Fundi i Pacollit

0
58

Shkruan: Ndue UKAJ

Ku ndodhet Kosova pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilën ajo e shpalli Pacollin jokushtuetues? Ajo, pa ekzagjerime, ndodhet në buzë të humnerës, me një mal problemesh që e presin. E sidomos Kosova po përballët me një realitet të rënd politik, me një sërë akuzash të gjithfarshme ndërkombëtare dhe me një mal problemesh të brendshme. Ajo para opinionit botëror është shndërruar në subjekt akuzash, dilemash, paqartësish, pasigurish, e të cilat, adresë e kanë klasën politike. Kjo e ka bë pamjen e saj mjaft të trishtë. Për me ndihmua këtë, tashmë kemi edhe një element plotësues, një president të ardhur në krye të vendit në mënyrë jokushtuetuese. Dhe një krizë institucionale, me një qeveri pa legjitimet të plotë.

E përkundër kësaj amulli politike, alternativat e shëndosha s’duken në sipërfaqe. Aftësitë e lidershipit politik dhe inteligjencies me tejkalua këtë gjendje, as që duken në horizont. Kosova vazhdon një avaz politik të vetëkënaqësisë dhe vetëmjaftueshmërisë. Ndërkaq, në anën tjetër, asaj çdo ditë e më tepër i shtohen problemet, të cilat nuk i vinë nga jashtë, por nga brenda, pikërisht nga institucionet që janë të thirrura të bëjnë zgjidhje, pra nga Institucionet e Kosovës, nga partitë dhe gjitha të ndihmuar nga një elitë që bënë jetë infantile.

E megjithatë, nga kjo gjendje e mjerë, e cila e ka katandis Kosovën në mjerim të skajshëm, dikush duhet skuqet, dikush duhet jep llogari, dikush duhet turpërohet, e mbi të gjitha, dikush duhet të marr përgjegjësi. Në këtë rast, përgjegjësia bie normalisht mbi mazhorancën, konkretisht mbi shefin e qeverisë, i cili, në asnjë moment nuk do të duhej të fuste Kosovën në këtë gjendje, duke zgjedh një president në mënyrë jokushtetuese, pa konsensues as brenda partisë së tij, e le më më spektrin e gjerë politik.

Pacolli erdhi jo natyrshëm, erdhi ashtu siç vijnë jo presidentët, por klandestinët politik, me një grusht votash të fituara, brenda një koalicioni me një grumbull partish. Dhe paturpësisht, yrysh u vërsul pas postit të parit të vendit, duke e ditur mirë se nuk përfaqëson unitetin e vendit. Madje, s’ ka ndodhur ndonjëherë në politikën e re të Kosovës të ketë pasur një refuzim kaq sistematik e kaq të fuqishëm për një figurë politike, si për Pacollin. Ai ishte i kontestueshëm thuajse nga çdo kush.

Tani ai u vu përballë sfidës më të rënd, e për mua, përballë sfidës më të rënd ndodhet një mazhorancë e brishtë, e cila shkeli Kushtetutën vetëm e vetëm për të ardhur në krye të vendit. Një mazhornacë që po dëshmon katërcipërisht se nuk ka vizion për shtet, por vetëm për pushtet.
Pacolli tani po shkon si jokushtetues, ngase të tillë e shpalli zgjedhjen e tij Gjykata Kushtetuese, i vetmi institucion në Kosovë që po tregon gatishmëri dhe përkushtim të veprimit në mënyrë të pavarur. Kjo gjykatë ka dëshmua pavarësi dhe guxim.

E me ketë vendim, Gjykata e dha një leksion të vërtetë demokracie, një shpresë se filizat e lirisë, e pavarësisë institucionale, kanë fillua me lëshua rrënjë në shtetin e ri. Mirëpo shkuarja e tij, Kosovës i le një hije të zezë, një damkë që gjatë do t’i rri në turpin e saj të njomë. Ai do të duhej të jep dorëheqje (të cilën do të duhej ta bënte si akt të fundit moral, siç bëri Presidenti Sejdiu), mirëpo me këtë nuk shlyhet kjo damkë. Ndërkaq, ky akt duhej me vetëdijesua sidomos partinë që ruan shumicën në parlament, që pa yrysh të marrin pushtetin.

E çfarë të thuhet për dalldisjen e disa medieve pas tij, për dalldisjen e një institucioni universitar në Shqipëri? Kjo dalldisje pas tij që u pa në Tiranë dhe aty këtu në disa medie me standarde të ulëta etike e profesionale në Tiranë e Prishtinë, është për keqardhje. Megjithatë, përballë një presidenti që siç e thash këto ditë, e rrembeu pushtetin, doli Gjykata Kushtetuese që tregoi se megjithatë në Kosovë ka ndërgjegje të mirëfilltë shtetërore. Ky është një lajm i mirë, pas një sërë lajmesh aspak të këndshme, të mos themi tmerrësisht negative që e përfshinë Kosovën dhe sidomos klasën e saj politike. Kjo është një dëshmi e mirë dhe e besueshme se megjithatë në Kosovë ka sens e ndërgjegje të mirëfilltë shtetërore

Në këtë agoni që ndodhemi, shihet se kërkohet vetëdijesim shoqëror e kombëtar, një vetëdije se shteti nuk bëhet me yrysh, me çalamani, por me njerëz të ditur, që e dinë çfarë është shteti, e mbi të gjitha, si ndërtohet shteti.

Para disa ditësh, shkrova se kauza për Kosovën europiane me Pacollin president nuk mbrohet. Ai s’është figurë unifikuese, siç e parasheh Kushtetuta. Ai nuk gëzon mbështetje në elektorat. Të dhënat tregojnë se ai me një grumbull partish, fitoi pak më shumë se 7 përqind. Andaj, kalkulimet me bërë një president si ky nuk i di askush përveç ai që i ka bë. Tash, Kosova sërish është pa president. Asaj i duhet një figurë unifikuese, një figurë që bëhet shëmbëllim i inteligjencies, e vlerave të dëshmuara perëndimore. Kosovës i duhet një figurë resprezentuese që sheh ka perëndimi, e jo lindja. Një gabim tjetër, Kosovën e hedh në skëterrë.

(Ky opinion është i shkruar ekskluzivisht për Agjencinë e lajmeve “Kosova Info”)