Nga Mero Baze
Komisioni Evropian ka provuar një ditë më parë se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është zyrtarisht gënjeshtar. Në një deklaratë të shkruar e zeza mbi të bardhë, Komisioni Evropian ka sqaruar se deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha, të bëra në emisionin “Opinion”, lidhur me kërkesat e socialistëve për mosliberalizimin e vizave, janë gënjeshtra dhe për më tepër personi, të cilit i referohej Berisha, nuk kishte qenë fare në takim. Një ngjarje e tillë është një lajm i hidhur për një shoqëri të emancipuar. Një gënjeshtër e provuar qartazi nga një institucion serioz, siç është praktikisht Qeveria e Evropës, ku ne duam të shkojmë, na bën të turpërohemi të gjithë, përveç Sali Berishës.
Për të kuptuar diferencën mes një shoqërie me mentalitet demokratik dhe perëndimor dhe një shoqërie të pajtuar me gënjeshtrën si fatalitet, mjafton të kujtojmë ç’i ndodhi kryeministrit të Hungarisë dy vite më parë. Duke qenë një reformator real, ai ishte në makth që kishte dhënë premtime të pambajtshme në fushatë elektorale dhe u citua të kishte thënë në një mbledhje qeverie se “po gënjejmë qytetarët”. Kaq mjaftoi që rrugët e Hungarisë të ktheheshin në arenë protestash që tronditën vendin, por i dhanë shoqërisë hungareze dinjitetin e një vendi të lirë, që nuk pranonte të gënjehej dhe fyhej nga askush. Kryeministri ynë u kap duke gënjyer nga Qeveria e Evropës, ku ne po trokasim, dhe ende nuk ka dalë të kërkojë ndjesë, së paku evropianëve.
Ky gjest i rëndë, i pakonceptueshëm për një zyrtar perëndimor, rëndon në axhendën tonë evropiane shumë herë më tepër sesa përqindja e pasaportave biometrike apo kartave të identitetit të lëshuara, dhjetëra herë më shumë se sigurimi i kufijve apo migracioni i brendshëm që duhet të plotësojmë për liberalizimin e vizave. Kryeministri ynë është kapur duke gënjyer në emër të Qeverisë Evropiane, dhe nuk po kërkon ende falje. Kaq mjafton që shoqëria jonë të ndëshkohet për shkak të njeriut që e përfaqëson. Ne kemi zyrtarisht një kryeministër me “patentë” evropiane si gënjeshtar, të noterizuar me deklaratë zyrtare nga Komisioni Evropian si mashtrues.
Po këmbëngul te “patenta” evropiane e Sali Berishës si gënjeshtar, pasi ai ka kohë që përpiqet të zhvlerësojë provat publike që ne i servirim si shqiptarë për gënjeshtrat e tij. Ne i kemi provuar publikisht çfarë ka thënë para 2005 dhe pas 2005 për korrupsionin dhe rivalin e tij Fatos Nano, por ai na i ka zhvlerësuar duke thënë se “ishte fushatë”. Ne i kemi provuar se ç’ka thënë më 2005 dhe ç’ka thënë më 2009 për Rezart Taçin nga kontrabandist në biznesmen të ndershëm, por ai na thotë që e ka pasur fjalën për Cacin. Ne i kemi provuar ç’ka thënë për Fatos Nanon, që po i grabiste tokat fshatarëve të Kakomesë më 2005, dhe si hesht, kur ua grabit vajza dhe dhëndri i tij më 2009, por ai e ka injoruar duke arrestuar ata që ngrenë zërin. Ne e kemi provuar se ka mashtruar me shantazhin e bërë ndaj Top Channel-it më 2006, por ai na tregon “dosje” të reja të mafies, për të cilat nuk dimë kur do t’i harrojë që i ka treguar.
Në njëfarë mënyre beteja jonë për të provuar që ai është gënjeshtar, është konsumuar brenda Shqipërisë dhe njerëzit janë lodhur së dëgjuari që ai është një gënjeshtar dhe e kanë pranuar këtë gjë si fatalitet.
Problemi që kemi tani është i ri. Ky është zyrtarisht një gënjeshtar dhe mashtrues për Brukselin dhe ky ves i tij primitiv na ndëshkon të gjithëve si shoqëri. Evropa nuk na pranon me një kryeministër gënjeshtar në krye. Për shkak të tij ne nuk do jemi të lirë më 1 janar të lëvizim sikurse fqinjët tanë maqedonas dhe malazezë. Jo se ata i plotësojnë kushtet që ne s’i kemi plotësuar, por ata na e kalojnë në një kusht. Ata nuk kanë kryeministra mashtrues. Falë këtij njeriu ne po na shtyhet deri në korrik dhe, larg qoftë, dhe më vonë heqja e vizave. Falë këtij njeriu, ne mund të mos marrim as për dy vjet përgjigje për kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat të BE. Falë këtij kryeministri, zyrtarisht gënjeshtar, ne do dërrmohemi duke pritur të lëvizë karroca jonë e shkatërruar drejt Perëndimit. Dhe arsyeja është e thjeshtë. Jemi të vetmit që kemi një kryeministër zyrtarisht gënjeshtar, të provuar nga Brukseli.