Letra e Lamtumirës (Kukulla), e shtunë, 03.07.2009
Gabriel Garsia Markes (Gabriel Garcia Marquez)
Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.
Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.
Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,
e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!
Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit, duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.
Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
do të prisja që të shkrihej në diell.
Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.
Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…
Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…
Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetme
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.
Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.
Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.
Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.
Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!
Kam mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.
Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.
Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
“Kukulla” mund të konsiderohet testamenti shpitëror i shkrimtarit kolumbian (Çmim Nobel për Letërsi më 1982): me këtë poezi dërguar miqve, ai në fakt tërhiqet nga jeta publike për asrsye shëndetësore.
Shpjegime lexuesve nga përkthyesja: Autori përmend poemat e Benedettit. Është fjala për poetin uruguajan 88 vjeçar Mario Benedetti, konsideruar një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjallë të Amerikës Latine.
Ndërsa, kur përmend këngën e Serratit, autori ka parasysh këngëtarin Joan Manuel Serrat i Teresa, nga Barcelona e Spanjës, i cili këndon spanjisht dhe katalonisht dhe është këngëtari më i adhuruar në Spanjë dhe në Amerikën Latine.