Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare

0
56

Bota Sot | 20.01.2013

Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu.

Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atëherë ishte edhe fatbardhësia jonë /vërejtja ime/, por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri…

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” botimi i Diasporës – Perëndimit)