
Nga Mero Baze
Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, shkaktuar nga manovrat e brendshme politike të LDK-së për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti përpara zgjedhjeve parlamentare, të cilat duhet të mbaheshin në shkurt. Ky zhvillim duket se acaroi ndjeshëm rivalët e zotit Sejdiu brenda partisë të ringjallur nën dyshen Rugova (junior)– Bukoshi, të cilët formuan një fraksion, të cilit do t’i duhet të bëjë manovra ligjore për të dalë dhe për t’u rikthyer sërish në jetën politike të LDK-së.
Më parë LDK-së i ka ikur një gjymtyrë e rëndësishme nën siglën e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, ndërkohë që disa individë të shquar të saj, siç ishte rasti i Blerim Kuçit, u detyruan të ikin në parti të tjera si ajo e zotit Haradinaj dhe të rikonfirmoheshin nga elektorati, çka tregon se ata kanë pasë hipotekën e tyre elektorale në LDK dhe kanë ikë bashkë me të. Të gjithë këto plasaritje natyrisht që e rrudhin shumë partinë, e cila në zgjedhjet e para mori rreth 60 për qind të elektoratit të Kosovës. Shkaku, pa dashur të fajësojmë dikë me emër, ka vetëm një Emër të Përveçëm, mungesën e kulturës demokratike brenda partisë.
Përballë plasaritjes së mëtejme të LDK-së, kundërshtari dhe ish- partneri i tyre Hashim Thaçi ka fuqizuar, jo vetëm pushtetin e tij brenda partisë, por ka rifutur emra të rinj në radhët e saj duke qenë sërish në këto zgjedhje kandidat për kryeministër.
Nëse pati një gjë që e rrënoi LDK-në në zgjedhjet e kaluara ishte mungesa e një kandidati për kryeministër. Fatmir Sejdiu, i dyzuar mes emërimit si president dhe moslëshimit të postit të LDK-së, zhvilloi një fushatë të zbehtë dhe LDK humbi ndjeshëm elektoratin e saj. Në këto zgjedhje duket se LDK po hyn sërish pa kandidat për kryeministër. Edhe pse formalisht mund të mendohet Fatmir Sejdiu si i tillë, do jetë shumë i goditshëm dhe në pozita mbrojtëse deri në fund të fushatës. Dhe kjo ka për të qenë një humbje e sigurt për ta.
Nga ana tjetër dalja e dyshes Rugova- Bukoshi më vete, pavarësisht entuziazmit të fillimit, nuk duhet pritur se do të sjellë ndonjë çudi të madhe. Tradita e fraksioneve nuk besoj se do të përmbyset duke tejkaluar partinë nënë, dhe do të kemi thjesht në rastin më të suksesshëm një futje të këtij fraksioni në Kuvend dhe rifillim të betejës për kreun e LDK-së.
Për këtë shkak, kjo fushatë elektorale për LDK-në duhet konceptuar më shumë si një fushatë e brendshme në LDK se sa si një fushatë për të marrë pushtetin. Dyshja Rugova- Bukoshi, duhet ta përdorin shansin e futjes në zgjedhje si një garë pre-eleminatore siç ndodh rëndom në demokracinë amerikane, ku kandidatët brenda partisë votohen nga elektorati. Është e vërtetë se brenda LDK-së votojnë nëpunës dhe ata mund të dilnin shumë të dëmtuar. Tani ata kanë shansin të votohen nga anëtarësia e LDK-së në terren si përfaqësues të tyre në Kuvendin e Kosovës.
Për këtë shkak, tezat e tyre politike, më shumë se sa për qeverisjen e Ksovës, duhet të orientohen tek një platformë apo ide për “rithemelimin e LDK-së”, duke ribashkuar në të gjithë fraksionet që kanë ikur prej saj prej vitit 2000, pas zgjedhjeve të para. Beteja e tyre elektorale nuk është më për pushtetin në Kosovë, se atë duhet ta harrojnë këtë radhë, por është betejë për të promovuar ringjalljen e LDk-së. Ata duhet të bëjnë kujdes tek mënyra se si duhet të ngjallin shpresën e bashkimit të LDK-së, si duhet të ribashkohen pas zgjedhjeve për të krijuar qoftë dhe një opozitë të fortë dhe solide në Kosovë. LDK-ja krenare dhe paksa arrogante e kohës së Ibrahim Rugovës ka vdekur përfundimisht.
Por, bashkë me ta, ka vdekur dhe nevoja për të qenë arrogant me të ardhmen e saj. Kjo është një betejë delikate, ku duhet patur parasysh se ai që sulmon palët, gabon, dhe ai që ngjall shpresën e bashkimit dhe përtëritjes pas zgjedhjeve fiton. Dyshja Rugova- Bukoshi nuk duhet të gënjehen as nga duartrokitjet e nostalgjikëve të Rugovës, as nga mbështetjea e atyre që janë zhgënjyer nga mënyra si është ndarë torta e pushtetit të LDK-së. Ata duhet ta dinë se janë duke kërkuar votat e LDK-së së zhgënjyer, e cila nuk do t’ia dijë më se si qeveris Thaçi apo Haradinaj në Kosovë, por si mund të ringjallet një ëndërr që vdiq dalëngadalë në Kosovë, që ishte LDK-ja.
Ajo parti që i rezistoi kalimit nga paqja në luftë e deri në liri, nuk i rezistoi dot lirisë. Beteja reale e dyshes Rugova- Bukoshi është pikërisht fuqia për të dëshmuar tolerancë dhe një platformë bashkimi për gjithkënd që e ka përdorë lirinë për të ikur nga një shtëpi ku nuk është ndjerë i lirë. Beteja e tyre për LDK, e desh fati të legjitimohej si betejë elektorale dhe ata duhet të dinë ta përdorin këtë shans, pa përjashtuar askënd. As Fatmir Sejdiun. Gjysma e Kosovës do të votojë për kryeministrin e ardhshëm, por një pejsë e madhe e atij elektorati, ajo pjesë që i ka përkitur LDK-së, para kutisë së votimit më shumë se emri i kryeministrit do t’i bëjë përshtypje emri i kryetarit të ardhshëm të saj.







