Gazetarët shpallin në kërkim Taçin

1
37

Rezart Taçi - wantedLibertas, 4 November 2009

Lini një koment Akti i dhunës, si vepër e një Al Capone shqiptar, tronditi opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke na kujtuar kësisoj se jo për të drejtat e shtypit nuk bëhet fjalë, por askush në këtë vend nuk e ka jetën të sigurt. Rezart Taçi, një biznesmen me karrierë të dyshimtë, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, për shkak të dhunës ndaj gazetarit Mero Baze, bëri të lëvizin vendit drejtues shteti e përfaqësues të lartë të diplomacisë së akredituar në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor”, – thuhet në deklaratën zyrtare të kësaj ambasade. Shtypi dhe shoqata të huaja, në mbrojtje të gazetarëve, gjithashtu kanë reaguar ashpër kundër dhunës. Kryeministri dhe Presidenti nuk kanë heshtur, por u kanë bërë thirrje autoriteteve të policisë të arrestojnë autorin e dhunës.

Ngjarja ishte moment i duhur edhe për kryetarin e PS-së, i cili ngriti akuza direkt ndaj Kryeministri. Shoqatat e gazetarëve gjithashtu e kanë ngritur zërin ndaj dhunës dhe agresionit, pre e së cilës u bë gazetari Mero Baze. Ky i fundit ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pritur e përcjellë miq e kolegë të tij. Ngjarja ndodhi mesnatën e shkuar në qendër të ish-Blloku, brenda ambienteve në një lokali. Ai vetë dhe dy kolegët e tij, Andi Bushati dhe Arban Hasani, të cilët ishin dëshmitarë në vendin e ngjarjes, treguan për dhunën që biznesmeni Taçi dhe truprojat e tij ushtruan ndaj Bazes. Ata treguan detaje, se si grupi agresor i është afruar tavolinës së gazetarëve dhe kanë sulmuar drejtuesin e emisionit “Fakt” në Vizion Plus.

Referuar dëshmive dhe hetimeve të deritanishme, Policia e Tiranës u shpreh zyrtarisht mbi incidentin mes Mero Bazes dhe pronarit të “Taçi Oil”, Rezart Taçi, ku tha se ishin implikuar edhe dy persona të tjerë. Alma Katragjini, zëdhënëse e Policisë së Tiranës, tha se, gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të 28-vjeçarit Bledar Bardhyl Lilo, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë “Taçi Oil”, dhe të 23-vjeçarit Irgen Arjan Selfo, lindur dhe banues në Tiranë. “Arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se, në bashkëpunim me 38-vjeçarin Rezart Taçi, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë president i kompanisë “Taçi Oil”, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën “Brigada VIII” në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Guri Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë drejtor i medies së shkruar “Tema”, – sqaroi Katragjini. Pas incidentit, i dëmtuari Mero Baze u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë ku, pasi mori mjekimet e duhura, u largua për në banesë.

Më pas, Mero Baze ka kryer një kallëzim penal, në ngarkim të Taçit dhe të dy personave të tjerë. Baze ka deklaruar para uniformave blu se është fyer e goditur, për shkak të profesionit të tij si gazetar. Për biznesmenin Rezart Taçi është bërë shpallja e tij në kërkim policor, konfirmoi Policia e Tiranës. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, kurse materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Goditje për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim”.

Reagimet

10 mijë euro, kush jep informacion për vendndodhjen e Taçit

Shoqatat e Gazetarëve ofruan dje një shpërblim prej 10 mijë eurosh, për cilindo person që do të japë informacion mbi vendndodhjen e biznesmenit Rezart Taçi, i cili akuzohet se ushtroi dhunë fizike ndaj gazetarit Mero Baze, një natë më parë, në një nga lokalet e njohura të zonës së ish-Bllokut. Në deklaratën për mediet, thuhet se, me këtë shpërblim, shoqatat ndihmojnë forcat e rendit, me qëllim që ky person i shpallur në kërkim nga policia të vihet sa më parë para drejtësisë. “Në një kohë kur Rezart Taçi, përmes zëdhënësit të tij shpërndan deklarata false, duke mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze nga ai vetë dhe truprojat e tij, ndërkohë që i shpalluri në kërkim, Rezart Taçi, dërgon komunikata për medien, prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje zëdhënësin e tij, për të mësuar vendin se ku ndodhet biznesmeni i akuzuar”, – thuhet në deklaratën e gazetarëve.
Ambasada e SHBA-së: E papranueshme!

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor.” Kështu e ka cilësuar kjo ambasadë aktin e dhunës mbrëmjen e kaluar. Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medies errësojnë lirinë e shtypit”, – thuhej në deklaratën për shtyp, lëshuar nga ambasada amerikane. Më tej, në deklaratë thuhet se të gjitha format e presionit dhe të kanosjes ndaj medies janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit, që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe se ata që janë përgjegjës të japin llogari. “Ambasada e SHBA-së do të vazhdojë ta mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri”, – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Kryeministri: Autorët e aktit para ligjit

Kryeministri Sali Berisha e dënoi ashpër dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. “Kryeministri i Shqipërisë dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë. Kryeministri u kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat, për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë”, – deklaroi zëdhënësja e Kryeministrisë. “Sikundër Kryeministri Berisha thekson edhe njëherë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve, për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”, – përfundoi Juela Meçani.

Presidenti: Të zbardhet ngjarja!

“Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dënon me ashpërsi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, duke kërkuar nga të gjitha organet e shtetit ta zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë”, – citohet në deklaratën, që ka lëshuar Presidenca. Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që ta analizojnë me shqetësim këtë akt, duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe të pavarësisë së medies. “Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medies dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë, që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë”, – thuhej më tej në deklaratë.

Kreu i PS-së: Për aktin akuzoj Sali Berishën

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar dje personalisht Kryeministrin Sali Berisha për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. “Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën, për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze. Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin e gjejnë fuqinë te mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, te paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha, për t’u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit, – tha Rama. – Mbrëmë, njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave, të ushqyer nga familja, gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare”, – shtoi ai.

Unioni i Gazetarëve: Pesë minuta “të zezën”

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton editorët e medieve shqiptare, në shenjë proteste, të lënë sot, më 3 nëntor 2009, pesë minuta “të zezën” (black) në edicionet informative të televizioneve të vendit dhe një sipërfaqe botimi të bardhë, në shtypin e përditshëm të printuar. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar në orën 23.00 të mbrëmjes, së datës 2 nëntor 2009, nga biznesmeni i njohur Rezart Taçi dhe shoqëruesit e tij, në një nga lokalet e kryeqytetit, Tiranë. Fyerjet dhe dhuna fizike, e ushtruar mbi gazetarin e njohur, në prezencë të qytetarëve të pranishëm në lokal, si dhe të kolegëve Andi Bushati dhe Arban Hasani, pasojnë akte dhune dhe kërcënimi në rrethana dhe prej personash të tjerë, mbi gazetarin politik dhe investigativ Mero Baze. Si pasojë e kësaj dhune, gazetari Baze është gjendur në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku i është ofruar ndihma e menjëhershme mjekësore.

Shoqata: Jemi të rrezikuar

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dënon me forcë dhunën e shëmtuar ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze dhe shprehu zemërim dhe indinjatë të thellë për këtë akt. Akti brutal ndaj gazetarit Baze dëshmon për rreziqet reale, me të cilat përballen gazetarët që investigojnë dhe që denoncojnë publikisht aferat, korrupsionin dhe kapjen e shtetit, nga segmente që qëndrojnë mbi ligjin, thuhet në reagimin e gazetarëve, për dhunën ndaj kolegut të tyre Mero Baze, e ndodhur mbrëmë në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. “Dhunimi i Bazes është një përpjekje mjerane e atyre personave që mundohen, përmes grushteve, t’i qepin gojën, jo vetëm medies, por edhe ndërgjegjes qytetare”, – citohet në deklaratë.

LSI: Çdo akt dhune është i dënueshëm

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dënuar dje aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, me anë të një deklaratë për mediet, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka dënuar aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. “Çdo akt dhune ndaj çdo qytetari është jo civil, i dënueshëm dhe i papranueshëm për shoqërinë tonë. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjitha konfliktet, midis individëve dhe institucioneve, duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët. U bëjmë thirrje, dhe mbështesim organet e Prokurorisë, ta hetojnë këtë akt dhe të vënë para drejtësisë fajtorët”, – tha Haxhinasto.

Deklarata e Rezart Taçit

Në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze, në lidhje me ngjarjen në lokalin “Caprico”, ku përflitet papërgjegjshmërish se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze. “Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta, pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situatat tepër të vështira, integritetin e askujt dhe, për më tepër, të ndonjë gazetari apo medie, edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija, – thuhet në deklaratë.

– Akuza, me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi, nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese, që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Opinioni publik është tashmë i mirinformuar për këtë strategji, e cila ka shumë kohë që është gatuar kundër personit tim, – vijon deklarata. – Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se, jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim”, – shprehet biznesmeni Rezart Taçi.

1 COMMENT

  1. Mjer ky popull që ka në krye të tij një person që u hoq me pushkë dhe ti o popull dhe medja e shkruar dhe vizive e solle përsëri në pushtet! Ky popull ka për të vuajtur fajet që ka bërë. Në 18 vite Shqipëria prodhoj(me korupsion, viedhje, drogë e prostitucion) mbi 200 miljoner, dhe disa miljarder. Me krah për 10 vite nuk mund të bëhesh miljoner.
    Dhe sigurisht këta miljoner, sa herë do u preken interesat do përdorin të gjitha mjetet e dhunës. Ajo që bëri Taçi nuk është asgjë…nesër do ket dhe heqje qafe në mënyrë mafjoze, që nuk do ket fakte dhe autor.

Comments are closed.