Fushata pa zgjedhje

0
41

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 06.12.2009

Fjalët e fundit u thanë pa ardhur fundi. Është shumë e vështirë të parashikohet se çdo të ndodhë pas kësaj. Ngjarjet në raste të tilla janë një sekret i zhvillimeve. Ato zbulohen duke ndodhur. Ky është në përgjithësi fati i përplasjeve të forta politike. Edhe pse pjesëmarrësit në to kanë gjithmonë një plan dhe duan të dalin diku.
Në të vërtetë, ku jemi me krizën e marrëdhënieve shumicë-opozitë që po precipiton si një krizë politike dhe morale në rrafshe gjithnjë e më të gjera? Ku po shkojmë?

Do të ndodhë njëra:
Do të kemi një ndalim të menjëhershëm të luftës së deklaratave dhe një kthim të imponuar në tryezën e bisedimeve, ku shtrëngimet e duarve në përfundim të një marrëveshjeje për kutitë, zgjedhjet dhe kushedi për çfarë tjetër do të na kujtojnë sërish zhvlerësimin e fjalës nga politika pa vlerë. Por, besoj se shumica e njerëzve do ta pranonin këtë zgjidhje, e cila duket më e largëta për momentin. Paqja është thirrja e natyrshme e shoqërisë.

Nuk do të ketë dialog, qeveria dhe opozita do të qëndrojnë në pozicionet e tanishme, fjalët e fundit që janë thënë pa ardhur fundi do të përsëriten dhe stërpërsëriten nga e para, pambarimisht, ditë për ditë, javë për javë, sa të mbajë, me gjithë shëmtimin dhe automatizmin e një kulture politike që nuk e njeh shtetin ligjor, por vetëm shtetin politik, që nuk zbardh asnjë akuzë, asnjë skandal, vetëm i thotë, vetëm i hedh. Sa e mërzitshme! Sa e rrezikshme. Situata e vendit do të shkonte drejt një depresioni dhe amullie që përgatit shpërthime anarkiste, krimi i organizuar do të shtronte sofrën, revoltat dhe mërzia popullore do të vërshonin pa drejtim. Për të parandaluar një zhvillim të tillë, qeveria ka detyrimin institucional të ofrojë planin e saj. Prandaj ia kërkojnë dhe ndërkombëtarët. Një qeveri, së cilës nuk i kërkohet plan, është një qeveri e mbaruar.

Opozita do të derdhet në protesta të mëdha e të vogla në gjithë territorin kombëtar, duke shfrytëzuar edhe problematikën e krizës ekonomike gjithnjë e më evidente. Qeveria nga ana e saj do të përpiqet të përgjigjet me mitingje mbështetëse për vete, siç nuk është e zakonshme për qeveritë e vendeve demokratike, duke prodhuar kësisoj bashkërisht opozita dhe shumica tablonë e një tollovie të paparë e të panjohur në tokën e Evropës.

Lufta e deklaratave do të shtrihet gjithandej, palët do të numërojnë mbështetësit për të treguar forcën. Praktikisht, kjo do të thotë se qeveria do t’i braktisë ose do t’i përmbushë part-time funksionet e natyrshme të qeverisjes. Por, nuk do të ketë mundësi ta vazhdojë gjatë këtë lojë. Loja e mitingjeve dhe antimitingjeve përgjatë legjislaturës favorizon gjithnjë opozitën. Njerëzit sakrifikojnë për të shprehur pakënaqësinë, por jo gëzimin. Qeveria e kontraston dhe e çarmatos opozitën duke dhënë zgjidhje. Është në tagrin dhe në statusin e saj. Edhe kur ka përballë një opozitë që propozon vetëm përplasje.

Megjithëse akuzohet nga disa kundërshtarë për çoroditje, humbje të ekuilibrit dhe shkarje në emocionalizëm, unë kam përshtypjen se Berisha, përveçse e ka në një dozë të caktuar, edhe e luan politikisht sjelljen emocionale apo shkarjen. E luan për t’i qëndruar larg dhe për të zhurmuar kërkesën kryesore të opozitës, e luan për të propozuar edhe ai një betejë, për të hapur edhe ai një front, për të fituar kohë, për të kthjelluar idetë e veta në realitetin plot kundërthënie të mandatit të tij të dytë si kryeministër.

Refraktar deri në fund ndaj kërkesës për hapjen e kutive nëpërmjet një hetimi parlamentar, kryeministri Berisha do të fillojë të mendojë, në mos ka menduar qysh tani për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, pa pasur një afat, duke i lënë gjërat të rrjedhin aq sa mund të rrjedhin dhe duke pritur të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga agjenda e integrimit dhe liberalizimit të vizave, për të provuar paskëtaj në fushën e betejës së parakohshme elektorale shansin e një fitoreje me nder apo edhe të një humbjeje me nder, që gjithsesi, do të ishte shumë më e mirë se sa një “fitore” e damkosur po të hapeshin kutitë. Demokristianët kanë sjellë indice të forta në këtë drejtim me rileximin e votave të qarkut të Shkodrës. Sipas raportit të demokristianëve, të depozituar në prokurorinë e Shkodrës, mijë vota janë tjetërsuar në favor të koalicionit qeveritar dhe në dëm të opozitës.

Berisha është sforcuar e sforcohet shumë për të kundërshtuar hapjen e kutive. Nuk ka argumente. Hapjen e kutive e garantonte dhe e garanton jo vetëm Kodi Zgjedhor, por edhe Ligji mbi të Drejtën e Informimit, sipas të cilit edhe një qytetar i thjeshtë ka të drejtë të informohet për çdo gjë që nuk është sekret shtetëror. Kutitë nuk janë sekret shtetëror.

Po të jenë kutitë gjithandej si ato që ka rilexuar PDK-ja në Shkodër, duket e pritshme që Berisha të rrezikojë në fushë të hapur, në betejë, atje ku mund të prijë vetë. Nuk janë vetëm kutitë motiv i një lëvizjeje të tillë. Është edhe legjitimiteti i sajuar i qeverisë, që sigurisht, i rri në kokë si një pengim kryeministrit. Është edhe situata ekonomike, që ndërsa po fut në vështirësi të mëdha të sotmen dhe të nesërmen e qytetarëve, mund të ndriçojë një kalkulim gabuar, për të mos thënë me shumë, të arritjeve dhe premtimeve me të cilët koalicioni qeveritar mori shtatëdhjetë mandatet në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Reagimi i Berishës para dhe sidomos pas protestës opozitare të 20 nëntorit është realisht propozimi i një ndeshjeje “gjithçka për gjithçka” me kundërshtarin e tij Edi Rama. I një ndeshjeje që të kujton një fushatë elektorale të egër. I një ndeshjeje që nuk mund të zgjidhet askund tjetër përveçse në kutitë e votimit. Objektivisht, ai e ka shumë të vështirë të vazhdojë të qeverisë me opozitën në rrugë, i kapur keq nga një kërkesë që në gjithë botën perëndimore është elementare, e parefuzueshme. Ai nuk ka kohë dhe mundësi për tu sjellë edhe si qeveri, edhe si opozita, edhe të dyja së bashku. Ai ka nisur një fushatë pa zgjedhje dhe pa zgjidhje, që mund të jetë më e gjata në historinë e botës, por mund të na çojë edhe papritur drejt kutive të votimit. Gjithçka do të varet nga zhvillimet.

Në këtë pistë Berisha ka na favor mundësinë për të provokuar zgjedhje të parakohshme në momentin kur ta gjykojë të leverdishme për vete. Thënë ndryshe, ai ka në dorë befasinë. Në zgjedhjet eventuale të parakohshme, që unë i shoh në logjikën e sjelljes politike të kryeministrit të vendit, Berisha nuk do të dojë të shkojë “kokulur” si në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997, por kryelartë, i zemëruar, agresiv, i “viktimizuar”, “për hir të stabilitetit të vendit”, duke u përpjekur t’ia hedhë gjithë barrën e përgjegjësisë opozitës dhe kreut të saj, Edi Rama, që nuk rri dot pa pushtet meqenëse iu afrua pushtetit, që është gati ta kthejë përmbys meqenëse mbahet parti e parë, prandaj i duhet treguar vendi me votë, e të tjera e të tjera!

Por, zhvillimet politike kanë veçorinë që të shpëtojnë nga dora kur u vjen ora e tyre. Kur nuk përgjigjet e vepron në kohë, kryeministri tejkalohet nga ngjarjet, humbet protagonizmin, defaktorizohet. Ai duhet të ketë planin e tij, sigurisht, por duhet ta maturojë atë vazhdimisht me opsionet e opozitës, me evoluimin e situatave. Deri më tani, Berisha e ka refuzuar opozitën e tij, por, ndërkaq i ka “ushqyer” e po i “ushqen” asaj të drejtën. Pavarësisht se janë a nuk janë opozitarë, dalin a nuk dalin në protesta, shumica dërmuese e qytetarëve nuk shohin ndonjë arsye se përse kutitë nuk duhen të hapen e hetohen në bazë të një ligji apo vendimi të Kuvendit. Berisha përdor shumë akuza, por nuk i institucionalizon ato në organet e drejtësisë. Akuzat mund të rezultojnë shpifje në gjykatë, por akuzat që nuk dërgohen fare para drejtësisë kanë apriori vlerën e shpifjes. Kur nuk ke gratin për t’i ndjekur, më mirë të mos i bësh fare. Mandej është afërmendsh se nuk ekziston në lëmshin tokësor një popull puritanësh.

Me të drejtën më vete, nëse do të dijë ta administrojë sikurse deri tani, duke shmangur teprimet e euforisë dhe naivitetit, opozita i ka shanset të jetë një dorë e fortë në timonin e krizës dhe zgjidhjeve. Në zgjedhje të parakohshme nuk duhet shkuar për inat, për llogari të vogla, por vetëm për nevojë, nëse zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë. Kjo është e vlefshme për të gjithë. Një marrëveshje korrekte mes qeverisë dhe opozitës do t’i kursente vendit gjithë pasojën e mungesës së saj. Ghandi- ia vlen ta citojmë shpesh këto kohë – thoshte se zemërimi dhe intoleranca janë armiqtë më të mëdhenj të mirëkuptimit korrekt.

Nganjëherë mendoj: “A vlen të citohen filozofët dhe burrat e mëdhenj të shteteve për të ndriçuar apo futur në brazdë ragbinë politike pa rregulla dhe pa gjykim të vendit tonë të vogël? A mos është e gjithë kjo një fyerje për arsyen dhe përvojën e ndritur? Ndoshta, por edhe kjo mbetet një mënyrë për të kuptuar dhe ndihmuar”.