Socialistët e Edi Ramës kanë mundur të garantojnë provat e manipulimit të votave në Tiranë. Kanë kontrolluar filmimet e procesit të numërimit të votave në kryeqytet dhe kanë zbuluar diferenca prej qindra votash më shumë sesa votues. Do të kërkojnë në Kolegj pavlefshmërinë e votimit për kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve. Dy precedentët kur Kolegji ka kërkuar që një gjë e tillë të ndodhë për zgjedhjet e 8 majit; dy vendime të njëpasnjëshme të tij, me firmën e të tetë anëtarëve të trupës, kanë urdhëruar ripërsëritjen e votimit në dy komuna të vendit

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO
Ka një fitues Tirana? Sipas KQZ-së, po! Sipas pritshmërisë së socialistëve, jo! Sipas asaj që do të vendosë Kolegji Zgjedhor, duhet të pritet të konsumohet edhe gati dy javë të tjera maksimalisht. Dhe ky do të jetë një vendim, sipas të gjitha parashikimeve, jo thjesht për emrin e kryebashkiakut të ri të Tiranës, por shumë më shumë. Sepse është testi përfundimtar për funksionimin e institucioneve, është testi kryesor për funksionimin ose jo të sistemit që prodhon qeverisje në vend.
Filmi, gracka ku ra KQZ-ja
Socialistët e Edi Ramës, për ditë me rradhë, në kushtet e konfidencialitetit ekstrem, si rrallë ndonjëherë, kanë “prodhuar” armën sekrete të betejës në kolegj. Një ekip i gjerë, me juristë, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, sekretar për çështjet ligjore në PS, ekspertë të informatikës dhe të tjerë, kanë siguruar materialin filmik të ditëve të numërimit të votave në Tiranë. Janë revizionuar një për një CD-të që kanë filmuar votat, gjë që ka dhënë një panoramë të asaj çfarë ka ndodhur realisht me votën në Tiranë.
Nuk bëhet e qartë se deri ku ka mbërritur ky proces, sa CD janë parë, por minimalisht konfirmohet se janë kqyrur mbi 60 për qind të gjithë materialit shumë e shumë orësh filmik të procesit të numërimit të votave, në 485 qendra votimi në Tiranë. Rezultati që u morr nuk pati surprizë për socialistët, por që pritet në mënyrë absolute të jetë një nga surprizat më të mëdha të këtij procesi: është konfirmuar dhe provuar diferenca dramatike mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit të gjetura në kuti. Dhe bëhet fjalë për dy lloj diferencash: e para për numrat që ndryshojnë nga njëri-tjetri sipas asaj që dallohen në filmime dhe që janë pasqyruar në procesverbale, dhe e dyta, për numrat që do të jenë në tabelën përmbyllëse për votimin në Tiranë. Socialistët e ruajnë me fanatizëm numrin e saktë të votave që kanë gjetur si diferencë. Do ta përdorin në materialin që do t´i përcjellin Kolegjit Zgjedhor. “Filmimi i procesit të numërimit të votave është gracka ku ra ky manipulim i trashë i rezultatit për Tiranën”, thotë një nga njohësit e asajçfarë po ndodh në mënyrë hermetike në selinë rozë. “Janë peng i kontabilitetit të tyre vulgar, edhe një grabitës i rëndomtë në një dyqan periferie, kur shkon në shtëpi, numëron frutat dhe perimet e vjedhura, Ristanët nuk kanë mundur ta bëjnë dot një gjë të tillë në bodrumet e KQZ-së”, thotë një tjetër. Konfirmohet se janë identifikuar mospërputhje “të çuditshme”, që provojnë një realitet të deformuar elektoral, i cili shkon që nga gabime njerëzore e deri tek manipulimi i votës. Dhe në këtë pikë që ka mbërritur procesi, në pritje të epilogut që do të japë Kolegji, gjithçka ndërlikohet. Sepse këtu mbaron punë jurisprudenca politike dhe politika që komenton jurisprudencën sipas mënyrës së zakontë shqiptare dhe nis llogaria e thjeshtë e aritmetikës: mospërputhja e shifrave. Tabelat e mbledhjes dhe zbritjes janë aritmetikë elementare që mësohet në klasat e para të fillores dhe rezultati për Tiranën, do t´i duhet t´u përgjigjet pikërisht atyre tabelave.
Ankimimi tek gjykatësit
Ekipi i juristëve të PS-së ka bërë gati ankimimin në Kolegjin Zgjedhor. Edhe ky është një material tërësisht i rezervuar dhe askush nuk jep detaje për të. Mësohet vetëm se një nga pikat kryesore ku do të goditet vendimi i pritshëm i KQZ-së së Ristanit, do të bazohet në dy nene të Kodit Zgjedhor, nenin 160 dhe 161, që kanë të bëjnë me Pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Janë dy nene shumë interesantë. I pari flet për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendrën e votimit. Një gjë e tillë do të ndodhte në tre raste, i pari nga të cilët, do të përdoret nga socialistët: a) kanë ndodhur shkelje të ligjit. Pika c, e të njëjtit nen, përcakton se: “…për cilindo nga këto shkaqe është cënuar procesi zgjedhor në një masë të tillë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore…”.
Më pas e merr fjalën neni pasardhës. Neni 161, pika 1 e tij thotë: “Pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi”. Dhe më tej, pika 2, në pjesën që flet për zgjedhjet vendore, thuhet: “…për zgjedhjet për kryetar të qeverisjes vendore ndikim në rezultat do të konsiderohet kur numri i zgjedhësve në qendrat e shpallura të pavlefshme është më i madh se diferenca midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme”.
Mjafton të provohet se në qendrat e shpallura të pavlefshme në Tiranë, ka më shumë fletë votimi se votues dhe që ky numër të tejkalojë shifrën 95 të diferencës mes votave për Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, që Tirana të shkojë dhe njëherë automatikisht përpara kutive të votimit. Socialistët e kanë provuar një gjë të tillë: me filmimet që tashmë janë kontrolluar në selinë e tyre.
Për momentin, kalkulimet në këtë pikë japin një tablo të përgjithshme të pakundërshtueshme: janë disa qindra vota në total diferencë. Dhe kjo diferencë, është e dy llojeve, në disa kuti janë gjetur më shumë fletë votimi se votues dhe e kundërta, në disa kuti të tjera janë gjetur më pak fletë votimi se votues. Çka provon pikërisht atë që i ndruhen të gjithë, se në kutitë e votimit, të mbyllura me pesë kode, kanë hyrë duar me pesë gishta secila. Po kështu, prova për në Kolegj do të jenë kuti me kode të ndryshuara të sigurisë, fletë votimi të gjendura jashtë zarfeve apo të “transferuara” nga një qendër votimi në tjetrën apo dhe kuti të thyera, materiali brenda të cilave mund të manipulohej lehtësisht. Gjithçka në favor të argumentit të socialistëve: fitorja e Edi Ramës në Tiranë është grabitur edhe në tavolinë, edhe në magazinat e Lundrës, edhe në bodrumet e KQZ-së.
Sfida e Gjolekës me Arbenin
Në një dalje të tij publike, kryetari i KQZ-së Ristani shpjegoi se diferencat e shifrave shpjegohen vetëm me tre mundësi: gabim njerëzor, mungesë trajnimi të numëruesve dhe manipulim. Mundësinë e tretë ai e ka përjashtuar vazhdimisht, pa ju shmangur dy mundësive të tjera, që e konsiderojnë direkt përgjegjës dhe fajtor institucionin që ai drejton. Por javën e kaluar, një provë, një bast dhe sfidë direkte televizive mes Ristanit dhe një nga njerëzit e PS-së në KQZ, Gjolek Guci, dha provën fatale se kutitë janë manipuluar. Guci mundi të nxjerrë nga një kuti e mbyllur me kodet e sigurisë as më pak dhe as më shumë, por zarfin me materialet zgjedhore. Dhe aty ku mund të dilte një zarf i trashë, votat mund të hynin e dilnin lirisht si klientët në shtëpinë e “k…urvës”. E megjithë këtë, vajza “fatkeqe” u la mbi tryezën e KQZ-së.
Po Kolegji?
Mbas dy vendimeve shumë të diskutuara që kanë të bëjnë me Tiranën, Kolegji zgjedhor është përpara provës së zjarrit. Jo në kuptimin juridik të fjalës, por në deklarimin e aftësive të tyre në aritmetikën e thjeshtë që anëtarët e tij kanë bërë në fëmijërinë e tyre të hershme. Në disa raste, ata e kanë kaluar me sukses këtë provë dhe kanë treguar se e njohin këtë lloj aritmetike. Në disa komuna ata kanë shpallur pavlefshmërinë e votimit dhe kanë urdhëruar përsëritjen e votimit pikërisht për këtë shkak: në kuti janë gjetur më shumë vota se votues. Në komunat e vogla të Kolshit, Lezhë dhe të Armenit, Vlorë, ka ndodhur në miniaturë pikërisht ajo që ka ndodhur edhe në Tiranën e madhe. Në Kolsh, dy kandidatët konkurues u ndanë me një diferencë prej pesë votash. Por një qendër votimi u gjet me tetë vota më shumë sesa votues. Në Armen, zullumi kishte të njëjtën shije dhe ngjyrë si në Kolsh, vetëm se ishte pak më i trashë dhe u këput lehtë. Diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm tre vota. Por në dy qendra votimi u gjendën respektivisht një dhe dy vota më shumë, kurse në një të tretë, u gjendën tre vota më pak sesa votues të regjistruar se kishin votuar.
Edhe më interesante bëhet situata se vendimet për këto dy komuna kanë prekur të tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Secili nga ta, përfshi dhe Tomën që tanimë njihet në Tiranë edhe pa i përmendur mbiemrin, ka vënë firmën mbi këto dy vendime. Jurisprundenca është edhe “casus”, nuk mund të ketë vendime të ndryshme për të njëjtin fakt. Edhe pse jetojnë në kryeqytet, gjyqtarët e Kolegjit e dinë mirë se në jo gjithçka mund të ndodhë në Tiranë. Në Ruzhdien e famshme, në Fier dhe komunën e Jubanit, në Shkodër, ka ndodhur në vitin 2009, e njëjta histori: ka pasur më shumë fletë votimi se zgjedhës. Të paktën komisionerët e Ruzhdies dhe të paktën nga prokuroria, ata janë gjetur fajtorë për atë që kanë lejuar të ndodhë. Dhe prokuroria ka shqiptuar në emër të Republikës se atë krim ata duhet ta paguajnë me heqje të lirisë sepse i kishin dhënë vetes lirinë kriminale për të ndërhyrë në votë. Ristani e ka mësuar një gjë të tillë. Edhe gjyqtarët e Kolegjit.







