FYTYRË E “MBJELLË” MBI ALPE…

0
63

Nga: Prof. Murat Gecaj,
publicist e studiues

Nga e majta: Zefi e Murati

Kur miku e kolegu dhe bashkëkrahinasi, Dr. Zef Mulaj më tregoi përmes Internetit, se kishte përfunduar një vëllim me poezi, nuk u befasova. Kjo ndodhi pasi prej tij i kisha lexuar poezitë në dy vëllime, të botuara kohë më pare. Në to do kisha shijuar frymëzimet e tij të pjekura, reflekse dhe të moshës së vet. Por, kur mësova se ai tani kishte shkruar në një formë disi të rrallë për gjininë e poezisë, pra me vargje haiku, ndërrova mendim.

Të them të vërtetën, pak vite më parë unë nuk e kam njohur këtë lloj poezie. Por, duke komunikuar në udhë të ndryshme me miqtë e mi, poetët tashmë të afirmuar, Halil Haxhosaj në Gjakovë dhe Gjon Neçaj në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), e shijova bukurinë e këtyre vargjeve dhe, sidoqoftë, u përshtata me ta.

Ja, tani kam përpara një tufë bukur të madhe me poezi haiku, nga poeti Zef Mulaj. Ndërsa i lexoja ato, sillja ndërmend vendlindjen e tij, aty në fshatin Mulaj të krahinës alpine Nikaj-Mërtur. Por me dilte para edhe vepra e tij studimore, e rrallë në llojin e vet, për 880 bimë mjekësore në Alpet e Shqipërisë. Megjithëse jo në profesionin e tij të farmacistit, pata rastin që ta redaktoja atë liber.

Kështu, u binda për aftësitë e tij kërkimore, studimore dhe përgjithësuese në këtë fushë të veçantë të mjekësisë. Pra, në një farë mënyre, e dija paraprakisht se periudha, kur ai i kishte qarkuar bjeshkët dhe kishte thithur aromën e këndshme të bimësisë së lëndinave, shpateve e majëmaleve alpine, do të kishte ndikuar dukshëm në krijimet e tij të reja, në poezitë haiku.

Në katër vargje të frymëzuara, me një rimë paksa të çrregullt, autori ka ditur të rrokë dhe trajtojë bukur shumë ngjarje, dukuri e veprimtari jetësore. Në mendjen e tij janë skalitur, si me daltën e mjeshtrit të gdhendjes së gurit: vatra stërgjyshore, ku lindi e përjetoi fëmijërinë; kulla me mbulojën, ku lirshëm rrëshqet bora në dimër; prindërit e moshuar; blegërima e kecave, që zgjedhin gjethin e malit; zogjtë shtegtarë dhe shqipet në fluturim…Pra, kudo lëvrin natyrshëm mendimi e frymëzimi poetik në vargje, ngarkuar me polen lulesh, gurgullima krojesh, fëshfërima çetinash, këngë bareshash në shpate malesh dhe lugina lulebukura.

I ndodhur prej vitesh në emigracion, në rreshtat e tij të haikut, ai ka derdhur mallin e pashuar për Atdheun. Por ka marrë pjesë edhe në dhimbjen e shkaktuar, të nënave e motrave, për largimet e “bimëve të zemrës” nga trualli amtar dhe shpërndarjen nëpër dyert e botës, larg vendbanimeve të Shqipërisë. Me vargje të ndjeshme, duke ecur “udhëve të Malësisë sime”, me sinqeritet dhe figuracion të bukur poetik, “udhëtari i bjeshkëve” shprehet se “fytyrën e kam mbjellë në Alpe”.

Në vargjet e fundit të këtij vëllimi të ri, autori Dr. Zef Mulaj largohet paksa nga nostalgjitë e fillimit, nga shprehja e dhimbjeve për dukuritë e kohës dhe flet për dashuri e martesa, për trashëgiminë e brezave në trojet shqiptare. Ato janë të mbushura me frymë optimiste për jetën, për traditat tona, për bukuritë e natyrës shqiptare dhe për vendlindjen, e cila përherë do të mbetet në mendjen e zemrën e çdo mërgimtari, pra edhe këtij poeti, që tani na dhuron këtë vëllim të ri me poezi haiku. Ndërsa mua më mbetën në kujtesë vargjet:

Nisja kurrë nuk dihet,
as fundi i udhëtimit.
ëndërrime të reja shoh…

Me këtë rast, i urojmë këtij poeti, që tani na dhuron bujarisht “lulet e shpirtit” të tij, shumë gëzime e lumturi në familje, frymëzime dhe energji të pashterrshme për krijime e studime të frytshme!

Tiranë, mars 2012