Fushatë me viktimat

0
55


Arben Rrozhani, 03.04.2011

Dje, ashtu siç ishte paralajmëruar, partia e kryeministrit Berisha e ktheu në aktivitet elektoral në funksion të zgjedhjeve vendore të 8 majit, 20-vjetorin e masakrës së Shkodrës. Sot gjithçka do të jetë lënë pas, ndërsa familjarët e katër të rinjve që u vranë në 2 prill 1991 sërish do të kërkojnë drejtësinë e vonuar plot dy dekada.

E djeshmja ishte sërish një faqe fushate që trazon jetët e familjarëve të viktimave të masakrës së 2 prillit, sepse bënte mu që gjithçka u bë për të denigruar sërish kundërshtarin politik. Një vit më parë, në 19 vjetorin e masakrës së 2 prillit, përveç ceremonive të organizuara nga bashkia e Shkodrës, asnjë partiak i lartë i PD-së, që dje ishin dyndur me shumicë, nuk denjoi të përkujtonte dëshmorët dhe vetëm një shoqatë fantazëm e sponsorizuar nga Kuvendi organizoi një protestë me pankarta në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Ishte e justifikueshme: 2010-a nuk ishte një vit elektoral, evokiimi i dëshmorëve (nënkupto prekja e shpirtit antikomunist të shkodranëve) nuk duhej. Shto këtu faktin se qeveria e PD-së nuk kishte fytyrë t’u dilte para qytetarëve të përmbytur për së treti herë prej fundit të dhjetorit 2009, nga hapja e portave të HEC-eve në kaskadën e Drinit.

Problemi tjetër është vendosja e drejtësisë së munguar në masakrën e 2 prillit. Vetëm disa zyrtarë të rangut të ulët të policisë kanë marrë dënimet nga drejtësia në Shqipëri, por si familjarët ashtu edhe mbarë opinioni thonë se urdhëruesit nuk janë përgjigjur ende para drejtësisë. Berisha akuzon e akuzon pa fund, por ai ka patur kohë plot për të vënë drejtësinë dhe të kalbte në burg urdhërdhënësit, sepse ishte fuqiplotë në vitet 1992-1997 dhe është me më shumë fuqi prej shtatorit 2005.

Tejkalimi me demagogji dhe propagandë antikomuniste i kësaj ngjarjeve të përgjakshme, që vinte pas fitores së PPSH-së në zgjedhjet e marsit 1991 dhe prej të cilës fitoi pikë opozita e atëhershme e drejtuar nga Berisha, vetëm sa e shton misterin se pse PD-ja nuk ka kërkuar prej dy dekadash zbardhjen e këtij krimi.

Pikëpyetje që u shtohen ngjarjeve të rënda ende të mbetura pa fjalën e fundit të drejtësisë dhe ndëshkimin e autorëve të vërtetë, siç është vrasja e Azem Hajdarit apo vrasja e katër demonstruesve të pafajshëm para kryeministrisë në 21 janar 2011 dhe ku sërish është në qendër të fokusit roli dhe qëllimet e z.Berisha, në raport me pushtetin, për të cilin vijon të bëhet fushatë me viktimat.

Sepse ashtu si 20 vite më parë, në 21 janar 2011, u përsërit po ajo skemë dhe drejtësia po sillet po ashtu me urdhërdhënësit e masakrës ndaj popullit protestues. Atëherë ishte populli që kërkonte të rrëzonte një rregjim të kalbur nga sundimi shumvjeçar dhe protestës popullore rregjimi iu përgjigj me vrasjen e protestuesve antikomunistë. 20 vite më pas, ishte sërish populli protestues që nuk pajtohej me pushtetin, i cili nuk përfaqësonte vullnetin dhe aspiratat e tij, dhe ky i fundit iu përgjigj si dy dekada më parë, duke vrarë 4 demonstrues.