Nga Blerim Shala
Mesdita e të shtunës së 16 tetorit 2010, na ktheu, rrëmbimthi, aty ku politika dhe shoqëria kosovare ishin në mesnatën e të enjtes së 19 nëntorit 2009, në ngjarjen politike të njohur si “Nata e Zanzibarit”, kur në një kafeteri të Prishtinës, një grusht politikanësh të PDK-së, provuan ta gatuajnë fatin e Kosovës, të gjithë qytetarëve të saj, në një përpjekje tragji-komike të grushtshtetit.
Tani, LDK bëri atë që është dashur ta bëjë në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit të kaluar: Pra, LDK mori qëndrimin të dalë nga Qeveria e Kosovës, ku objektivisht asnjëherë nuk kishte hyrë si duhet, vendosi ta prishë një Qeveri, që realisht kurrë nuk ishte ndreqë si duhet, apo, t’i japë fund një koalicioni të çuditshëm, i cili asnjëherë nuk kishte pasur nismën e mbarë.
Është ky një epilog i natyrshëm, i logjikshëm, i një procesi politik, i një koalicioni qeverisës të bërë midis dy partive, të cilat, të thuash, nuk kanë gjë të përbashkët, dhe të cilat nuk kanë mundur të bashkëqeverisin: Është ditur menjëherë që dikush do të pësojë në një koalicion të kësisojt dhe nga një koalicion i këtillë. LDK është dëmi kolateral i kësaj qeverisje. I dëmtuari kryesor, ai që më së shumti ka pësuar, është qytetari i Kosovës, ose, Kosova në përgjithësi.
Logjika dhe politika e Zanzibarit ka qenë në pushtet, këmbëkryq, në kabinetin e Kryeministrit Thaçi jo nga 19 nëntori 2009, por nga 9 janari i vitit 2008, kur edhe u bë Qeveria e tij. Por, që prej nëntorit të vitit të kaluar, Kosova, po që se provojmë t’i analizojmë dukuritë politike me gjakftohtësi, as që ka pasur Qeveri të njëmendtë, por vetëm Kryeministër. Që prej atëherë e këndej, në dhjetë muajt e kaluar pra, është zhveshur dhe ka dalë para nesh krejt lakuriq, si ai mbreti i përrallës, politika plotësisht e dështuar e Hashim Thaçit, Kryepërgjegjësit për gjendjen kaotike në të cilën ka mbërritur Kosova në vitin e tretë të ekzistimit të shtet.
A mbani në mend çfarë ka ndodhur krejt që nga Zanzibari e këndej? A mundeni, nëse për pak çaste mendoni në vete, të spikatni qoftë edhe dy-tri ngjarje të mira që janë shënuar tek ne, e që kanë si autor Kryeministrin Thaçi, në këtë harkun kohor që lidh vjeshtat e dy viteve të kaluara?
Për gati pesë muaj, prej nëntorit 2009 e këndej, Kryeministri Thaçi u përpoq të na bindë se e ka kuptuar që duhet të ndryshojë goxha shumë qeverinë dhe qeverisjen, dhe që këtë do ta bëjë përmes riformatizimit të saj. Ky ishte qëndrim i tij, jo i dikujt tjetër. Në fund, e dimë të gjithë se çfarë u bë me ndryshimet në Qeverinë e prirë prej tij. Gjë prej gjëje.
Tre muajt vijues, prej prillit 2010 e këndej, pra, Kryeministri Thaçi u vetë-vu (u vetë-emërua), Lideri i luftës kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, duke premtuar fundin e kësaj dukurie që kërcënon në palcë shtetin e Kosovës. Ky ishte qëndrim i tij, jo i dikujt tjetër. Në fund, e dimë të gjithë se çfarë u bë me luftën kundër korrupsionit të prirë prej tij. Gjë prej gjëje.
Në dy muajt vijues, gusht, shtator, Kryeministri Thaçi mori edhe timonin e diplomacisë kosovare, duke na paralajmëruar dhjetëra njohje të reja të shtetit të Kosovës, duke na bindur, madje, që edhe Serbia na ka njohur si shtet (edhe pse këtë, përndryshe, nuk po e dimë as ne në Prishtinë dhe as ata në Beograd). Flitej, madje që Kosova shumë shpejt do të mund të trokasë edhe në dyert e OKB-së. Ky ishte qëndrim i tij, jo i dikujt tjetër. Në fund, e dimë të gjithë se çfarë u bë me njohjet e reja të Kosovës. Një shtet i vetëm ka pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në shtator, Kryeministri Thaçi dhe Ministri i tij i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhjetëra herë përsëritën që Kosova hiç më larg se kah gjysma e këtij muaji (shtator), do ta marrë Strategjinë për Liberalizimin e vizave. Ky ishte qëndrim i tyre, e jo i dikujt tjetër. Një muaj e më shumë më pas, ende nuk dihet se kur do ta nisë Kosova rrugëtimin për të siguruar udhëtimin e qytetarëve të saj pa viza në Evropë.
Kryeministri Thaçi është përpjekur vazhdueshëm të na bëjë për vete kur bëhet fjalë për agjendën ekonomike të tij, e cila është dashur të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ulje të papunësisë, investime nga jashtë, rritje të buxhetit. Asgjë prej këtyre premtimeve nuk është realizuar. Çfarë dihet që tash është që kuleta-buxheti i Kosovës për vitin 2011, do ta ketë një deficit prej afër 330 milionë Eurosh, (apo, një çerek të buxhetit të tërësishëm të Kosovës për vitin vijues), dhe që kjo gropë buxhetore mund të shndërrohet në humnerë financiare dhe politike për Republikën e Kosovës, po që se në ndërkohë nuk shitet PTK-ja për diku 300 milionë Euro.
Dhe kështu me radhë. Kjo listë e dështimeve të mëdha të Thaçit dhe të Qeverisë së tij, ka vazhdime sa serialet turko-latino-amerikane. Por, për dallim prej tyre, nuk ka fund të lumtur.
Në përgjithësi, që prej se ka marrë në duart e tij qeverisjen me vendin, Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, ka preferuar politikën e aktit të kryer, duke mos e bërë hesap askënd në këtë politikën vendore, thuajse vetë i ka së paku 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës, dhe thuajse në Kosovë nuk ka demokraci ku duhet të respektohen ligjet dhe procedurat.
Kulmi i kësaj politike të mbrapshtë të Kryeministrit Thaçi u pa në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, kur u trajtua tema e privatizimit të PTK-së.
Kryeministri Thaçi, në këtë rast, si asnjë tjetër politikan në këtë historinë dhjetëvjeçare të demokracisë kosovare, talli dhe poshtëroi Kuvendin e Kosovës. Në këtë mënyrë, ai shkeli demokracinë kosovare dhe nëpërkëmbi të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ky politikan, thjesht, ka qeverisur keq, shumë keq me Kosovën. Ky është thelbi i Qeverisë Thaçi. Kjo është përditshmëria e saj. E një Qeverie që duhet së shpejti t’i takojë të kaluarës. Në mënyrë që Kosova të ketë të ardhme.