Gazmend Islami: Nën hijen e kujt peshojnë shoqatat shqiptare Islame në Gjermani

0
54

Sa janë të rrezikshme apo produktive shoqatat shqiptare Islame në diasporë, mund ta them në rrugëtimin tim pothuajse 6 vjeçar në shoqatën Islame “Bashkimi” në Nyrnberg të Gjermanisë. Shoqata Bashkimi në Nyrnberg e themeluar nga disa punëtor të zellshëm Ramadan Osmani, Bedri Bahtijari, Hajdin Sadiku, Allajdin Nuhiu, Shukri Zeqiri, Rexhë Fazlia të cilët kishin vetëm një qëllim,themelimin e një shoqata Islame ku edhe shqiptarët e besimit Islam do të mundnin ritet e tyre fetare ti kryenin në gjuhën e vet.

Nyrnerbgu një qytet i bukur në Bavari shquhet për qetësine, dashurine që ky qytet ju dhuron banorëve të vet. Në këtë qytet të bukur jetojnë diku rreth 5000 shqiptar nga Kosova dhe rreth 1000 nga viset e tjera të Iliridës dhe një numër më i vogël nga lugina e Preshevës dhe Shqipëria. Qyteti i Nyrbergut ishte i njohur qysh nga vitet e 90 për organizimet e shumta që kishte bërë në ndërtimin e identitetit të shqiptarëve.

Krijimi i klubit “Jehona” në ato vite i jep një dritë shqiptarëve që të organizohen edhe këta sikur popujt e tjerë. Shqiptarët e Nyrnbergut bënë punë të madhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Me fillimin e luftës në Kosovë u themelua edhe shoqata e studentëve e intelektualëve që së bashku me Klubin Jehona kryenin punë të pandërprerë në ndihmën popullit shqiptarë. Ndihmesa me mjete financiare dhe me ndihma të tjera,krijimi i kushteve për kthimin e vullnetarëve të shumtë që ktheheshin në luftën për çlirim. Nyrnbergu ka dëshmorë vullnetar siç është Mirali Sejdiu i cili ditën e kthimit mu drejtua me këto fjalë po kthehem të vdes për fëmijët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo dëshirë e tij u plotësua. Miraliu ra dëshmorë në Kosovë. Përfundimi i luftës në Kosovë dhe fillimi i luftës në Luginën e Preshevës dhe në Iliridë vetëm sa na forcuan në organizimet tona të fuqishme në ndihmën dhe borxhin që ndienim ndaj atdheut tonë të quajtur Shqipëri. Përfundimet e luftërave sollën zhgënjimet e shumta të bashkatdhetarëve, si në Kosovë ashtu në Iliridë dhe Kosovën Lindore. Këto zhgënjime bënë që ngadalë mërgata të tërhiqen nga jeta e organizuar në Diasporë. Pushtet e ndërtuara të atyre që premtuan se qytetarët do të jenë të lirë, nuk rezultuan të jenë premtime të drejta.

Ata jo vetëm se nuk ndihmuan që diaspore të ndihet mirë por ata ua bënë jetën edhe më të vështirë duke i vjedhur, manipuluar, dhe duke velurë të hollat e tyre. Këto që ceka janë disa nga arsyet që shtynë diasporën shqiptare të shthuret dhe të shuaj aktivitet e veta. Askush nuk dëshironte të dëgjonte për patriotizmin ata tash kishin parë të vërtetën. Pushtetarët brenda pak muajve ishin bërë milioner dhe populli kishte mbetur i varfër. Pra pasiviteti i Mërgatës për disa vite në këtë qytet rezultojë të jetë i gabuar kudo ndihej mungesa e organizimeve. Kështu një grup shokësh vendosën të bëjnë themelimin e shoqatës Islame Bashkimi.

Qëllimi i saj siç e ceka në fillim ishte i mirë dhe në gjirin e vet kishin arritur të ofronin njerëz të profileve të ndryshëm,shoqata merrej jo vetë me aktivitet fetare ajo organizonte dhe përkujdesej për festat kombëtare. Njëri ndër themeluesit dhe Kryetari i saj për disa vite Ramadan Osmani kishte arritur që të krijoj një bilanc mes rrymës që ishte e lidhur me Kombin dhe anës tjetër që ishte e lidhur me fenë dhe arabët . Kjo paq e ndërtuar rezultojë të ishte e suksesshme sepse të dy krahët organizonin festat që lidheshin me idealet e tyre ata të Kombit festat Kombëtare ata të fesë ato fetare.

Gjërat shkonin mirë dhe para 3 viteve u arrit të blihen edhe lokalet e kësaj shoqate në qendër të Nyrbergut. Filloj rregullimi i lokaleve duke filluar nga Xhamia, Restoranti, Biblioteka dhe parashihej që brenda një afati dy vjeçar të hapej edhe shkolla shqipe dhe të themelohej grupi letrar dhe dramatik në kuadër të shoqatës. Kur çdo gjë shkonte si është më së miri grupe të caktuara bënë ndryshime në strukturën organizative. Largimi i kryetarit Osmani dobësoj tej mase punën që kishte filluar.

Dalja në skenë e apetiteve të atyre që kanë ide selafiste sa vinte e shtohej. Kombi thuaj se nuk përmendej fare, në tavolinat e punës valonin flamujt e shteteve islamike të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën të gjitha këto më shtonin dozën e dyshimit se dikush punon kundër interesave kombëtare. Koha kalonte premtimet e dhëna për shkollën, bibliotekën, grupin letrar vyshkeshin. Grupi i atyre që dëshirojnë të ndërtojnë identitet të ri me ndikimet e vendeve arabe po theksohen me të madhe.

Ardhja e shumë Hoxhallarëve nga Kosova, Maqedonia që janë predikuesit e Vehabizmit tregon qartë që disa brenda shoqatës nuk kanë qëllim ndërtimin e një institucioni të mirëfilltë fetar dhe Kombëtarë. Themelimi i këtyre shoqatave që ka marr hovë të madh nuk do të kishte asgjë të keqe po të funksionin në shërbim të zotit dhe shoqërisë shqiptare. Por mjerisht mund të them se unë në rrugëtimin tim pothuajse 6 vjeçar jam bindur se aty çdo gjë tjetër mund të bëhet vetëm se Kombi dhe shqipja nuk mund të jenë dorë e parë.

Prandaj uroj që këto shoqata të sjellin në gjirin e vet njerëz që janë në shërbim të Zotit, Kombit dhe qytetarëve të vet. Larg ekstremeve Vehabi sepse ata mund ti sjellin shoqërisë sonë probleme të mëdha. Mendojë se asgjë të keqe nuk ka që Xhamit shqiptare ta luajnë rolin e tyre pozitivë në ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptar në vendet ku jetojnë dhe të jenë shembull i tolerancës ndërfetare. Por ekstremi i veshur me petkun e Islamit pa dashur të jenë të lidhur me Kombin janë dështim sepse këto elemente nuk do ti pranon shoqëria shqiptare kurrë.

Excentrizmi i Vehabive vërtet është jashtëkohor e jashtë hapësinor për rrethanat tona evropiane, madje edhe për rrethanat e traditat tona kombëtare. Fundja, komplet doktrina, ideologjia dhe praktika e tyre radikale e ekstreme fetare bie ndesh me doktrinën dhe praktikën tonë fetare. Vehabistët tanë kanë për synim të çrrënjosin ndër të tjera doktrinën tonë tradicionale fetare, mezëhebin Hanefit (medh-heb: shkollë juridike fetare), duke implementuar kështu në universin tonë fetar doktrinën rigide të “vehabizmit”.

Shih absurdin, dëshirojnë të zhdukin mësimet jashtëzakonisht tolerante e racionale të mezëhebit tonë Hanefit, e t’i zëvendësojnë ato me mësimet tepër ekstreme, infantile e irracionale të vehabizmit saudit. Kështu ata me paraqitjet e tyre të përçudnuara dhe propagandën e tyre janë duke krijuar një pështjellim, tollovi e rrëmujë të paparë kudo trojeve tona: nëpër xhami, rrugëve, kuluareve, nëpër ceremoniale e kremte fetare, në media elektronike e të shkruara, nëpër faqe interneti etj.

Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen që të qëndrojnë larg ekstremizmave fetarë dhe të mos bien viktimë e qarqeve të huaja anti-shqiptare që kërkojnë të realizojnë qëllime që nuk kanë të bëjnë fare me aspiratat shqiptare. Iu bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen që të punojnë për lartësimin e kombit shqiptar, për të nderuar të parët tanë, veten tonë dhe për t’iu lënë fëmijëve tanë një vend të begatë, të fuqishëm dhe të sigurt.

Gazmend Islami,
Autori është analist politik dhe gazetar
http://www.revistadrini.com/2012/07/21/gazmend-islami-nen-hijen-e-kujt-peshojne-shoqatat-shqiptare-islame-ne-gjermani/#comment-6854