Garanti

0
25

Nga Mero Baze

Sali Berisha nuk duhet marrë seriozisht për ato që thotë, por duhet marrë seriozisht për atë çfarë gëzohet. Në historinë e akteve kriminale ndaj kundërshtarëve të tij, Berisha nuk është gjithmonë urdhëruesi apo përgjegjësi, por është në të gjitha rastet mburoja dhe garanti. Kjo histori më së miri po përsëritet në dy raste të ngjarjeve te rënda të ndodhura në harkun e një muaji. Është fjala për tritolin në makinën e Besnik Dervishit dhe tritolin në shtyllën e tensionit të lartë në Milot. Nuk mund të themi me siguri se Berisha qëndron pas vendosjes së tritolit, por mund ta themi me plot bindje, siç e thotë dhe vetë Berisha, se ai u ka dalë zot të dy atentateve. Të dyja atentatet kanë pista të ngjashme, që lidhen me inkurajimin e aktit terrorist, dhe pastaj mbrojtjen e tij nga vetë Berisha.

Në rastin e Vlorës, Sali Berisha bëri thirrje të ngrihemi në këmbë dhe të përmbysim Edi Ramën se po prish pasuritë e ligjshme të qytetarëve shqiptarë. Ishte fjala për pallatin që formalisht ishte e vjehrrit të Lulzim Bashës, por realisht me gjithçka, që nga ndërtimi i tij e deri në hipotekim, është marrë i biri i Berishës. Të nesërmen e kushtrimit, prefektit të Vlorës iu gjet tritoli në makinë.

Një ditë para vendosjes së tritolit në shtyllën e Milotit, Berisha bëri thirrje të ngrihemi të gjithë në këmbë kundër Edi Ramës dhe të nesërmen shpërtheu tritoli në shtyllë.

Pas shpërthimit të tritolit në makinën e Besnik Dervishit, Sali Berisha deklaroi se atë ia ka vënë Edi Rama me vetë dëshirën e prefektit.

Pas shpërthimit në Milot, Berisha deklaroi po ashtu se tritolin e ka vënë Edi Rama.

Problemi që kemi me këtë skenë të ngjashme të mbrojtjes se krimit nga Berisha, është se hetimet për tritolin e Dervishit kanë avancuar dhe tashmë rezulton që tritolin ia kanë vënë për shkak të detyrës dhe është mbërritur deri tek shenjat e gjurmëve të gishtit të agresorit.

Nesër po ashtu mund të përparojnë hetimet për tritolin në Milot dhe të ketë pistë konkrete.

E vetmja gjë që mbetet është praktika e përhershme e Sali Berishës, i cili kërkon të inkurajojë krimin, duke i dalë zot veprave kriminale të tij. Kështu në të vërtetë ka vepruar në gjithë karrierën e tij politike. Ai nuk e vrau vetë Fatmir Xhindin, por u doli zot vrasësve dhe nuk i dorëzoi kurrë duke prishur dhe prova. Ai nuk e vrau vetë Kosta Trebickën, por i doli zot skenës së krimit dhe prodhoi alibi për vrasjen e  tij. Ai nuk e vrau vetë kryetarin e Komunës Tërthore në Kukës, por i doli zot vrasësve vetëm pse ai ishte i opozitës së atëhershme. Ai në përgjithësi nuk është njeri që nuk ka aftësi logjistike dhe organizimi. Është një plak jashtë kontrolli, që armën e vetme mendon se ka frymëzimin e krimit dhe mbrojtjen e akteve kriminale.

Edhe në këtë rast unë nuk besoj se ai ka thirrur tek zyra e tij disa djem nga Mamurrasi apo Laçi dhe i ka nisur me tritol me vete. Ai thjesht u dërgon atyre mesazhe publike se është në anën e tyre në këto vepra kriminale.

Ky është dhe thelbi i mesazhit të tij për tritolin e Milotit, kur e krahason me atë të Besnik Dervishit. Ai kërkon t’u thotë autorëve se ai nuk do të lejojë të gjenden, dhe për këtë ai e paracakton si autor Edi Ramën. Edhe pse duket banale, në të vërtetë kjo është një subkoshiencë kriminale, që aktivizohet sa herë e shikon se krimi është në favor të tij. Për këtë arsye mos e dëgjoni kë shan, por shikojeni kë mbron. Ata që ai mbron, janë ata që janë duke vrarë.

Është kjo arsyeja që në raste të tilla policia dhe prokuroria duhet të bëjnë objekt hetimi dhe deklaratat politike rreth akteve kriminale, pasi ato kanë një rëndësi të veçantë në frymëzimin e krimit, por dhe në gjetjen e gjurmëve të tij. Sali Berisha është duke dëshmuar se është në anën e tyre.