Mentor Nazarko, 29.12.2009
Intervista e fundit e Presidentit të Republikës dhënë Top Channel kaloi pa vëmendjen e duhur. Në këtë mosvëmendje ka një sërë shkaqesh që mund të përmblidhen: mungesë promocioni nga zyra përkatëse, mungesë përqëndrimi për të kuptuar lidhjet midis deklarimeve verbale të krerëve të institucioneve dhe veprimeve të tyre aktuale dhe të hershme dhe ndoshta mungesë përqëndrimi për të gjetur ndonjë lidhje midis deklarimeve aktuale dhe zhvillimeve të pritshme institucionale. Për më shumë kjo intervistë duhet vendosur në kontekstin aktual politik për të kuptuar më shumë mesazhet e saj. Ndërkohë duhet dhe një çelës për të çkoduar gjuhën institucionale.
Po përzgjedh disa prej mesazheve më të rëndësishme të saj dhe pas përzgjedhjes, po mundohem të nxjerr ndonjë përfundim. Në lidhje me çështjen e NATO-s, Presidenti nuk e konsideroi anëtarësimin si vepër të kësaj shumice, diçka krejt normale në zhargonin propagandistik të PD. Ai foli për “ndërveprim të palëve”, për “një proces që nuk erdhi në një ditë, në një orë, por.. një proces relativisht afatgjatë i atij pozicioni që ka marrë Shqipëria prej vitesh, i atij orientimi mjaft të qartë euroatlantik, por edhe mjaft i reformave, ku është kontributi i të gjithëve”. Ky është një pozicion realist, i cili vlerëson kontributin edhe të qeverive socialiste.
Pjesa më aktuale e intervistës së numrit një të shtetit lidhet me cilësinë e debatit apo më saktë të përplasjes politike në vend, ku sigurisht me një gjuhë konceptuale dhe jo të personalizuar ai bën fajtor kreun e shumicës. “Kemi pasur pastaj edhe elementë të një debati politik që është i pranueshëm deri në një farë kuote, deri në një farë limiti, sepse përtej atij limiti, gjërat pastaj fillojnë e japin një imazh jo të këndshëm për ata që e ndjekin debatin politik dhe sidomos për partnerët ndërkombëtarë”. Duket një këshillë e urtë kjo për kryeministrin, i cili i kapur jo thjesht nga pasioni verbal që e karakterizon në ndërrmarrje të caktuara politike me natyrë shkatërrimtare, nuk e vrau mendjen fare as për ndërkombëtarët, as për fëmijët që e dëgjojnë dhe të cilëve po i referohet në këtë fundviti, dhe për askënd.
Për më shumë kreu i shtetit ishte akoma më i qartë ndërsa tha: “Ajo që unë uroj është që të rritet niveli i debatit politik pasi dëgjojmë rëndom batuta apo komunikime, të cilave për fat të keq në disa raste u mungojnë elementët e civilizimit! …Në radhë të parë duhet të kemi respekt për veten, pastaj u vjen radha ndërkombëtarëve. ..mënyra dhe toni natyrisht që mund të përdorin, janë në vullnetin e gjithsecilit. Puna është që, rëndësi ka argumenti me të cili del në debat dhe pastaj duhet të kemi edhe kujdesin për imazhin tonë para ndërkombëtarëve. Por në radhë të pare, duhet të jetë shqetësimi për veten tonë. Ne jetojmë këtu, kemi zgjedhur që të jetojmë këtu”.
Zoti Topi ishte dhe më aktual, ndërsa fliste për demokracinë e brendshme në partitë tona, si parakusht për të krijuar institucione të shëndosha. Pse më aktual? Intervista ishte vetëm pak ditë më pas kongresit të famshëm të PD-së, që në fakt nuk ishte dhe aq shumë kongres, nëse nuk do të kishte brenda tij dhe kutira votimi. Ja ç’tha Presidenti brenda limiteve të gjuhës së tij institucionale: “ne kemi nevojë në përgjithësi, sidomos në partitë politike, nga të cilat projektohen të gjitha institucionet e tjera, që të rrisin ndjeshëm elementët e demokracisë së brendshme… një demokratizim i jetës së brendshme në partitë politike, patjetër që do të rriste ndjeshëm kurajën e inkursioneve politike dhe të rritjes së mundësisë për të bërë reforma të guximshme në Shqipëri.” Në fakt ky konstatim i Presidentit mund të lidhet dhe me atë që ndodhi brenda partisë socialiste, ku pavarësisht disa elementëve të garës, prapëseprapë u vu re mungesë e demokracisë së brendshme.
Madje zoti Topi duket se hodhi një lloj teze të re kur vendosi lidhje midis mënyrës si zbatohen ligjet në kuadër shtetëror, me shkallën e demokracisë së brendshme në partitë tona. “Ligjet janë ndërtuar mbi bazën e një vullneti, por në momentin kur ato fillojnë e implementohen, sidomos mbi bazën e ekstraktimit të vlerave në partitë politike, aty mendoj pastaj që çalon dhe besoj është pikërisht momenti që ka të bëjë me testimin e demokracisë së brendshme të partive” – tha Presidenti Topi.
Kreu i shtetit ju kthye dhe njëherë temës së ndryshimeve kushtetuese duke i konsideruar ato si të kryera pa një konsultë serioze. Dhe ndërkohë ai nënvizoi: “Çështja kushtetuese është një çështje që i takon të gjithëve. Pra nuk mund të jetë pozicion voluntarist i X-it apo Y-it. Ajo që kam thënë në atë kohë ka qenë: Kujdes mund të bëni ndryshime sepse ndryshimet vijnë mbi bazën e vullnetit të një shumice parlamentare, që arrijnë në atë numër të domosdoshëm që parashikon Kushtetuta. Pra sqaroni momentet, paraqitini para njerëzve, paraqitini në media, jepuni mundësi njerëzve që të ambientohen me këto ndryshime dhe pastaj bëni ndryshime. Kur nuk e morën në konsideratë dhe vendosën brenda një nate, atëherë isha i detyruar të bëja një nënshkrim të menjëhershëm të dekretit”.
Zoti Topi përdori një retorikë që në fakt duket si njëlloj kritike për opozitën që pranoi këtë lloj kodi zgjedhor ndërsa tha se “ata që e kanë pasur vullnetin për të ndërtuar një ligj elektoral, duhet të mendoheshin mirë para se ta realizonin. Në momentin që realizohen, nuk mund të bësh komente në retrospektivë, si e ke realizuar. Ka një rregull, nuk është lojë fëmijësh. Kjo është loja më e rëndësishme që ka të bëjë me demokracinë e një vendi dhe me të ardhmen e një vendi. Njerëzit nuk duhet të bëhen qaramanë post faktum. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Ku dallohet një politikan, një intelektual nga një njeri i zakonshëm. Duhet t’i bëjë profilaksinë gjërave. Pra futesh në një periudhë përgatitore, dialogu, fillon ndërton mbi bazën e ekspertëve edhe kur bën vendimmarrjen nuk ke pse qahesh më.” Në fakt ky mesazh ishte më i palexueshmi për ne njerëzit e zakonshëm: Rama nga ana e vet nuk është ankuar megjithatë për llojin e kodit. Atëherë për kë e kishte fjalën presidenti?
Ndërsa shpjegoi bisedën që kishte patur me Ramën, zoti Topi ishte relativisht i qartë kur foli për marrëdhëniet me Berishën dhe i përkufizoi ato si “institucionale”. Por ama ai tha diçka shumë të trishtuar për mungesën e komunikimit midis krerëve të institucioneve tona, ndërsa tha duke ju referuar Berishës: “në raste të ndryshme të takohemi, por nuk kemi diskutuar. Nuk është vendosur në rendin e ditës ndonjë bisedë specifike për këtë çështje.”
Zoti Topi duke ju shmangur komenteve të drejtpërdrejta për zhvillimet në kongresin e PD, la të kuptohej nisur nga “eksperienca politike, pozicionimi, profili familjar, shoqëror” se ku do të ishte e ardhshmja e tij politike. Pra se ai do të tentojë të rikthehet në PD ku sigurisht të paktën në nivelin e drejtuesve siç duket dhe nga intervista, nuk po e presin me duar hapur.
Kreu i shtetit shqiptar pati momente të tjera distancimi nga shumica parlamentare prej nga erdhi ndërsa tha se i referohej për gjykimin e situatës ekonomike dhe financiare, fjalëve të Guvernatorit. Po ashtu zoti Topi shfajësoi veten për mungesën e rolit të tij në zgjedhje, apo ndërsa indirekt vlerësoi punën e prokurores së përgjithshme, të vendosur në krye të një institucioni kolektiv i cili mund të ketë dhe difekte.
Në vend të epilogut
Intervista e fundit e kreut të shtetit na konfirmoi disa të vërteta të rëndësishme për fatin e demokracisë në vend. Në kohën kur politika e ka futur këtë vend në përplasje të fortë midis dy gjysmave të popullsisë, kur jemi në mes të një krize ekonomike dhe financiare që ende nuk i ka shpërfaqur plotësisht efektet, kreu i shtetit vazhdon të qëndrojë në rolin e vet. Ky është një rol përfundimisht i konsoliduar edhe prej paraardhësve të tij, rol në të cilin çdo president vendos identitetin e vet. Është roli natyral i tij, i aleancës, i garancisë ndaj institucioneve të tjera tipike të shtetit, siç është përcaktuar dhe në kushtetutën në fuqi. Ky president rikonfirmoi nëpërmjet mesazheve të koduara, mbase jo plotësisht të qartë për publikun, se do të vazhdojë të rrijë në ketë rol, pa hyrë në shërbim të shumicës parlamentare në pushtet që po karakterizohet nga një arrogancë e palejueshme për rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Ky konfirmim është veçanërisht i rëndësishëm, po të marrim parasysh disa skadenca institucionale në të cilat do të hyjë vendi dhe ku roli i presidentit qoftë si propozues, qoftë si verifikues, apo mandatues është i rëndësishëm. Një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese lënë mandatin, dhe po diskutohet ama vetëm nga kreu i qeverisë, e ashtuquajtura reformë e shërbimeve sekrete. Intervista e fundit tregoi se Presidenti do të jetë në rolin e tij, dhe garanci megjithëse e trishtë është fakti se marrëdhëniet e tij me kryeministrin janë institucionale dhe “se ata nuk kanë diskutuar ndonjëherë për çështje specifike me njeri tjetrin.” Pra kreu i shtetit nuk do të ndjekë verbërisht kryeministrin Berisha në ndërrmarrjen e rradhës për ta bërë mandatin e dytë të tij, sa më të ngjashëm me të parin, duke pushtuar te gjithe institucionet. Me pasoja shkatërrimtare për vendin.