“Garantët” e Berishës

0
16

Nga Mero Baze, 23 Nëntor 2011

Deputeti Dritan Prifti u shfaq dje para shtypit duke artikuluar disa fakte të rënda. Por mbi të gjitha pati një shpërthim kundër Ilir Metës lidhur me shantazhet që i bëhen atij dhe familjes së tij në gjithë këtë histori të turpshme të procesit gjyqësor. I gjithë shpërthimi dhe polemikat e dyanshme vijnë për shkak se Gjykata i ka lënë ato jashtë dosjeve të saj të gjykimit.

Po dje Familja Konomi në Vlorë, me një letër të hapur drejtuar medies shqiptare, ngre shqetësimin jo vetëm për moszbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi, por dhe pengimin nga e njëjta dorë të hipotekimit të pronave të tyre, të fituara me gjyq disa javë para se të vrisnin gjyqtarin Konomi.

Ajo që i bashkon të dy këto ngjarje është kërcënimi i heshtur i pushtetit ndaj kundërshtarëve të vet, duke mos ndëshkuar hasmin e tyre. Në konceptin e tij për pushtetin, Sali Berisha ka të ndërtuar në mënyrë të pakthyeshme modelin e ndëshkimit të kundërshtarëve duke u bërë palë me ‘hasmin’ e tyre. Vrasjet e kohëve të fundit, shumica mafioze, dhe mos gjetja e autorëve të tyre, është shantazhi publik që pushteti bën ndaj çdo kundërshtari. Mesazhi i tij është i qartë: Po u vrave, mos mendo se do të gjendet autori. Duke krijuar këtë mekanizëm shantazhi mbi kundërshtarët, pushteti po përpiqet çdo ditë të gjunjëzojë do faktorë opozitarë në vend dhe çdo individ që ngre zërin kundër tij.

Fjala vjen, nëse Gjyqtari Konomi ka prishur ndonjë pakt me njerëzit afër Berishës për tokat në Gjirin e Lalzit, ai u vra dhe vrasësi nuk do të gjendet, me qëllim që nëse ndonjë tjetër në Plazh të Gjeneralit, në Seman, në Nartë, në Orikum, në Borsh apo Ksamil do të kërkojë pronat pa marrëveshje, duhet të kujtojë më parë ç’i ndodhi gjyqtarit Konomi dhe mos gjetjen e vrasësve të tij.

Në rastin e Priftit terrori bëhet dhe më i fortë. Gjykimi i parë publik për skandalin e Ilir Metës është dhënë më 21 janar 2011. Dhjetë ditë pasi shqiptarët e panë me zë dhe figurë se ku ishte katandisur pushteti i tyre, dolën në rrugë dhe shpërthyen kundër qeverisë. Qeveria u ndje aq e trembur nga ky shpërthim, sa në frikë e sipër Sali Berisha dhe Lulëzim Basha morën vendimin më burracak të gjithë kohërave në Shqipëri, për të qëlluar mbi njerëzit. Katër të vrarët e 21 janarit dhe jetimët e mbetur nga ai reagim burracak i Sali Berishës janë deri më sot të dënuarit e vetëm të këtij skandali.

Por për ta plotësuar deri në fund terrorin, ne nuk kemi sot asnjë të dënuar dhe asnjë përgjegjësi për vrasjet e 21 Janarit. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha nuk kanë shkuar asnjë sekondë para drejtësisë për të shpjeguar çfarë bënë atë ditë dhe pse qëlluan mbi njerëzit. Bile edhe më keq. E kanë trembur aq shumë Kryeprokuroren, Presidentin dhe Gjykatat, sa as nuk kanë guxuar t’i thërrasin. 21 janarin drejtësia shqiptare nën trysninë e pushtetit po e gjykon sikur të ishte një zënkë mes policash dhe ca ‘kokëpalarëve’, siç u thotë Ilir Meta, pas së cilës vdiqën katër ‘kokëpalarë’.

Duke e trajtuar në këtë mënyrë 21 janarin, Sali Berisha ia ka arritur të ndëshkojë jo vetëm individualisht do kundërshtarë të tij, por dhe kolektivisht gjithë opozitën. Mos ndëshkimi i 21 janarit dhe degradimi i atij procesi, është një paralajmërim në bllok për opozitën dhe frymën e saj të protestës. Vrasja e 4 qytetarëve paqësorë dhe mosndëshkimi i Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, është një akt aq i rëndë ndaj demokracisë në Shqipëri, sa ç’kanë qenë pushkatimet politike në vitet e para pas komunizmit, që frikësuan njerëzit dhe i treguan vendin opozitës.

Dhe pasi ka kaluar fazën e kërcënimit të opozitës përmes vrasjeve pa autorë, pushteti po kalon në një fazë të re dhe më poshtëruese për shoqërinë. Kjo është faza e inkurajimit të biznesmenëve që kanë biznes blerjen e opozitës dhe forcimin e autoritetit të pushtetit kundër saj. Kjo ka bërë që në Shqipëri biznesi më i madh i biznesmenëve të oborrit të Sali Berishës të jetë përfitimi nga kapja e shtetit duke i bërë shërbime pushtetit kundër opozitës. Ky model, i cili në fakt është adoptuar nga modeli i shantazhit që Berisha përdor ndaj atyre që vrasin kundërshtarët e vet, është një formë terrori më e zbutur, por e njëjtë në thelb me ata që vrasin.

Nëse i hetoni me kujdes biznesmenët e oborrit të Sali Berishës dhe ata që e shoqërojnë atë nga pas, do të kuptoni se ata nuk janë as më të talentuarit, as më të suksesshmit, dhe as më seriozët në Shqipëri. Përkundrazi mund të jenë më borxhlinjtë, më problematikët dhe evazionistët më të mëdhenj. Por ata i bashkon një gjë, ata kanë si ‘dhuratë’ për Sali Berishën hedhjen e gurëve mbi opozitën. Dikush ka një medie që sulmon opozitën, një tjetër financon qeverinë kundër opozitës, por të kryepreferuarit janë ata që ia kanë premtuar Berishës blerjen e opozitës.

Ata ulen me kryeministrin në udhëtimet e gjata, i tregojnë si i kanë blerë vilë apo shtëpi njërit tek fshati i Sandrit dhe Zamirit, si i kanë paguar dikujt ndonjë shpenzim të papritur familjar, si kanë folur kundër Edi Ramës, si mund t’i lidhin këta me Ilir Metën, si mund të eliminojnë Bamir Topin, si të tregojnë ndonjë barsoletë për të apo ndonjë thashethem për korrupsion, si t’i ofrohen atij për të blerë vota nëse i duhen për KLSH ose të kundërtën nëse nuk i duhen… Pra, i vetmi biznes me të cilin Sali Berisha ka një raport miqësor, nuk është as ai që ndërton rrugë, as ai që ndërton fabrika, as ai që hap vende pune për shqiptarët, por ai që mbyll vende pune për opozitën dhe opozitarët.

Kjo është pak a shumë dhe trupa shëtitëse e biznesmenëve të Sali Berishës, që herë duke e gënjyer e herë duke bërë diçka, po investojnë paret që fitojnë nga evazioni fiskal për të eliminuar opozitën në vend. Në thelb, kjo i ngjan shantazhit me vdekje dhe mos gjetje autorësh që Berisha i bën opozitës dhe shoqërisë shqiptare prej kohësh. Ky është fenomeni më i shëmtuar dhe më korruptiv që po prodhon Sali Berisha, kundër lirisë në vend.

Taktika e tij e vetme për të qëndruar në pushtet, është heshtja ndaj mafias që i vret kundërshtarët, heshtja ndaj drejtësisë që nuk i ndëshkon mëkatarët dhe mirënjohja ndaj ‘parelinjve’ që i blejnë opozitarët. Këta janë ‘garantët’ që e mbajnë në pushtet. Por shpesh dhe ata që të tërheqin zvarrë pas pushtetit.