota përpunon rreth 400 milion ton skrap, prej të cilës vetëm 5% tregtohet. Kështu, nga rreth 20 milion ton skrap që tregtohet në botë, 1 milion ton i përkasin Shqipërisë.
Kjo bën që Shqipëria në mënyrë absolute të zërë vendin e parë në botë për import të skrapit për frymë të popullsisë, apo për km2 të territorit. Kjo sasi gjigande për Shqipërinë është katastrofë e vërtetë për mjedisin në Shqipëri dhe në planin afatgjatë shkak për një rrënim ekonomik të vendit, si rrjedhojë e shkatërrimit të pakthyeshëm të mjedisit, në mënyrë të veçantë e ndotjes së burimeve ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore si dhe vija bregdetare e thuaj gjithë pjesës shqiptare të Adriatikut. Ndotja më e dukshme tani është ndotja e ajrit.
Ambientalisti Sazan Guri për të treguar shkallën e lartë të ndotjes së ajrit thotë se Kurumi e nxjerr tymin me çati, jo me oxhak. Nga djegia e skrapit të hekurit duke ju referuar vetëm shifrës së importit për 1 vit prej 600,000 ton hidhen në atmosferë rreth 1 milion ton CO2 ose rreth 10 % e gjithë CO2 të emetuar në Shqipëri, e cila në referencë të bursës së karbonit ekuivalentohet në mbi 20 milion euro të humbura në vit për Shqipërinë, në formën e përjashtimit të një investimi të mundshëm të gjelbër. Emesionet e lëndëve të rrezikshme që nuk kapen edhe nga filtrat më të mirë janë prezent gjithashtu.
Ndër ndotësit që gjenerojnë nga përpunimi i skrapit janë oksidet e sulfurit (SOx), oksidet e azotit (NOx), monoksid i karbonit (CO), grimcat e imta (PM) si dhe dioksinat e furanet, të provuar shkencërisht si substance kancerogjene.
Emesionet nga përpunimi i skrapit ndodhin në të gjitha fazat e procesit, që nga shkarkimi, ruajtja, përcjellja, copëtimi, bluarja, përzierjet me përbërës teknologjik, shkrirja, djegia e karburantit, rafinimi e deri tek produkti i gatshëm.
Pse fiton Kurum – Albania me importin e skrapit nga Serbia e më gjerë? Ka vetëm një përgjigje. Ndotja e pakthyeshme e mjedisit në Shqipëri gjeneron të ardhura për të.
Kompania amerikane “US steel”-Serbia, pronare e kombinatit analog me Kurumin ia shiti kombinatin shtetit serb me 1 dollarë në këtë fillim viti. Ky kombinat i paguante shtetit serb taksë për ndotjen e mjedisit çdo vit 2.6 milion USD, pasi kishte investuar edhe 60 milion USD për mjedisin në kombinat, mbështetur në kërkesën e Ministrit të Mjedisit të Serbisë.
Kurumi nuk paguan asnjë lek për ndotjen e madhe që prodhon. Kur flasim për ndotje, flasim për ndotjen sipas standardit, që si rrjedhojë e sasisë së madhe të importuar në vlerë absolute është shumë e madhe. Por ka dhe një ndotje të fshehtë tepër të rrezikshme, që asnjë nuk mund të thotë se nuk ndodh në Kurum, teksa ndodh dhe në Amerikë e gjetkë, sidomos në rastet e skrapit të importuar, ku sipas vrojtimeve ndodh në shumicën e rasteve. Mund të përmendet këtu ndotja me merkur e skrapit, ndotja me bojërat e rrezikshme dhe komponentët persistentë organikë si dhe ndotja me lëndë radioaktive, që nëse nuk neutralizohen pa kaluar në shkrirje dekontaminimi është tepër i kushtueshëm e i vështirë.
Dhe ky skrap mund të shitet nga shitësi shumë lirë ose ai edhe mund të paguajë për ta hequr nga territori i tij. Ky është ndoshta rasti kur drejtori i Kurumit këtu ankohej për çmimin e lartë të referencës të skrapit prej rreth 200 euro për ton, kur në bursë është rreth 300 euro /ton, pasi ai thoshte se mund ta gjente skrapin me 80 euro për ton dhe se ia leverdiste që ta sillte skrapin edhe nga Brazili.
Kush mund të thotë që skrapi që vjen nga Serbia nuk është kontigjent i kontaminuar me lëndë të rrezikshme nga objektet e bombarduara të NATO-s dhe se skrapi i ardhur nga Ukraina nuk është i kontaminuar me lëndë radioaktive? Në vendimin e Qeverisë për import prej Kurumit nga 4 zëra për import 2 janë zëra “të tjera”, që nuk ka doganier shqiptar që të mund t’i gjejë se ç’mall janë dhe se a ka substanca të ndaluara në to.
Në një raport publikuar nga seksioni i krimeve mjedisore i Karabinierisë Italiane dhe shoqata mjedisore Legambiente thuhet se Italia është një rrugë kyçe për transportin e skrapit radioaktiv që përfshin krimin e organizuar Italian. Raporti thotë që gjatë viteve 1997-1999 u regjistruan 113 incidente dhe qe çdo vit ne Itali vlerësohen se hyjnë 5000 ton metale të kontaminuara me radioaktivitet.
A është Shqipëria e imunizuar nga një trafik i tillë? Me këtë që po ndodh këto vitet e fundit ka pak gjasa që Shqipërisë t’i rezistojë (nëse nuk stimulohet prej Qeverisë së saj) trafikut të ndotjes skrap-radioaktiv.
Në lidhje me Kurum është dhe fabrika e ngritur me shpejtësi vetëm 1 vit më parë në Xhafzotaj për copëtimin e bluarjen e skrapit. Kompania kërkon leje për të eksportuar mijëra ton makina -skrap deri dhe nga Spanja. Pse kaq larg dhe si justifikohet ekonomikisht?
Si rrjedhojë e incidentit të rëndë ndodhur në Spanjë vite më parë në kombinatin Acerinox, ku përfundoi në shkrirje një lëndë radioaktive dhe gazrat e kontaminuar që u kapën përkohësisht deri në Francë, Gjermani e Itali në një nivel radioaktiviteti deri 1000 herë mbi normat e lejuara, Spanja u bë vendi i parë në Europë që vendosi një sistem kombëtar për ndalimin e ndotjeve radioaktive dhe një sërë programesh aplikative në funksion të tij. Sistemi spanjoll i kërkon bizneseve të paguajnë nëse detektohet radioaktivitet në skrap. Tjetër. Skrapi i makinave ka përgjithësisht në përbërje merkur, lëndë njohur shumë e rrezikshme dhe shumë e vështirë për tu pastruar. Frika është se Shqipëria mund të jetë destinacioni i përzgjedhur në Europë për një trafik të tillë dhe se Qeveria po e sheh si oportunitet këtë fatkeqësi që mbartet në gjeneratat e ardhshme.
Radioaktiviteti pas shkrirjes së skrapit kalon tek produkti i gatshëm. Vite më parë u zbulua rastësisht se një sasi hekuri përdorur në ndërtim në Meksikë ishte radioaktive.
U bënë vrojtime në 17600 shtëpi që mund të ishin të kontaminuara me radioaktivitet dhe 814 shtëpi u shkatërruan. Në SHBA nga kërkimi tek 1400 konsumator blerës tavolinash me këmbë hekuri u gjetën 2500 artikuj të kontaminuar. Rreth 4000 vetë u gjet që ishin ekspozuar ndaj radioaktivitetit.
Ajo që konfirmohet nga kompanitë e çelikut është se burimi kryesor i ndotjes radioaktive është skrapi i importuar.
Nuk dimë që skrapi që vjen tek KURUM deri tani nga Serbia (kryesisht nëpërmjet partnerit te KURUM, kompanisë serbe Novometal, krijuar në 2006) dhe Ukraina, vendi i njohur për energjinë bërthamore në Europën Lindore, të jetë analizuar ndonjëherë për nivel radioaktiviteti. Dimë vetëm një rast kur në trenin që vinte nga Serbia u gjendën mbetje municionesh që klasifikohen mbetje të rrezikshme. Natyrisht askujt nga autoritetet shtetërore nuk i ka shkuar ndërmend të verifikojë substancat e rrezikshme që gjenden në skrapin që përfundon kryesisht në KURUM e më pas tek konsumatori dhe në mjedis, jo vetëm në Elbasan, por deri në Adriatik nga ndotja e transferuar prej Shkumbinit dhe më gjerë nga ajri.
Ky lloj përdorimi i territorit të vendit me kolaboracinizmin e Qeverise shqiptare nuk mund të mos quhet pushtim, ose dikush mund ta quaj “pushtim i kohëve moderne”, dikush mund ta quajë “pushtim ekologjik”, por pushtimi është prezent e duke avancuar. Është detyrë e qytetarëve që në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së vendit të tregojnë se nuk e pranojnë pushtimin.







