Gati për të ndihmuar familjen e Telit

0
78

Kryetari i SHVL-UÇK, Fazli Veliu, ka thënë se deri më tani kjo organizatë i ka ndihmuar kësaj familje sa herë që ka pasur nevojë dhe gjithsesi se do t’i ndihmojnë në raste të këtilla. Edhe OVL-UÇK e kryesuar nga Besim Hoda, ka bërë të ditur se do veprojë me gjitha mjetet që ka në dispozicion

Elida ZYLBEARI
Shoqatat e luftës në Maqedoni janë të gatshme t’i ndihmojnë familjes së komandat Telit, e cila ditë më parë është dëbuar nga banesa e tyre në Tiranë. Sipas informatave, situata është dramatike për familjen e dëshmorit e cila ka mbijetuar me sakrifica të mëdha, pa të ardhura, me dy fëmijë të vegjël e vendosur në një apartament të falur nga shtabi i UÇK-së për meritat e jashtëzakonshme që ka treguar luftëtari i madh, Lefter Koxhaj apo Komandant Teli nga Shqipëria në luftën e UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL), Fazli Veliu, ka thënë se deri më tani kjo organizatë i ka ndihmuar kësaj familje sa herë që ka pasur nevojë dhe gjithsesi se do t’i ndihmojnë në raste të këtilla. ”Ende nuk kemi folur me zyrtarët në Tiranë të shohim versionin e tyre të tregimit. Por sipas të dhënave të familjes që ne i kemi, situata është e vështirë. Të shohim çfarë do të na thonë zyrtarët e Tiranës.

Por, gjithsesi se ndihmën tonë kjo familje e ka të garantuar”, ka thënë Veliu. Sipas tij, SHVL i ka ndihmuar kësaj familje sa herë që ka pasur nevojë.”Edhe kur kishin probleme shëndetësore me të birin, por edhe herë pas herë u kemi dërguar ndihmën tonë materiale. Ne jemi në kontakt me këtë familje, u kemi siguruar atyre vend ku të qëndrojnë, dhe ndihma jonë nuk do të mungojë asnjëherë”, ka thënë Fazliu. Njëkohësisht edhe Besim Hoda, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka thënë se po sa të marrin informatat e sakta do të veprojnë me gjitha mjetet që kanë në dispozicion.

”Për këtë rast janë hapur shumë polemika në qarqet tona politike. Për shkak të disa problemeve, ende nuk kam mundur të kontaktoj me familjen e këtij komandanti të shquar, por deri të premten do të marrim vesh çdo gjë dhe atë herë do të dalim me qëndrim dhe plan për të vepruar në ofrimin e ndihmës adekuate për familjen e komandat Telit”, është shprehur Hoda. Sipas tij, kjo familje e dëshmorit të luftës nuk është e vetme që përballet me probleme.

”Thuajse të gjitha familjet e dëshmorëve të UÇK-së përballen me probleme financiare dhe të ngjashme. Ne kemi kërkuar zgjidhje institucionale të statusit të tyre, e jo ndihma të përkohshme, sepse ato nuk janë të mjaftueshme për atë që e meritojnë ta kenë këta familje në bazë të kontributit të dhënë të ish ushtarëve të lirisë”, ka thënë Hoda. Familja e Telit, sipas disa informatave, janë dëbuar nga apartamenti ku jetonin që nga marsi vitit 2003, i cili u është dhuruar nga Shtabi i UÇK-së me firmat e tre komandantëve të njohur.

Procesi gjyqësor në lidhje me këtë rast sipas familjes së dëshmorit, është bërë në mungesë të kësaj familje dhe avokatit të saj. Dokumentet datojnë që në vitin 1999, kur ky apartament u ble për nevojat e UÇK-së si bazë logjistike e deri më sot. Familja dhe fëmijët e Komandant Telit zotërojnë dokumentin origjinal me firmat e tre komandantëve të lartë UÇK-së, ( njëri prej të cilëve, ka rënë dëshmor vitin e kaluar).