
Mustafa Nano
Dy udhëheqësit e dy vendeve më të fuqishme të botës në pikëpamje ekonomike, Barack Obama i SHBA-ve dhe Hu Jintao i Kinës, patën një konferencë të përbashkët për shtypin. Ky nuk është një lajm i zakontë, pasi udhëheqësit kinezët kanë një qasje tjetër në të tilla raste. Ata nuk e kanë qejf shtypin e lirë. Përveç kësaj nuk janë të mësuar dhe të stërvitur me idenë, se do t’u bëhen pyetje të paprogramuara e të pakalkuluara. E humbasin toruan në rrethana të tilla, zënë e belbëzojnë, jetojnë me mundimin për të thënë diçka, por në të njëjtën kohë për të mos komprometuar kauzën, interesin shtetëror, etj, etj. Kjo është arsyeja, që presidenti kinez dhe autoritetet e tjera të shtetit të madh aziatik, përpiqen t’u bëjnë bisht konferencave për shtypin me udhëheqës të botës perëndimore.
Kur Barack Obama bëri një vizitë në Kinë, i zoti i shtëpisë nuk doli në konferencën për shtypin. Nuk është se e bëri për t’i dhënë ndonjë sinjal botës, apo SHBA-ve, apo Obama-s vetë. Jo. E bëri s’e nuk mund t’i zinte besë një komuniteti njerëzish tekanjozë e të paparashikueshëm (të tillë janë në sytë e tij gazetarët e lirë, sidomos ata amerikanë). E treguan dhe dje këtë gjë, menjëherë pasi Obama dhe miku i tij i largët bënë ato çaprashitjet e hapjes së konferencës për shtypin. U çua gazetari i agjencisë “the Associated Press”, Ben Feller, dhe s’e pati për gjë të bënte dy pyetje të troçta e të qarta; e para ishte për të zotin e shtëpisë dhe e dyta për bujtësin:

“Pyetja e parë për Obama-n: Mund t’i shpjegoni, zoti President, popullit amerikan, se si dhe pse Shtetet e Bashkuara mund të jenë aleatë me një vend, i cili është i njohur në të gjithë botën për shtypjen që i bën popullit të vet dhe për censurën që ushtron ndaj fjalës së lirë? Pyetja e dytë është për Hu-në: Unë dua t’ju jap juve, zoti President, një shans për të dhënë një përgjigje tuajën lidhur me problemin e të drejtave të njeriut. Si i justifikoni praktikat kineze të dhunimit të këtyre të drejtave?
Obama dha përgjigjen e vet, e cila në çdo rrethanë tjetër do kishte shumë rëndësi. Por në atë rrethanë konkrete askush ndër të pranishmit nuk e kish mendjen tek ajo që po thosh Presidenti amerikan. Bën vaki që shumica e gazetarëve nuk e kanë regjistruar fare në diktofonët e tyre këtë përgjigje, dhe ata që e kanë regjistruar, nuk e kanë përcjellë në raportimet e tyre (unë vetë nuk munda ta gjej në dy-tri gazeta që “shfletova” online).
Ndërsa Obama thosh të vetat, e ndërsa përkthyesi bënte mandarin-imin e qëndrimit të tij, sytë e të gjithëve ishin drejtuar nga maska krejt e palexueshme e Hu-së, i cili zgjodhi të mos përgjigjej. Përkundrazi, i hodhi një shikim një gruaje, që punonte për televizionin shtetëror të Kinës, e me këtë donte t’i thosh se priste pyetjen e radhës nga ajo. Kjo e fundit i bëri një pyetje të lexueshme që larg, dmth kërkoi të dinte diçka lidhur me “miqësinë dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë mes dy vendeve”.
Hu-ja ka menduar se ia hodhi me këtë marifet. Por ishte radha e gazetarit të Bloomberg-ut, Hans Nichols, i cili nuk u mendua dy herë për t’u sjellë si “harbut e i pacipë” përballë mikut të rëndësishëm të manierave të buta e të paqta. Në fakt, të gjithë ranë dakord se Hu-ja e meritonte këtë leksion prej shtypit të lirë: “E para fare (first off), kolegu im ju bëri një pyetje lidhur me të drejtat e njeriut, dhe ju nuk iu përgjigjët. Unë kam po atë pyetje për ju. Mund t’na jepni një përgjigje?”
Pati një heshtje, gjatë së cilës secili bën vaki të ketë menduar atë që gazetari i Washington Postit shkruante në raportimin e vet: “Kush e di sa vjet burg do bënte Hans Nichols për këtë ndërhyrje, sikur të ishte gazetar kinez!”. Por ai nuk ishte gazetar kinez. Nuk ish as në Kinë. Ish në Shtëpinë e Bardhë. Dhe është gazetar i lirë. Vetëm një gazetar i lirë ka fuqinë dhe magjinë ta shushasë presidentin e një vendi gjigand, i cili u detyrua të jepte përgjigje, madje një përgjigje që tingëlloi si mea culpa, për mos respektimin e të drejtave të njeriut nga regjimi i Pekinit.
Dhe përpara se të thosh këto, ai kërkoi një si ndjesë, pasi “nuk e kish dëgjuar pyetjen mbi të drejtat e njeriut për shkak të një problemi teknik në përkthim”. Të gjithë e kuptuan se nuk po thosh të vërtetën. Dhe – kështu shkruan në raportimin e vet Dana Milbank i gazetës Washington Post – “ky ishte një alamet momenti për shtypin amerikan; Feller dhe Nichols bënë atë që Obama, i zënë në grackën e protokollit, nuk mund ta bënte: e vunë në siklet kreun e regjimit kinez”.
————-
Presidenti kinez pranon se Kina duhet të bëjë më shumë për të drejtat e njeriut
Nga Korresp. 24-ore.com
Presidenti kinez Hu Gjin Tao u takua sot në Kongres me ligjvenësit amerikanë që kritikojnë Kinën për të drejtat e njeriut, politikat ekonomike dhe Korenë e Veriut. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër tha se gjatë takimit u ngritën “shqetësimet e forta dhe të vazhdueshme” lidhur me njoftimet për shkeljet e të drejtave të njeriut nga Kina, përfshirë mohimin e lirisë fetare dhe përdorimin e aborteve të detyruara në bazë të politikës “një familje një fëmijë”.
Ligjvenësi amerikan po ashtu tha se qëndrimi agresiv i Koresë së Veriut po ashtu ishte temë diskutimi. Ligjvenësit amerikanë kanë shprehur shqetësim rreth qëndrimit të Kinës ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut si dhe ndaj politikës së saj monetare, për të cilën shumë ligjvenës besojnë se po merr vende pune nga Amerika.
Zoti Hu u takua me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve para se të takohej me anëtarët e Senatit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër tha se shpresonte se dialogu me Kinën për këto çështje do të vazhdonte.
Presidenti kinez, Hu Gjintao bëri një pohim të rrallë dje lidhur me të drejtat e njeriut, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Barak Obama. Pasi presidenti amerikan i bëri thirrje publikisht Kinës që të respektojë të drejtat universale, zoti Hu e pranoi se ende duhet bërë shumë për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të njeriut në vendin e tij.
Presidenti Barak Obama e mirëpriti zotin Hu dhe pothuajse menjëherë preku temën e ndjeshme të të drejtave të njeriut në Kinë.
“Historia tregon se shoqëritë janë më në harmoni, vendet janë më të suksesshme dhe bota është më e drejtë kur të drejtat dhe përgjegjësitë e të gjitha vendeve dhe të gjithë njerëzve respektohen, përfshirë të drejtat universale të çdo qenieje njerëzore”.
Presidenti Hu u përgjigj duke bërë thirrje, që çdo vend të respektojë zgjedhjet e të tjerëve.
“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë zgjedhjet e njëri-tjetrit për rrugën drejt zhvillimit dhe interesat e njëri-tjetrit”.
Më pas në një konferencë shtypi, zoti Hu u tha gazetarëve se Kina kishte bërë një përparim të jashtëzakonshëm në fushën e të drejtave të njeriut, por e pranoi se duhet arritur më shumë përmirësim.
“Kina ende përballet me shumë sfida të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror dhe akoma duhet bërë më shumë në Kinë përsa i takon të drejtave të njeriut”.
Ndërkohë demonstruesit para Shtëpisë së Bardhë kërkuan një përmirësim të menjëhershëm në fushën e të drejtave të njeriut dhe një qëndrim më të rreptë nga zoti Obama.
Elnigar Iltebir thotë se Kina keqtrajton protestuesit paqësorë Uigurë.
“Ne do të donim që Presidenti Obama të ushtronte më shumë presion ndërsa Kina bëhet një fuqi më e madhe ndërkombëtare dhe i duhet të bëhet një fuqi më e përgjegjshme”.
Studenti Qian Xin ishte mes demonstruesve që treguan mbështetjen e tyre për zotin Hu dhe qëndrimin e Kinës për të drejtat e njeriut.
“Jemi shumë entuziastë. Si studentë ndërkombëtarë ne duam të shfaqim mirëseardhjen tonë për Hu Gjintaon”.
Bashkëpunimi ishte fjala kryesore e ditës, veçanërisht në drejtim të ekonomisë.
Ekonomia amerikane është më e madhja në botë, dhe Kina zë vendin e dytë dhe po rritet me shpejtësi. Zoti Obama tha se zhvillimi ekonomik i Kinës është pozitiv për ekonominë amerikane.
“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin rritjen e Kinës si një anëtare e fuqishme, e begatë dhe e suksesshme e komunitetit të vendeve. Në fakt suksesi i Kinës ka sjellë përfitime ekonomike për popullin amerikan, ashtu si edhe për tuajin”.
Dy presidentët u takuan me udhëheqës korporatash amerikanë dhe kinezë.
Defiçiti masiv tregëtar amerikan ndaj Kinës është një shqetësim i madh dhe Shtëpia e Bardhë njoftoi për marrëveshje në bazë të të cilave Kina do të blejë mallra amerikane që kapin vlerën rreth 45 miliardë dollarë.







