Gazeta si e zezë në të bardhë – mbi etikën e shtypit

0
27

Mark Marku

Shpërthimi mediatik i viteve ’90 ka nxjerrë në plan të parë çështjet e standardeve etike dhe profesionale të mediave. Natyrisht në periudhën download (8)komuniste termat etikë, kod etike apo deontologji ishin krejtësisht të panjohura. Dhe kjo është e kuptueshme. “Deontologjia mund të ekzistojë vetëm në demokraci. Kush nuk beson në kapacitetin e njerëzve për të menduar në mënyrë të pavarur dhe për të ndërtuar jetën po në mënyrë të pavarur, e përjashton menjëherë autokontrollin. Për deontologjinë mendohet vetëm aty ku ka liri shprehje”, – shkruan Claude-Jean Bertrand. Në sistemin komunist grupi i parimeve profesionale zëvendësohet me parimet komuniste dhe janë këto parime që udhëheqin veprimtarinë e mediave dhe të gazetarëve.

Por, po të lëmë mënjanë periudhën e komunizmit, mediat shqiptare kanë një traditë të hershme në fushën e deontologjisë. Gjurmë të parimeve të hershme etike i gjejmë që te gazeta ‘Albania’ e botuar në vitin 1897 në Bruksel nga Faik Konica. Në numrin e parë të kësaj gazete, Konica shpall edhe parimet e botimit të shkrimeve polemike, sipas të cilave secili kishte të drejtë të botonte mendimet e veta “por pa cënuar lirinë e tjetrit”(Gazeta ‘Albania’. Nr. 1. F. 1. 1897.)

Po kjo gazetë kishte vendosur si standard botimi të drejtën e përgjigjes nga ana e personit të përmendur në gazetë, ose të personit të sulmuar nga ndonjë shkrim i gazetës. Nganjëherë, kryeredaktori i saj i vinte krah njëri-tjetrit shkrimet e gazetës. Më vonë në formë fragmentare parimet etike i ndeshim edhe në gazetat dhe revistat e tjera të shtypit shqiptar.

Për herë të parë një sistem parimesh i konceptuar si kod i mirëfilltë etike është botuar në revistën ‘Ylli i Mëngjesit’ në vitin 1917. Ky kod etike i titulluar “Fuqia dhe detyrat e shtypit”, që mban autorësinë e kryeredaktorit të revistës, Kristo Dako, përmban 23 nene ku përcaktohen natyra e shtypit, të drejtat dhe detyrimet e gazetarit në ushtrimin e profesionit të tij.

Një pjesë e madhe parimeve janë parime të karakterit moral si p.sh.: “Gazetari duhet të ketë një guxim të tillë moral, i cili të mos dobësohet përpara asnjë njeriu, asnjë partie”(Kristo Dako, “Fuqia dhe detyrat e shtypit”, ‘Ylli i Mëngjesit’. 30.01. 1917) ose “Të luftojë ligësinë me zell, me fuqi, me qëndrim”. Por në këtë grup parimesh të renditura nga autori ka edhe disa parime etike universale, që vazhdojnë të jenë edhe parime bazë të etikës së gazetarisë moderne, si p.sh.: “Gazetari lipset të jetë i paanshëm, në të botuarit e lajmeve dhe të kritikës së tij…” Botimi i këtij sistemi parimesh tregon se gazetaria shqiptare kishte arritur një shkallë të lartë vetëdijësimi në ushtrimin e këtij profesioni që në fillimet e shekullit të kaluar.

Kjo shpjegohet me faktin se gazetarët dhe drejtuesit e mediave ishin avangarda e zhvillimit të vendit, pjesa më e emancipuar e intelektualëve shqiptarë. Niveli i lartë kulturor dhe intelektual i gazetarëve dhe drejtuesve të shtypit shqiptar kuptohet edhe nga fakti se shkrimtarët dhe studiuesit më të mëdhenj të kulturës shqiptare, si Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Branko Merxhani etj., kanë drejtuar edhe revistat më të njohura të shtypit shqiptar si ‘Drita’, ‘Flamuri i Arbrit’, ‘Albania’, ‘Hylli i Dritës’, ‘Dielli’, ‘Përpjekja Shqiptare’ etj.

Rënia e sistemit komunist u shoqërua me një shkallë relativisht të lartë lirie, por, kësaj lirie shtypi shqiptar nuk iu përgjigj me të njëjtin nivel etik. Etika buron pikërisht nga nevoja e miradministrimit të lirisë. Gazetarët dhe profesionistët e shtypit duhet të jenë të vetëdijshëm se liria që ata gëzojnë, nëse nuk miradministrohet, mund të prodhojë pasoja që ndikojnë shumë mbi individin dhe shoqërinë. Pikërisht vetëdija për parandalimin e efekteve negative të ushtrimit të profesionit i bën institucionet e shtypit dhe organizatat e gazetarëve që të prodhojnë kode vetërregulluese.

Një gjë e tillë nuk ndodhi me shtypin pluralist të vitet ‘90. Pjesa më e madhe e shtypit të kësaj periudhe karakterizohet nga agresiviteti verbal, nga polemikat e personalizuara, nga mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe nga zelli militant. Edhe sot e kësaj dite në shtypin shqiptar ekzistojnë rudimente të këtij shtypi që kontrastojnë me pjesën tjetër të shtypit e cila prej vitesh karakterizohet nga një përkujdesje gjithnjë e më e madhe për normat dhe parimet etike. Shtypi etik fillon e bëhet mbizotërues në sistemin mediatik shqiptar aty nga fundi i viteve ‘90 dhe fillimi i viteve 2000.

Edhe pse përmirësimi i standardeve etike është prirje mbizotëruese e shtypit të shkruar shqiptar, prapëseprapë shtypi shqiptar është shumë larg të qenit një shtyp bashkëkohor për sa i përket respektimit të standardeve etike. Ka disa shkaqe që pengojnë arritjen e standardeve etike bashkëkohore të shtypit shqiptar.

Shkaku i parë ka të bëjë me mënyrën sesi konceptohet profesioni i gazetarit nga ata që e ushtrojnë aktualisht profesionin e gazetarit në mediat shqiptare. Shumë gazetarë e harrojnë përgjegjësinë shoqërore të ushtrimit të profesionit. Disa prej tyre thjesht nuk e dinë vlerën e standardeve etike, pasi nuk kanë formimin e duhur profesional. Dhe kur themi formim profesional kemi parasysh faktin se ky formim profesional merret si në shkollat e gazetarisë ashtu edhe në organet e shtypit, pasi një pjesë jo e vogël e institucioneve mediatike shërbejnë si shkolla të vërteta profesionale.

Shkaku i dytë ka të bëjë me pronarët dhe me strukturën e gazetave shqiptare. Një pjesë e mirë e pronarëve i përdorin gazetat dhe revistat që kanë në dispozicion si instrumente për mbrojtjen e interesave të bizneseve të tyre. Për të mbrojtur këto interesa ata shpeshherë i detyrojnë gazetarët që t’i shkelin standardet etike dhe profesionale. Përveç kësaj, gazetat shqiptare punojnë me një staf profesional aq të reduktuar sa që një gazetari i duhet të shkruajë 3, 4, e nganjëherë edhe 5 ose 6 shkrime në ditë. Natyrisht në këto kushte është e vështirë të pretendosh standarde pasi një gjë e tillë është e pamundur edhe teorikisht.

Shkaku i tretë, mendoj se është tradita. Përgjithësisht në shoqërinë shqiptare është ende mbizotëruese mënyra e të menduarit komunist që e kategorizon botën dhe shoqërinë njerëzore në bardh e zi, në të mirë dhe të këqij, në miq dhe armiq. Po t’i shtojmë kësaj kulture edhe kulturën tradicionale të thashethemeve, atëherë kuptohet se nga buron një model shkrimi, i cili synon denigrimin dhe nëpërkëmbjen e tjetrit.

Të përmirësosh etikën në mediat shqiptare, duhet që para së gjithash të eliminosh shkaqet e mësipërme. Vetëm atëherë kodet e etikës mund të kenë efikasitetin e duhur. Vetëm atëherë këto kode mund të zgjojnë interesin e profesionistëve të shtypit. Vetëm atëherë shtypi shqiptar mund të çlirohet nga paragjykimi se etika është një kufizim i panevojshëm në punën e gazetarit.