Gallup: Shqiptarët, më pesimistët në botë për sa i përket çështjes së punësimit

0
52

Nga Tema

Të humbësh vendin e punës është një tragjedi. Sidomos në kohë krize. Shqiptarët janë më pesimistët në botë për sa i përket mundësisë së gjetjes së një pune të re, pasi kanë humbur punën e mëparshme. Të gjesh një vend të ri pune është një gjë jashtëzakonisht e vështirë në vendin tonë.

Në këtë përfundim arrin një sondazh i organizuar nga Gallup International, që quhet anketa e fundvitit (End of Year Survey).

Anketa mbulon 36 mijë njerëz nga 33 vende të ndryshme në gjithë botën. Ajo trajton pikërisht mundësinë që ka një punonjës të gjejë një punë tjetër, në rast se humbet atë që ka momentalisht.

Lajmi, i publikuar në agjencinë e lajmeve bullgare, Focus News, vjen në një moment krize për të gjithë botën, kur papunësia është bërë gangrena kryesore.

Sipas Focus News, njerëzit në Amerikën Latine janë më optimistët për sa i përket mundësisë së gjetjes së një pune të re, pasi më shumë se 40% e popullsisë që punon mendon se mund të gjejë shpejt një punë të re, në rast se e heqin nga puna aktuale.

Më pesimistët nga ana tjetër, janë banorët e Evropës Qendrore dhe Lindore, Amerikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Rreth tre të katërtat e punonjësve mendojnë se do iu duhet një kohë e gjatë, derisa të gjejnë një punë të re.

Gjithashtu, të dhënat janë në përkeqësim në lidhje me një vit më parë. Vitin që shkoi ka një rritje prej 6% të njerëzve që mendojnë se do e kenë shumë të vështirë të gjejnë një punë të re, në rast se humbasin punën që kanë. Rritja më e madhe e pesimistëve është regjistruar në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, ku numri i atyre që shqetësohen për një periudhë të gjatë papunësie është rritur me 32%.

Bullgaria është një nga vendet më problematike në këtë drejtim, thotë agjencia Focus News, duke u renditur e treta ndër 33 vende për sa i përket shqetësimit për të mos gjetur një punë të re shpejt. Por listën e kryeson Shqipëria, e cila si pothuajse në çdo anketim e vlerësim, shkon krah për krah me Bosnjën, në vend të dytë.

Sondazhi i Gallup vjen në një moment kur vendi ynë është mbërthyer nga kriza ekonomike, e cila po shfaqet dukshëm, por që nuk është pranuar kurrë nga autoritetet shqiptare.

Në fillim të vitit që mbyllëm, anketat që zhvilloheshin për zgjedhjet nxirrnin si problemin më të madh në vend papunësinë. Megjithatë, qeveria nuk arriti të paraqesë asnjëherë shifra të sakta për numrin e të papunëve në vend, dhe nuk ofroi gjithashtu një zgjidhje për problemin në fjalë. Demokratët, por dhe aleatët e rinj, LSI, u mjaftuan me deklarime shifrash bombastike se do punësonin mbi 100 mijë njerëz. Më pas, në një dalje publike, kryeministri, Sali Berisha, dhe zëvendësi i tij i tij, Ilir Meta, shpallën se kishin ndarë postet e administratës 80 me 20%.

Kjo ndarje është një nga arsyet kryesore të frikës së shqiptarëve se nuk do gjejnë punë të re, në rast se humbasin punën që kanë.

Ndërkohë, në një sondazh të publikuar disa muaj më parë nga Gallup, theksohej se shqiptarët janë të parët në rajon që duan të emigrojnë, pavarësisht se janë vendi me më shumë emigrantë në rajon. Papunësia është arsyeja themelore që i shtyn ata drejt kërkimit të alternativave të reja.