Fytyrat e protestës

0
42

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 01.05.2010

Demokrati B., nxiton të shfajësohet, pasi të tund gishtin kërcënueshëm: “Se mos më nxjerr në gazetë!”. Thotë se nuk ka ardhur në miting, por është rastësisht atypari. i djersitur, duke sharë dhe duke çarë mundueshëm trupat e ngjeshur në trotuarin përpara selisë së ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, me këmishën të nxjerrë nga pantallonat dhe kollaren gjysmë të liruar. Rastësisht nga fusha e aviacionit? Më shkel syrin i zënë gafil.

Është personazhi im i rrethit të vjetër të mitingashëve të PD-së, nga ata që shoqëruan edhe tanket e marra para presidencës në 14 shtator 1998, që bënte sherr edhe me gazetarët e majtë në sallën e konferencave të PD-së, që u ul edhe në shesh me Berishën 6 vite më parë dhe mbante në dorë parullën “Nano Ik!”.

Është gjysmë patriot me kryeministrin nga Tropoja dhe shumë krenar për origjinën. Katër vitet e shkuara më tregonte gjithë mburrje se si djali i vet kishte votuar katër herë për Lulzim Bashën në një zonë elektorale të Tiranës.

“Ika”- thotë demokrati B., duke tundur sërish gishtin kërcënueshëm dhe shton se nesër në mesditë do të jetë sërish në miting, në festën që bën PD-ja për 1 majin. Ah, po, demokrati B., është mësues!!! Ikën…humbet mes turmës së pafundme përpara podiumit, ku sapo ka hapur mitingun Gramoz Ruçi.

Jam në miting prej më se 20 minutash. Para meje kishin kaluar udhëheqësit e dikurshëm të LSI-së. Në 17:57 minuta i kisha parë të kalonin rrugën përmes ish-Bllokut tre profesorët, Fatos Klosi, Sabit Brokaj dhe Pëllumb Xhufi. Mund të kishin qenë fare mirë në anën tjetër të barrikadës, siç bëri kryetari dhe pasuesit e tij prej mesditës së 28 qershorit …

Por zgjodhën rrugë tjetër dhe mbrëmë ishin me popullin opozitar. Sapo jam ndarë nga ish-zëvendësministri Pajtim Bello, që përmes celularit udhëzon miqtë për vendtakimin në miting. Jam në krahun e majtë të podiumit, dhe shoh vetëm anën e majtë të folësve, diçka si pas kuintave, sepse arrij të ndjek se si tunden edhe kindet e xhaketa të folësve në foltore.

Jam “krahu i majtë” i një anëtari të forumeve të PS-së, ish-ministër me jetëshkrim të gjatë në ekzekutiv, sot pedagog. Jemi në trotuar, poshtë dritareve të zyrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndërsa shikimin e hedhim nga dritaret e kryeministrisë. Profesori është pak i habitur për masën e madhe njerëzore që ka mbushur bulevardin. Ka qenë prej gati dy dekadash në qendër të vorbullës politike dhe ka parë shumë, por ka vend edhe për tu habitur nga madhësia e popullit opozitar.

Por edhe nga cilësia e tij. Më tregon me emra dhe profesione personazhet që bëjnë “sfilatë”, ndërsa nguten të shikojnë sa më afër kullave binjake, ku shihet më mirë oratori dhe gjestet e tij.

Pranë nesh vjen Adriana Berberi, ish-zëvendësministre e Financave që ka sjellë për herë të parë në miting botuesen e njohur Arlinda Dudaj. Ndjekim me sy hapin e ngadaltë të babait të Kastriot Islamit, ecjen energjike të disa publicistëve të njohur; pranë na kalojnë disa që përshëndesin ish-ministrin e ai nuk përton t’i numërojë emër për emër dhe profesion.

Populli opozitar lëviz duke shtyrë, me pankarta në duar, me slogane nëpër dhëmbë, duke treguar në celularë atë çka ngjet në shesh. Nuk arrijmë t’i shohim fundin…oratorët thonë mbi 200 mijë.

Pas dy orësh vendos të largohem. Kam parë dhe dëgjuar shumë. Para meje në trotuarin e kryesisë së Kuvendit nxiton demokrati B. “Ika…do vij prapë nesër te “Nënë Tereza”…dhe shiko!”- ikën, duke më tundur sërish kërcënueshëm gishtin…