Genc Ruli, ministri që i fali MILIONA dollarë miqve të ACR dhe po lë jetimë fëmijët e minatorëve

0
79

Genc Ruli ka firmosur me dorën e tij shtyrjen e koncesionit edhe pse ajo është kompetencë e Kuvendit. ACR duhet të investonte 22 milionë euro, por Ruli ja ka shtyrë me firmën e tij duke u bërë nder milionerëve dhe duke varrosur të gjallë minatorët

Ish Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, është përgjegjës direkt për situatën e sotme në Minierën e Bulqizës, pasi në verën e vitit 2009 ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin shqiptar. Në 9 korrik të atij viti, dy ditë pasi kishte marrë një kërkesë zyrtare nga kompania ACR, ish ministri i Energjetikës Genc Ruli ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare të kromit, duke falur kompaninë për mosrealizimin e investimeve, por edhe penalitetet që duhet të paguante. Marrëveshja nuk u kalua në Kuvend dhe madje as në qeveri.

E gjitha ndodhi vetëm në dy ditë nga data 7 deri në 9 korrik. Në datën 7 korrik të vitit 2009, kompania “ACR” i drejtohet zyrtarisht ministrisë duke kërkuar shtyrjen e afatit të investimeve. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Ruli firmos marrëveshjen duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas marrëveshjes investimet duhet të ishin kryer sakaq. Në të njëjtin dokument Ministria e Ekonomisë jo vetëm që toleron kompaninë t’i shlyejë me këste penalitetet prej 1.6 milionë eurosh për mosrealizimin e investimeve, por e lidh shlyerjen e tyre me rimbursimin e TVSH-së nga tatimet, duke marrë përsipër kompetenca të ministrit të Financave dhe Kuvendit.

Pak muaj më vonë ministri pasardhës i Rulit, Dritan Prifti, tentoi të anulonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar. “Ministri Prifti i lajmëroi sindikalistët se ka nisur procedurat për heqjen e koncesionit ndaj kompanisë “ACR”… Asnjë nga kriteret e kontratës koncesionare për 7 vjet nuk është plotësuar”, deklaroi zëdhënësja e tij. Por koncesioni nuk u hoq. Industria e kromit, zëri kryesor i eksporteve shqiptare, që kanë arritur deri në 300 milionë dollarë në vit, vijon të mbetet në kaos.

Në përpjekje për tu mbrojtur, Genc Ruli theksoi se ishte i paqartë nëse ajo duhej votuar në Kuvend apo qeveri. “Ministria është konsultuar në atë kohë me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Shtetit në qoftë se për shtrirjen e investimeve dhe pas vitit 2009 duhej apo jo që kjo të kishte miratim edhe të instancave më të larta, flasim për qeverinë apo për parlamentin. Kjo ishte diçka që po studiohej dhe sigurisht vendimmarrja i përkiste kohës në të cilën ajo do të mund të realizohej”, është shprehur Ruli. Ai justifikohet se kontrata që ndryshoi vazhdonte të ishte efektive edhe pa miratimin e Kuvendit, pasi, sipas tij, parlamenti ishte i mbyllur. “Në kuptimin që në muajin maj kemi ndërprerjen e parlamentit për fillimin e zgjedhjeve dhe unë megjithëse s’jam informuar, ndaj mendimin që Ministria e Ekonomisë e ka konkluduar tashmë këtë qëndrim dhe sigurisht do të ndjekë procedurat përkatëse”, deklaroi Ruli.

Pikëpyetjet lidhur me lidhjet personale dhe përfitimet e Rulit në këtë firmë kanë të bëjnë me faktin se ai firmosi edhe pse ndryshimi i koncesionit nuk ishte emergjent, dhe e quajti të vlefshme kontratën pa u hapur sesioni parlamentar.

Koncesioni i parë që u dha ishte në vitin 2001. Fillimisht ishte kompania italiane “DARFO”. Por, pas disa vitesh, ku vetëm shfrytëzoi rezervat pa bërë asnjë investim, “DARFO” e shiti koncesionin tek një tjetër kompani e huaj, austriakes “ACR”. Dhe historia duket se përsëritet. Koncesioni i votuar në Kuvend detyronte qartë “ACR” që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Por programi i investimeve nuk u zbatua.

Dyshime të hershme për lidhje private të Rulit me ACR

Problemet e ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli me koncesionin në minierën e Bulqizës janë më të hershme sesa kontrata e firmosur nga ai në korrik të 2009-s. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit vë në dukje faktin se ministri ishte paralajmëruar mbi shkeljet e ligjit që po kryente koncesionari “DARFO”, i cili më pas mori emrin “ACR”. Bëhet fjalë për një raport të kryer në vitin 2008, ku KLSH-ja i kërkonte Rulit të merrte masat dhe të respektonte ligjin e koncesioneve.

Në morinë e shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, bie në sy fakti se ministri Ruli nuk kishte zbatuar detyrën e caktuar sipas ligjit, lidhur me plotësimin e detyrimit për sigurimin e pronave të koncensionit në shoqëritë e sigurimeve, kjo në përmbushje të kërkesave të Marrëveshjes Koncensionare, nenin 13 “Sigurimet”, me afat deri në nëntor 2008, për kompaninë “DARFO” spa, Itali. Rulit iu la kjo detyrë që në fillim të 2008-s, por nga kontrollet e mëpasshme, deri sa ishte në detyrën si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nuk e kreu.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, mosrealizimi i plotë i rekomandimeve është në kundërshtim me urdhrin e Kryeministrit nr. 70, datë 18.04.2006 “Për masat në zbatim të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Auditit të Brendshëm dhe Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion (DKBAA), në Këshillin e Ministrave, në institucionet në vartësi të Kryeministrit a të ministrave”.

Në raportin e KLSH-së vërehen disa shkelje mjaft të rënda edhe ndaj kontratave të tjera koncesionare, kësaj here për hidrocentralet me vlera të mëdha investimi, disa dhjetëra milionë euro.

Hetimet

Prokuroria nisi hetimet në fillim të këtij viti për këtë skandal, por ato kanë ngecur pa asnjë përparim. Edhe pse minatorët po vdesin për shkak të këtij nënshkrimi në thellësi të Minierës, Genc Rulit, një ministër recidivë në abuzimet me pushtetin, nuk po i hyn asnjë gjemb në këmbë.

Kreu i Task Forcës, Dritan Rreshka, ka nën hetim dosjen e koncesioneve minerare për kromin në Bulqizë, ku flitet pikërisht për një vendim të ish-ministrit tjetër të Energjetikës, Genc Ruli, i cili dyshohet të ketë ndryshuar në korrik 2009 marrëveshjen koncesionare dhe shtyu pagesën e gjobës për shoqërinë që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë. Por ende çështja nuk ka avancuar dhe tashmë dyshohet se janë djegur dhe afatet e hetimit.

Sipas marrëveshjes, që u votua në kuvend në vitin 2007, ACR detyrohej të investonte deri në fund të 2010 të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Pas tre vitesh shfrytëzim, ACR kishte shkelur të gjitha planet e investimeve që detyronte marrëveshja. Në këtë situatë në 7 korrik të vitit 2009, kompania i drejtohet Ministrisë së Energjetikës, ku i kërkon të ndryshojë marrëveshjen e koncesionit. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Genc Ruli firmos ndryshimin e marrëveshjes duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas koncesionit investimet duhet të kishin përfunduar sakaq. Vetëm pak ditë para se të linte detyrën, Genc Ruli kishte ndryshuar një marrëveshje të votuar nga Kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin.

Opozita dorëzoi në prokurori fakte rreth këtij skandali, përmes nënkryetarit të grupit parlamentar, Sajmir Tahiri. “Depozituam në Prokurori dosjen me shkeljet flagrante të ligjit e për xhiron marramendëse të parave që Genc Ruli ka realizuar me firmën e tij në rastin e koncesionit të minierës së Bulqizës, duke anashkaluar parlamentin dhe duke na treguar se pushteti i votave të vjedhura nuk ndalet para asgjëje”, tha ai.