
Ermal Hasimja,
Botuar te PANORAMA, dt. 19 dhjetor 2009.
Fyerja në politikë nuk ka vlerë thjesht emocionale dhe denigruese. Qëllimisht ose jo, për nga vetë natyra e saj, fyerja instalon një kontekst shpjegues të plotë që presupozon disa elementë. Së pari, përkufizimin e asaj që është e pranueshme, normale, e drejtë apo e mirë si dhe të kundërtat e këtyre, pra parimet standarde të sjelljes së mundshme. Destinacioni i fyerjes, pra i fyeri, nuk meriton thjesht ndërshkimin, por përbuzjen dhe përjashtimin. Së dyti, fyerja presupozon edhe një person ose entitet të autorizuar për gjykimin e sistemit të lartpërmendur të vlerave apo parimeve, pra autoritetin legjitim të fyesit.
Së treti, fyerja presupozon shkelësin e parimeve.
Zakonisht fyerja përdoret aty ku ligji është i papërdorshëm, ngaqë nuk është shkelur asnjë parim i tij e megjithatë ekziston nevoja për të goditur dikë publikisht. Një politikan kundërshtar nuk mund të hidhet në gjyq për perversitet seksual, lidhje familjare me komunistët, mosrespektim të vlerave morale të shoqërisë apo për skizofreni, mirëpo mund të fyhet mbi të njëjtat akuza. Si e tillë fyerja ka prirjen të jetë publike dhe kjo është arsyeja përse e ndeshim kaq rëndom në komunikimin politik.
Akuzat e ndërsjella mes përfaqësuesve kryesorë të elitës politike shqiptare shfaqen në formën e tyre me të skajshme: atë përjashtuese. Kjo ndodh sepse fyerja mund të ndërtohet mbi bazën e përpjekjes për përjashtim nga një sferë, kategori ose identitet kolektiv. Kështu i fyeri nuk është thjesht një individ jofunksional (p.sh. i paaftë, mediokër, etj), por mbi të gjitha një individ që duhet përjashtuar nga një identitet i caktuar: p.sh. nga kategoria e politikanëve, nga kategoria e shqiptarëve që duan demokracisë, etj. Elementi vendimtar në këtë rast është publiku, sepse komunikimi publik synon gjithmonë publikun.
Në të vërtetë, destinacioni i vërtetë i fyerjes së politikanit A ndaj politikanit B nuk është ky i dyti, por publiku. Pikërisht sepse përjashtimi i të fyerit mund të bëhet politikisht vetëm nga publiku, p.sh. përmes votës. Pavarësisht se mënyra më e lehtë dhe e shpejtë e Ramës dhe Berishës për të fyer njeri-tjetrin do të ishte dërgimi i SMS-ave apo telefonatat, asgjë e tillë nuk ndodh, pikërisht sepse destinacioni nuk janë ata vetë, por publiku. Beteja e fyerjeve është një betejë për kërkimin e legjitimimit të përjashtimit të kundërshtarit përmes publikut, si dhe degdisjes së tij në kategori jopolitike në të cilat sugjerohet se duhet parë në rastin më të mirë si apolitik (skizofren, i marrë, pervers dhe i dorëzuar tek perversiteti seksual) dhe në rastin më të keq si anti-politik (mafioz, komunist, kriminel, hajdut, etj).
Fyerjet publike të kohëve të fundit në Shqipëri synojnë pikërisht imponimin e këtij përjashtimi të ndërsjellë. Politikani të cilit i drejtohet fyerja nuk paraqitet nga fyesi si kundërshtar apo rival legjitim, por si armik i identitetit specifik, p.sh. armik në gjirin e elitës, ose armik i popullit, ose armik i shoqërisë së njerëzve të shëndoshë mendërisht. Synimi përfundimtar nuk është përjashtimi nga një identitet cfarëdo, por përjashtimi nga një identitet i caktuar që në këtë rast është politik. Duke thënë se Rama është pervers apo skizofren, Berisha nuk synon ta mbyllë në spital për të mirën e tij dhe të komunitetit, por synon të krijojë asociacionin mes perversitetit seksual dhe një perversiteti të mundshëm politik. Këtu e ka bazën qëndrimi asociativ i tipit “…ai nuk do familjen e tij, prandaj nuk mund të dojë as popullin”.
Paradoksalisht në këto raste, fyerja si element politik, përdoret për të nxjerrë dikë jashtë politikës. Atëherë cilat fyerje janë të pranueshme në një demokraci? Ndoshta vetëm ato që nuk synojnë nxjerrjen jashtë politikës? Mirëpo si t’i identifikojmë dhe t’i ndajmë nga fyerjet e tjera? Në parim mund të thonim se mund të pranohen fyerje që synojnë nxirjen e imazhit të kundërshtarit, por jo fyerje që krijojnë imazhin e armikut. Sepse kundërshtari është i pranueshëm dhe legjitim në demokraci, ndërsa armiku konsiderohet si ilegjitim. Kjo do të përligjej me faktin se nxirja e imazhit mund të shihet edhe si një përpjekje normale e kundërshtarëve, megjithëse përmes një asociimi të vështirë, për të argumentuar aftësitë e njerit-tjetrit për të qeverisur.
Përderisa e shohim si legjitime të drejtën për të kritikuar idetë dhe qëndrimet e njeri-tjetrit, po kështu mund t’u njihnim edhe të drejtën për të dhënë mendimin e tyre për mundësinë e asociimit të veçorive të sjelljes personale, përfshirë edhe seksuale, për të deduktuar sjelljet e tyre të ardhshme politike. Mirëpo nga ana tjetër, konsteksti shpjegimor përjashtues që përmenda më lart dhe që ndërton shpesh fyerja në Shqipëri, të çon drejt kërkesës për shndërrimin e kundërshtarit në armik, pra nxjerrjen e tij jashtë politikës. Zgjidhja ndaj kësaj dileme nuk mund të jetë teorike, por vetëm pragmatike e kulturore. Ajo mbetet në dorë të vetë publikut, të cilit i drejtohet në fakt fyerja si përpjekje ndikuese e perceptimit të tij.
Nëse publiku shqiptar ndihet pjesërisht i fyer nga fyerjet, kjo vjen pikërisht prej faktit se politikanët fyes presupozojnë një pritshmëri kulturore e politike shumë të ulët të publikut, të shprehur më së miri me paradigmat profesionale të tipit “kështu duan shqiptarët”, ose “kështu i pëlqen elektoratit”.
A është kjo e vërtetë?







