Nga Mero Baze
Shqipëria po mbyll vitin e saj më të pavërtetë në historinë e pluralizmit, ku gjysma e dytë e vitit kundërshton gjysmën e parë të tij, në politikë, ekonomi, liritë njerëzore, liritë ekonomike dhe mbi të gjitha me dështimin në raport me fqinjët sa i përket lëvizjes së lirë. Nëse rikthejmë kujtesën tek gjashtëmujori i parë i këtij viti, do të shikojmë se klima e bashkëpunimit politik, që çoi në reformën e dyshimtë elektorale, është në gjashtëmujorin e dytë kriza më e thellë politike që kemi përjetuar përveç traumës së vitit 1997. Nëse rikthejmë në kujtesë debatet ekonomike të Sali Berishës në gjashtëmujorin e parë, do të shikojmë një degradim qesharak të seriozitetit të statistikave të shtetit, ku kryeministri flet pa përgjegjësi për rritje ekonomike dyshifrore, pastaj për rritje 9.9 për qind, pastaj për 7 për qind, pastaj për 4.3 për qind, por e vërteta e hidhur e 30 dhjetorit është se jemi 0 për qind, me tendencë të shkojmë në minus.
Nëse rikthejmë kujtesën tek reforma elektorale dhe konsensusi politik, do të shikojmë se si opozita qetësonte mbështetësit e vet, se paqja me Berishën kishte një garanci të madhe në Kodin Elektoral, të drejtën e hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave në rast dyshimi. Tani, në prag të vitit të ri, opozita është në rrugë dhe jashtë parlamentit, pikërisht për atë që asaj iu shit si garanci dhe karrem për t’u përfshirë në proces. Nëse shikojmë liritë njerëzore, në gjashtëmujorin e parë kemi premtimin se si vend anëtar i NATO-s, standardet demokratike të vendit do të rriten dhe do të bëhemi shoqëri me standarde perëndimore, së paku në nivelin e demokracisë, por raportet ndërkombëtare po japin alarmin për zbritje drastike në standardet e lirisë së medies, duke zbritur 8 shkallë, apo rënie të fortë në klasifikimin botëror të luftës kundër korrupsionit, bërë publike nga Transparency International.
Nëse flasim për liritë ekonomike dhe kujtojmë retorikën e gjashtëmujorit të parë, do të dëgjojmë të flitet për shanse të barabarta dhe zhdukje të monopoleve, ndërkohë që në fund të këtij viti kemi një shpërthim haluçinant të Sali Berishës për kupolë mafiozo-puniste dhe prej asaj dite në zyrat e mia, në zyrat e Koço Kokëdhimës, në zyrat e Dulakut dhe gjithë armiqve të “shpallur” me megafona nga Berisha, janë dyndur një hordhi policish, që në fillim dorëzojnë gjobat, pastaj fillojnë kontrollet, ndërkohë që sekserët e Familjes Berisha, si Rezart Taçi e Co., kanë miliona euro pa paguar detyrime në shtet dhe u tregojnë kontrollorëve fotografinë me gruan e Sali Berishës dhe donacionet për fondacionin e saj, për të shpëtuar nga pagimi i taksave.
Nëse i hedhim një sy përpjekjeve të qeverisë për të nënshtruar gjyqësorin gjashtëmujorin e parë, do të shikojmë betejat e sinqerta të Berishës kundër prokurorisë, Gjykatës së Lartë dhe KLD, ndërsa gjashtëmujorin e dytë ngjan i pajtuar me to, pasi ato kanë pushuar me procedurë çështjen ku përfshihet djali i tij në Gërdec, çështjen ku përfshihet vajza e tij në pastrim parash me Damir Fazlliçin dhe çështjen ku përfshihet ai vetë me financimin e dyshimtë të një mikut të familjes së tij nga Turqia të një projekti super të shtrenjtë rrugor, që edhe ashtu ka dështuar të jetë një faturë përfundimtare.
Por mbi të gjitha lajtmotivi i fushatës elektorale u bë procedura normale që na takonte për të fituar si gjithë vendet e rajonit liberalizimin e vizave. Edhe kjo që ishte pjesë e axhendës evropiane dhe jo pjesë e meritave tona, dështoi pikërisht nga qeverisja jonë. Vizat na takonin sot, liria e lëvizjes na takonte sot, pa ia ditur për nder kësaj qeverie, por ofertës së Bashkimit Evropian. Programi i liberalizimit të vizave është një program, i cili ka nisur pas vitit 2005 dhe qeveria shqiptare ka qenë në garë të barabartë me vendet e tjera fqinje për ta fituar këtë të drejtë për shqiptarët. Ajo na la na burg. Në korrikun që vjen, kur shpresojmë se do ta fitojmë këtë të drejtë të mohuar, së paku gjashtë muaj nga qeveria shqiptare, ne do t’u ngjajmë të burgosurve të dalë me kusht në liri, për shkak të arsyeve që s’kanë të bëjnë me ne. E vetmja arsye që t’i fitonim vizat bashkë me të tjerët, u dështua nga qeveria shqiptare.
Pra, e gjithë axhenda e premtuar gjashtë muajt e parë të zgjedhjeve, u hodh poshtë brenda gjashtë muajsh, nga realiteti. Por arsyeja pse këto gënjeshtra dhëmbin më shumë se çdo gënjeshtër e zakonshme, është se me këto gënjeshtra u bllokua ndryshimi dhe u korruptua sistemi elektoral në vend. Diferenca që e bën të dhimbshëm këtë vit të gënjeshtërt, është se tabloja e rreme e gjashtëmujorit të parë në të vërtetë përbën një gënjeshtër që do t’u kushtojë shqiptarëve një vit të ri të vështirë, ku do të përfshihen kriza ekonomike, politike dhe bllokimi i procesit të integrimit. Dhe e keqja është se gënjeshtarët, ata që mashtruan shqiptarët dhe që në fund të vitit s’kanë as lekë për të paguar rrogat, po përpiqen tani të gënjejnë dhe veten duke thënë se s’kemi krizë dhe se Shqipëria po zhvillohet, vetëm pse ka hapur Lulzim Basha me Fazlliçin një hipermarket, ku askush s’ka shanse të blejë, nëse kjo gënjeshtër vazhdon.