TIRANE – Gafë në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare. Kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit nuk e njohin vendin si Republikë e Shqipërisë, emërtesë zyrtare që mban prej afro 20 vjetësh, por Republikë Popullore Socialiste. Kjo dëshmohet në faqen zyrtare të qeverisë. Vendime për propozime ligjesh apo projekt/ligje të miratuara nga Kuvendi dhe që mbajnë firmën e autoriteteve më të larta të vendit, Berishës dhe Topallit, zyrtarizojnë Shqipërinë ende si Republikë Popullore Socialiste.
Në vendimin e qeverisë për propozim të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike shkruhet qartë se marrëveshja me këtë agjensi do ratifikohet jo nga emërtimi zyrtar Republika e Shqipërisë por nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Vendimi mban datën 20 maj të këtij viti dhe firmën e kryeministrit Sali Berisha. E njëjta gafë është përsëritur dhe më tej po në faqen zyrtare të qeverisë në internet.
Kur tashmë ligji është miratuar nga Kuvendi, mbi të ka hedhur firmën edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Gafa është përsëritur jo vetëm në prezantimin bazë të ligjit por dhe në nenin një të tij, ku ruhet e njëjta emërtesë, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Përmasat e këtij skandali bëhen më të mëdha po të gjykosh se si vendimi i qeverisë dhe ligji i miratuar nga Kuvendi , nuk janë për qarkullim të brendshëm në Shqipëri por, për gjithë botën pasi është lidhur marrëveshje me një agjensi ndërkombëtare prestigjioze me të cilën Shqipëria kërkon të realizojë një nga ambiciet e saj, ndërtimin e centraleve nukleare.
(e.n/News24/BalkanWeb)