Gazetarët në hapësirat shqiptare, mbështetje të fuqishme peticionit për Rrugën e Arbërit

0
32

Koha Ditore, 28 Shtator 2013

Gazetarët, dibranë dhe miq të Dibrës, në Shqipëri, Maqedoni dhe Disaporë janë shprehur pa rezerva në përkrahje të peticionit online, nëpërmjet të cilit i kërkohet Qeverisë së re të Shqipërisë përfundimin sa më shpejt dhe me standarde i Rrugës së Arbërit.

‘Gazeta Ditore’ ka mësuar se iniciatorët e peticionit tashmë kanë kontaktuar Zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, për të kërkuar një takim në muajt që vijnë për dorëzimin formal të peticionit. Ne do ta përcjellim takimin e përfaqësuesve të intelektualëve dibranë me Z. Rama pasi ky është një ndër rastet e pakta në historinë e shtetit shqiptar, kur një peticion jo politik i paraqitet zyrtarisht një qeverie shqiptare. Veprimi qytetar i intelektualeve dibranë është një ogur i mirë për shoqërinë civile, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Si intelektualët dibranë që iniciuan peticionin online para zgjedhjeve, një numër gazetarësh të lindur në Dibër, me origjinë dibrane ose që kanë punuar në krahinën e Dibrës, janë angazhuar prej vitesh në sensibilizimin e opinionit publik për rëndësinë e ndërtimit të rrugës së Arbërit në kontekstin rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përpjekjet e gazetarëve për të përcjellë informacione në media për Rrugën e Arbërit u intensifikuan veçanërisht nga Marsi i këtij viti, kur filluan të promovojnë peticionin online për Rrugën. Disa drejtues të mediave në Shqipëri dhe Kosovë e firmosën të parët peticionin dhe u bënë thirrje publikisht lexuesve e shikuesve të tyre ta firmosnin atë. Ndër nënshkruesit e parë të peticionit nga bota e medias mund të përmenden Ilva Tare, Valmir Gashi, Bujar Karoshi, Abdurahim Ashiku, Armir Shkurti, Hysen Uka, Alfred Beka, Hasan Aliaj, Dedë Kola, Atli Dema, Dhimitër Shtëmbari, Urim Bajrami, Defrim Methasani, Radije Hoxha, Hysen Likdisha, Neki Feta, Islam Shehu, Arben Ismaili, Adnan Elezi e shumë të tjerë.

Peticioni mori mbështetje edhe nga politikanë, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë që punojnë ose bashkëpunojnë ngushtë me median, si Elez Biberaj, Laura Kondo dhe Ilirjan Agolli të Zërit të Amerikës, Ruben Avxhiu, Gary Kokalari, Akil Koçi, Thoma Simaku, Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Afrim Krasniqi, Flutura Açka, Kolec Traboini, Hysni Milloshi, Olti Buzi, Alma Mile, Mirela Bogdani, Albert Rakipi, Mujo Buçpapaj, Ben Manaj, Ramiz Gjini, Thoma Jançe, Admirina Peci, Doriana Metollari, Kastriot Frasheri, Mirela Sula, Petrit Kuçana, etj. Në gazetën ‘Rruga e Arbërit’ që botohet në Tiranë që nga viti 1996, si dhe në gazetën lokale ‘Dibra’, kanë shkruar vazhdimisht specialistë të fushave të ndryshme për domosdoshmërinë e ndërtimit të rrugës dhe përfitimet që i sjell vendit nga ndërtimi i saj. Që nga 8 tetori 1995 kur Radio Tirana transmetoi një kronikë për rrugën nga gazetari i saj Hysen Uka, media është kthyer në një mbështetëse e fuqishme, duke e bërë problemin e rrugës një çështje mbarëkombëtare.

Shumë gazetarë, miq të Dibrës, po japin një kontribut të madh duke i dhënë zë problemeve që kanë dalë apo mund të dalin gjatë fazës së projektimit dhe ndërtimit të rrugës, duke siguruar që kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore të përmbushë standardet europiane.

Peticioni deri tani është përcjellë gjerësisht nga mediat në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si dhe në diasporë: Angli, Amerikë, Australi, Kanada, Itali, Zvicër, Greqi, Bullgari dhe Rumani.

Intelektualët dhe gazetarët po e përdorin peticionin si një metodë demokratike për të ushtruar presion mbi qeverinë dhe klasën politike që të përparësojë zhvillimin e krahinave si Dibra të cilat, si rezultat i investimeve të kursyera, vuajnë sot rënien e ekonomisë, rrjedhjen e popullsisë dhe për pasojë renditen ndër rajonet më të varfëra në vend.

Rruga e Arbërit, siç është pranuar gjerësisht nga qeveritarë, politikanë, specialistë të ekonomisë etj., nuk është vetëm një nyje e rëndësishme infrastrukturore në vend. Ajo sjell edhe përfitime ekonomike e jetike në gjithë gjatësinë e saj, nga Tirana deri në Luginën e Pollogut në Maqedoni. Ndërsa Bulqiza, Klosi, Dibra e Madhe, Tirana, Peshkopia dhe Burreli, do jenë të parët që do ta ndjejnë pozitivisht efektin ekonomik të saj.

Duke parë rëndësinë që entet dhe koalicionet politike i kushtuan Rrugës së Arbërit gjatë zgjedhjeve, gjë që u reflektua edhe në vizitat e shpeshta të krerëve të shtetit dhe partive në Qarkun e Dibrës, është më se e qartë se peticioni i intelektualëve dibranë është një tregues premtues i rolit pozitiv që shoqëria civile, edhe pse akoma në formë embrionale, mund të luajë në konsolidimin e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, si dhe një mjet efikas për t’i kujtuar klasës politike se votuesit kërkojnë, me të drejtë, që premtimet elektorale të mbahen.

Fakti që intelektualët dibranë e kanë bërë të qartë që në fillim se ky peticion do të përfundojë vetëm kur të përurohet Rruga e Arbërit në gjithë gjatësinë e saj, ka bërë që partitë të vazhdojnë të tregojnë interesim për peticionin edhe pas zgjedhjeve. Ky është një tregues inkurajues dhe një bazë e mirë për të filluar një dialog konstruktiv me Qeverinë, në mënyrë që projekti në fjalë të përfundojë sa më shpjet dhe me standarde ndërkombëtare.

Iniciatorët e peticionit, ndër të cilët ka edhe gazetarë, shprehen se janë të inkurajuar nga fakti që, si gjatë fushatës elektorale, edhe pas zgjedhjeve, përfundimi i Rrugës së Arbërit është një ndër premtimet kryesore konkrete në programin qeveritar, premtim që Z. Edi Rama e përmendi edhe në ditën e parë në detyrë si Kryeministër.

Peticioni është zëri i shqiptarëve anekënd botës që e duan vendin e tyre, është zëri i Dibrës. Por që ky zë nuk mund të mbahej i gjallë dhe nuk do të kishte efektin e duhur pa angazhimin direkt të intelektualëve dibranë dhe të gazetarëve dibranë. Gazetarja me origjine dibrane Ornela Manjani është shprehur se e konsideron privilegj çfarëdo kontributi që ajo mund të jap në përkrahje të peticionit. Gazetari Hysen Likdisha shprehet se do të vazhdoj të jap kontributin e tij në dobi të ndërtimit të Rrugës së Arbërit ‘nga borxhi që i kemi Dibrës si dibranë që jemi’, por edhe nga përfitimet ekonomike që kjo rrugë sjell për kombin. Ndërsa gazetari Abdurahim Ashiku nuk ka rreshtur në Athinë, ku banon aktualisht, duke inkurajuar bashkëatdhetarët në Greqi të nënshkruajnë peticionin në formularët e përgadituar enkas.

Vullneti dhe vendosmëria e gazetarëve, për të kontribuar pa reshtur, për të përcjellë sa më gjerësisht peticionin në insitucionet mediatike ku kanë afirmuar vlerat e tyre profesionale, është një shembull që duhet të ndiqet edhe nga ne, kolegët e tyre në Shqipëri, Kosovë, në mbarë hapësirën shqiptare si dhe në Diasporë për tu prononcuar me kurajo në përkrahje të nismave të tilla me vlerë nga shoqëria civile.

Angaxhimi ynë si gazetarë në këtë drejtim bëhet më imperativ po qe se kemi parasysh numrin e madh të drejtuesve dhe ekspertëve të mediave të huaja që kanë përkrahur peticionin për ndërtimin e Rrugës se Arbërit. Mes tyre mund të përmedim Dr Franco Tagliarini, Drejtori i AlbaniaNews në Itali, Rashmee Roshan Lall, ish-korrespondente e gazetës ‘The Times of India’ në Londër dhe gazetare e BBC World Service, dhe editorët e e gazetës ‘Pravda’ të Slovakisë, Andrej Matisak dhe Ladislav Burkovic.

Gazeta Ditore u bën thirrje përsëri lexuesve të saj që ta nënshkruajnë peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:

http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arbëri-road-ndërtoni-sa-më-shpejt-dhe-me-standarde-rrugën-e-arbërit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides